Art dhe Kulture

“Edmond”, Teatri Kombëtar hap dyert me një shfaqje brenda shfaqjes

Magjia e shkrimit të një vepre dhe atmosfera artistike pariziane riktheu publikun kryeqytetas në ndenjëset e sallës teatrore pas dy viteve mungesë në Teatrin Kombëtar.

Komedia “Edmond”, një histori argëtuese, me nota sa komike, aq edhe dramatike, erdhi premierë në Teatrin Kombëtar, nën drejtimin e regjisorëve Andia Xhunga dhe Indrit Çobani.

Gjithçka nis në dhjetorin e vitit 1897 në Paris...

Edmond Rostand i cili interpretohet nga aktori Lulzim Zeqja, është një dramaturg i ri, 29-vjeçar, që ka dy vjet pa shkruar asgjë...

I gjendur mes nevojës për të fituar para për të rritur dy fëmijët e tij dhe gjendjes dëshpëruese në krijimtari, Edmond merr një ftesë bashkëpunimi nga aktori më i famshëm i Francës, Constant Coquelin [Konstant Koklën]. Edmond i premton Koklen rolin kryesor në një komedi në vargje, premiera e së cilës do të jetë shumë shpejt, pas 3 javësh, në prag të festave të fundvitit...

Por problemi më i madh është që komedia nuk është shkruar ende... Në këtë moment e ardhmja e Edmondit do të vihet në provën e kohës...

Shfaqja rrjedh natyrshëm, me ritëm e muzikalitet, e në këtë komedi bëhet pjesë edhe koreografia nën drejtimin e Kozeta Bakiut. Personazhet hyjnë e dalin duke dhënë atmosferën e Parisit të vitit 1897, me gjithë hallet e problemet e këtyre njerëzve që japin e marrin me njëri-tjetrin.

Ndërkohë në qendër të skenës është Edmondi, (Lulzim Zeqja), i cili mban mbi shpatulla gjithë barrën e shfaqjes e rreth të cilit orvaten gjithë personazhet e tjerë, aktorët që përpiqen të vënë në skenë veprën që nuk është shkruar ende...

Edhe pse askush s’e beson, ai duhet të krijojë veprën më të bukur të jetës, për dy javë që të dilte nga mjerimi dhe dëshpërimi. Në kalvarin e gjatë të shkrimit të veprës ku herëpashere “fusin hundët” aktorët dhe producentët, nuk mungojnë notat e humorit, ndërsa është nën presionin e kohës dhe mungesës së thellë të frymëzimit...

Ndërsa ditët e vënies në skenë afrojnë, Edmondi do ta shohë që zgjidhja e vetme është të hedhë në letër një ngjarje rastësore që nisi si histori dashurie e mikut të tij të ngushtë dhe përfundoi si vepra më e suksesshme e Teatrit.

Mes shumë peripecish, vepra “Sirano dë Bërzherak” arrin të vihet në skenë dhe të bëhej një ndër shfaqjet më të suksesshme dhe të interpretohej nga aktori më i njohur i kohës, Konstant Koklen.

Për Edmondin dhe orvatjen e tij të gjatë në shkrimin e veprës aktori Lulzim Zeqja thotë për Gazetën "Si" se vetëm dëshira mban gjallë krijimtarinë. Tek roli i Edmondit ai ka futur edhe dëshirën e tij për teatër.

“Edmond thotë se vetëm dëshira ka rëndësi në krijimtari, nëse dëshira venitet gjithçka merr fund! Edhe unë i kam futur rolit të Edmondit dëshirën e Lulit për dashurinë për teatrin! Edhe në kohë krizash të mëdha që ka pasur teatri, dëshira e njerëzve e ka mbajtur të fortë! Teatri është një art për mendimin tim që nuk do të zbehet kurrë! Është arti i fjalës, mendimit! Të bën të ëndërrosh”, thotë Zeqja për Gazetën “Si”.  

Për regjisoren Andia Xhunga, shkrimi i një vepre dramaturgjike “është përpëlitja e një artisti në të gjitha kohët”. “U takuam në Paris me ‘Edmond’-in, kur ishim aty si pjesëmarrës në një festival teatror. Librin e Edmondit na e dhuroi aktorja Ervina Kotolloshi në një kafe të Parisit, aty u njohëmDhe ja ku jemi tani në skenë. Aq shumë jemi përfshirë sa nuk e dimë më, e zgjodhëm ne ‘Edmond’-in apo ai ne”, shprehet regjisorja Xhunga për Gazetën "Si".

Ajo ndan edhe emocionet që u solli publiku në sallë pas ndërprerjes së gjatë.  

“Trupa e Teatrit ka qenë në aktivitet, por premiera e Edmond përkoi me rihapjen e skenës ArTurbina. Ishte shumë emocionuese që ne të riktheheshim në skenën tonë dhe spektatori në sallën e vet. Kurrë nuk do t’i harrojmë emocionet e rihapjes pas 586 ditësh të ArTurbinës”, vijon regjisorja për Gazetën “Si”.

Historia e treguar me vargjet e Siranoit vjen nën interpretimin e aktorëve Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku, deri tek aktorja e re, që ishte surpriza e shfaqjes, Ilirda Bejleri.

“Sirano dë Bërzherak” është kryevepra më përfaqësuese e teatrit francez, e cila është përkthyer thuajse në të gjitha gjuhët e botës.

Shkruar nga Edmond Rostand, ajo e pati premierën më 1897 në Teatrin “Port San Martin” në Paris. Ky rol do të interpretohej nga aktori më i njohur i kohës, Konstant Koklen dhe kjo vepër i dhuroi Rostand çmimin “Legjioni i nderit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë