Analize

Egbo, pacienti zero i racizmit në Shqipëri?

Mendrit Shehu- Gazetari anglez, John Carlin në artikullin “Nacionalizmi në fushë” përshkruan momentin kur Nelson Mandela, përpara fillimit të ndeshjes gjysmëfinale për Kampionatin Afrikan të vitit 1996, ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Ganës, zbriti në dhomën e zhveshjes së lojtarëve afrikano jugorë për t’i inkurajuar. Përpara se të dilte, duke buzëqeshur iu drejtua duke iu thënë: ‘’Djemtë e mi: po e lë atdheun në duart tuaja’’. Dhe kundër gjithë parashikimeve, Afrika e Jugut fitoi. Vendi ishte në ekstazë.

Po të lexosh intervistën e trajnerit të Tiranës, Egbo, të duket sikur një ‘’Mandela’’ i ri po lind. ‘’Afrikanët e mi të dashur më thonë se “nuk e ke idenë se çfarë ke bërë për ne duke fituar këtë kampionat”. E njëjta situatë kur Obama fitoi dhe u bë president i Amerikës. Kështu, përjetohet atje. Nëse shikon Premier League, shumë rrallë mund të shohësh trajnerë me ngjyrë. Nuk na jepen shumë mundësi. Thjesht duam të njëjtat mundësi’’.

Kur e lexon kështu të shkëputur nga historia nga kjo deklaratë, del se i gjithë kontintenti afrikan, që ndër vite ka prodhuar talente dhe yje të futbollit botëror, po priste me ankth se kur do të shpallej kampion Tirana. Duke lënë mënjanë shakatë, është e pa pamundur që afrikanët të kenë njohuri për kampionatin tonë, përveç familjarëve të lojtarëve që aktivizohen këtu apo ndonjë bastexhiu të thekur që argëtohet duke luajtur me futbollin tonë.

Sulmuesi Nwankwo Kanu dhe portieri Ndubuisi Emmanuel Egbo me kombëtaren e Nigerisë

Falë ish-presidentit El-Sayed, Emanuel Egbo ka mbërritur në Shqipëri në korrik të vitit 2001 dhe deri në vitin 2004, ai numëron 157 ndeshje në portën e skuadrës kryeqytetase. Periudhë në të cilën ish-portieri fitoi me bardheblutë Kupën e Shqipërisë në sezonin 2001-’02, Superkupën në vitin 2002 dhe Kategorinë Superiore në sezonin 2002- ’03. Pas qëndrimit te Bylis për katër vite, si trajner portierësh për 3 vite dhe një sezon në krye të ekipit, nigeriano-shqiptari u rikthye te bardheblutë. Që nga viti 2014, Egbo është në stafin kryeqytetas në rolin e trajnerit dhe përgatitësit të portierëve e nga fundi i vitit 2019, u gradua si trajneri i parë i 25 herë kampionëve, në edicionin që kulmoi me 100-vjetorin e themelimit të klubit. Gjatë kësaj periudhe, përveç rezultateve, është bëre popullor me deklaratat e tij me kontekst fetar.

Trajneri i bardhebluve gjatë intervistës për BBC, ka prekur temën e racizmit në Shqipëri, teksa thekson se në një ndeshje në transfertë tifozët i kanë hedhur banane. Mirëpo, edhe pse zyrtarët e Federatës dhe policia ishte aty, sërish nuk ndërhyri, sepse kishin frikë nga fansat. Ai shkon më larg, kur deklaron se në autobus njerëzit e kanë ngatërruar me njerëz të Al Kaeda.

Një deklaratë jo vetëm e nxituar, por edhe e gabuar, duke shkatërruar atë që ndërtoi. Falë këtij ‘’racizmi’’ Egbo është përshkruar gjithmonë si histori suksesi në një vend si Shqipëria, duke u bërë aq popullor sa u bë imazh i një fushate publicitare. Gjatë transmetive të ndeshjes, kamerat televizive nuk kanë fokusuar asnjë incident të tillë. Trajneri i parë afrikan që fiton në Europë nuk ka nevojë të bëjë reklamë të tillë. Deklarata që kishte njerëz që u mërzitën që Tirana fitoi titullin e 100-vjetorit me një afrikan në stol është një njollë që i vë titullit të Tiranës.

Pjesë e spotit publicitar

Deklarata e Egbo ka sjellë reagimin e Federatës, e cila përmes zëdhënësve të saj, është shprehur se këtë fenomen nuk e kanë denoncuar as zyrtarët e ndeshjes, as vetë Egbo. “FSHF shpreh keqardhje që këto incidente të pretenduara nuk janë raportuar në organet kompetente të vendimmarrjes. Këtë nuk e kanë bërë as zyrtarët e ndeshjes, as vetë Z.Egbo. Ky i fundit ka për detyrë të raportojë në përputhje më të gjitha dispozitat përkatëse çdo shkelje të tillë në mënyrë të menjëhershme.”

Klubi i Tiranës nuk ka reaguar ende, por dëmi tashmë është bëre. Deklarata të tilla cenojnë jo vetëm sportin shqiptar, por të gjithë shoqërinë, akoma më keq nëse është presion ndaj klubit për të rinovuar kontratën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë