Biznes

Ejona, nga biznes social, në një trend në zemër të Bllokut

Sabina Veizaj – “Ejona” është krijuar si një projekt. Synimi kryesor ishte të punësonte persona me aftësi të kufizuara. Në fillim kanë qenë dy vajza, njëra banakiere dhe tjetra në shërbim. Vajza që nuk flisnin dhe nuk dëgjonin. Por nuk funksionoi për shumë arsye.

Inën, pronaren aktuale të “Ejonës” e takova në një mëngjes të ftohtë, në fillim të dhjetorit. U ulëm në kopshtin e restorantit për të gjerbur kafenë dhe për të
biseduar. Në atë kopësht që e miklojnë të gjithë, që përpos ushqimit dhe mikëpritjes është një nga arsyet kryesore pse njerëzit bujtin aty. Ina që nga mënyra se si nis e më rrëfen për “Ejonën”, duket që e dashuron atë punë. “Në momentin që ne do ta merrnim, do të merrnim vetëm hapësirën me qira. Jo biznesin. Na erdhi keq që do të shuhej nisma. Na u duk ide e mirë sepse një biznes i vogël, ka kontribuar në një kauzë shumë të madhe. Unë atëherë me bashkëshortin vendosëm t’i blinim pjesën që kishte mbetur dhe emrin. Ka qenë shumë e vështirë. Ishte krijuar idea se “Ejona” ishte një biznes vetëm për personat me aftësi të kufizuara dhe duhej shumë kohë për ta zhbërë këtë mendësi. Prandaj u mbajt edhe emri për të krijuar idenë që ky është mjedisi ynë, shtëpia jonë, restoranti ynë,” më tregon Ina duke më thënë që u desh një vit i tërë dhe një punë kolosale për të ndryshuar perceptimin e njerëzve për “Ejonën” e re.

“Vajzat qëndruan për një periduhë 7 mujore deri në momentin që u ngrit puna dhe ato nuk e kishin shumë të përballueshme vazhdimësinë. Në atë periudhë kemi mësuar shumë. Mësuam të flisnim gjuhën e tyre. Pavarësisht se ishte periudhë shumë e vështirë, ishte shumë e bukur. U ndjemë pjesë të njëri-tjetrit.”

Ina me profesion është financiere, por ka punuar për vite si financiere në projekte që kanë pasur të bëjnë me agrikulturën në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe shërbimi është një trashëgimi që i vjen prej prindërve. Pavarësisht se me profesion respektivisht farmacist dhe inxhinier mekanik, (e ëma dhe i ati), ata kanë qenë ndër të parët që kanë ngritur një mencë në Qytetin Studenti në Tiranë do vite më parë në pronën e tyre. “Kohën më të madhe të fëmijërisë e mbaj mend tek menca; tek lavamani duke larë enët. Pastaj kaloja të qëroja patatet. Këtë vlerësoj tek prindërit e mi që më kanë mësuar të jem e barabartë edhe me stafin. Që nuk jam ndjerë kurrë gocë e pronarëve, por e barabartë me ta. Fakti që nuk kam lëvizje tek stafi, është mësimi që kam marrë në vitet kur qëndroja tek menca e prindërve,” më tregon Ina.

Dalëngadalë “Ejona” nisi të ndryshonte, vijon rrëfimin Ina. “Ndryshoi menuja, u bënë disa investime. Edhe në arredim. Vendosëm të kishim impakt në pjesën eko. Çdo gjë këtu është dru i ricikluar. Interiori është ideuar dhe zbatuar nga Pana. Gjithë druri që është këtu është i trashëguar nga stërgjyshi i bashkëshortit. Një nga shtëpitë e vjetra tiranase. Mbi 100 vjeçare. Trarët e vjetër të shtëpisë që janë stazhonuar për shumë vite nga i ati i bashkëshortit dhe janë sot mobilje për Ejonën.”

Ina më thotë se pjesa miqësore e diferencon “Ejonën”. “Donim të bënim diçka në Bllok që të mos kishte lidhje me Bllokun. Që të mos detyroheshin klientët që të rregulloheshin, të vishnin taka, apo t’u duhej të uleshin në një tavolinë që t’i shihnin. Është për atë kategori njerëzisht të thjeshtë si ne, që duan të qëndrojnë rehat si në shtëpi”, tregon Ina. Pika e fortë e “Ejonës”, për Inën është menuja ditore. 15 produkte çdo ditë për një javë, që ndryshohet çdo javë. Kjo për Inën, ka kosto, por konsiderohet si pikë e fortë.

“Përveç kësaj, komponentët ndryshojnë çdo tre muaj sepse ndryshon stina dhe ne preferojmë të punojmë me produkte stine. Kjo krijon variacion dhe klientët nuk mërziten. Ne kemi që prej tre vjetësh klientë shumë besnikë, të cilët janë familjarë si ne. Në pjesën e drekës 80% e klientelës është e përditshme. Më shumë zyra; banka, zyra finance, call center, projekte”, më tregon Ina. Kurse për pjesën e darkës është pak më ndryshe sepse klientela ka më shumë kohë në darkë për të qëndruar. Menutë e “Ejonës” janë drejtuar kah kuzhina italiane, por Ina më thotë se do të fusë edhe kuzhinën tradicionale të preferuar aq shumë nga huajt. “Sepse edhe ne kur dalim jashtë Tirane kërkojmë djath nape, qepë të njomë dhe një vend ku të qëndrojmë si në shtëpi”.

“Shefi i kuzhinës ka më shumë eksperiencë në këtë lloj kuzhine brenda dhe jashtë vendit. Abi Cani është shefi ynë 25-vjeçar. Ai ka nisur punën që 16 vjeç. Është nga ata pak nxënës të shkëlqyer që i ka nxjerrë Shkolla e Hoteleri-Turizmit.” Restoranti funksionon edhe me prenotime. Menuja është e thjeshtë.

“Këmbëngulim më shumë tek shija dhe sasia, edhe tek estetika më pak. Për ne është e rëndësishme që klienti të kthehet sërish tek Ejona”, thotë Ina. “Ejona” në fakt nuk njihet për luks, as për trend në kuptimin e trendit që kanë restorantet në zonën e ish-Bllokut. “Ejona” ka një lloj trendi të vetin. “Pika më e fortë e “Ejonës” do të vazhdojë të jetë qasja shumë sociale që ne ofrojmë, vlera shoqërore. Pika më e dobët, që jemi një restorant pranveror, veror. Dimrin nuk e kemi pikë të fortë sepse hapësira e kopshtit pavarësisht se shumë e bukur dhe e preferuar, është më e madhe se pjesa brenda”. Ina më tregon se investimi kryesor dhe më i madh ka qenë kuzhina.

Për “Ejonën” punojnë 15 vetë, pjesa më e madhe në kuzhinë dhe pjesa tjetër është pjesa e shërbimit. Aktualisht stafi po trajnohet për pjesën e sigurisë ushqimore me një zonjë amerikane që është e çertifikuar në Amerikë për këtë drejtim. Këtë filozofi e kanë futur të huajt, ata e kanë kërkuar.

“Frekuentohet shumë nga të huajt që punojnë në Tiranë. Janë besnikë të darkës. Kanë kohën e tyre dhe e shijojnë.” Një menu darke me supë, sallatë dhe pjatë kryesore tek “Ejona” kushton 600-800 lekë. Klientët e përditshëm janë të orientuar drejt dy pjatave. Darkat kanë më shumë pjata mesi, antipasta, pjata kryesore, alkohool. Janë tavolina që zgjasin mbi një orë. Dhe, klientët paguajnë 1500 lekë personi për darkë.

Ina më tregon se prej një muaji është publikuar menuja e re.
Ajo që e shqetëson Inën është gjendja e përgjithshme e vendit që po detyron shumë njerëz të emigrojnë. Ina më tregon se tre veta nga stafi i saj, shumë shpejt nisen për në Gjermani. Tre veta që kanë që në fillimet e “Ejonës” dhe janë punonjës shumë të mirë, për të cilët Inës do t’i duhet shumë punë dhe mund për t’i zëvendësuar.
Ina ka plane për të ardhmen. “Kemi mësuar që pranë nesh do të ndërtohet një pallat. Kështu që kemi nisur të kërkojmë për t’u zhvendosur”, thotë ajo.
Vendi i duhur për “Ejonën” e re është menduar tek Pazari i Ri, ku Ina në një të ardhme të afërt mendon ta mbështesë edhe me një hostel ku të punësojë studentë.

 

Më Shumë