Shkencë

E vërteta për alergjitë- ADN-ja e lashtë tregon një histori tjetër

Nga Gazeta Si- Një studim i ri mbi ADN-në e lashtë po vë në pikëpyetje një nga shpjegimet më të përhapura për alergjitë moderne: idenë se ato janë thjesht rezultat i një sistemi imunitar të formuar në një botë të mbushur me mikrobe. Sipas kësaj teorie, reagimet ndaj polenit apo ushqimeve janë “çmimi” që paguajmë për mbrojtjen e fortë ndaj infeksioneve në të kaluarën.

Por kërkimi i publikuar në platformën shkencore bioRxiv sugjeron një histori më komplekse. Studiuesit zbuluan se disa variante gjenetike që janë përhapur gjatë 10 mijë viteve- sidomos pas kalimit në bujqësi- jo vetëm që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve, por gjithashtu mund të ulin rrezikun e astmës dhe alergjive.

Ky përfundim sfidon idenë tradicionale se evolucioni e ka bërë sistemin imunitar thjesht më “reaktiv”. Sipas gjenetistit evolucionar Will Barrie, kjo teori është “shumë e thjeshtë” për të shpjeguar realitetin biologjik.

Falë analizave të ADN-së nga mbi 15 mijë individë që kanë jetuar nga 18 mijw deri nw 200 vite më parë, studiuesit kanë mundur të ndjekin ndryshimet gjenetike përgjatë periudhave kyçe si Epoka e Gurit dhe lindja e bujqësisë. Një studim paralel i botuar në Nature tregoi se shumë nga këto ndryshime lidhen me funksionin imunitar, duke reflektuar presionin e madh të patogjenëve në shoqëritë e hershme më të dendura.

Megjithatë, studimi i ri shkon më tej duke lidhur këto ndryshime me sëmundjet moderne. Ekipi i drejtuar nga Javier Maravall Lopez zbuloi se disa gjene që ndihmojnë në mbrojtjen kundër sëmundjeve si tuberkulozi apo gripi, mund të rrisin rrezikun për sëmundje autoimune. Por, në të njëjtën kohë, disa variante të tjera duket se reduktojnë reagimet alergjike duke frenuar inflamacionin e tepërt.

Kjo tregon se evolucioni nuk ka vepruar në një drejtim të vetëm. Përkundrazi, ai ka “rregulluar” pjesë të ndryshme të sistemit imunitar në mënyra të ndryshme: duke forcuar mbrojtjen në organe si mushkëritë dhe zorrët, ndërsa njëkohësisht ka zbutur reagimet e panevojshme ndaj substancave të padëmshme.

Një interpretim alternativ sugjeron se në shoqëritë e hershme të gjuetarëve-mbledhësve, përgjigjet imune agresive ishin të dobishme për mbijetesë, edhe pse rrisnin rrezikun e inflamacionit. Më vonë, me ndryshimin e stilit të jetesës dhe ekspozimit ndaj sëmundjeve, evolucioni mund të ketë “balancuar” këto reagime.

Në përfundim, sistemi ynë imunitar modern duket si një mozaik i ndërtuar në faza të ndryshme historike, jo si një mekanizëm i përsosur. Siç thekson Barrie, nuk është aspak çudi që ai ende nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur në mjedisin e sotëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë