Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë vitit të fundit në Shqipëri u regjistrua një rritje e përgjithshme e kriminalitetit, pas një periudhe relativisht më të stabilizuar në vitet 2022–2024. Rritja është më e theksuar në krimet e drogës, armëve dhe disa krime kundër personit, ndërsa disa kategori si korrupsioni dhe krimet kibernetike kanë shfaqur tendencë rënieje ose stabilizimi.
INSTAT tregon se 2025-a pati numrin më të lartë të krimeve të drogës, të paktën që prej 2021-shit, nga ku rastet janë shtuar me 19%. Po ashtu, rastet e vrasjes janë shtuar me 21% nga 2021-shi në 2025-n.
Në total, gjatë 2025-ës janë regjistruar gjithsej 38.345 vepra penale, me rritje 9% nga 2021-shi.
Në krahasim vjetor, 2024-2025 krimet si korrupsioni dhe sulmet kibernetike kanë shënuar rënie, statistikat tregojnë një rritje të fortë të krimeve të lidhura me drogën, armët dhe vrasjet, me mbi 26%. Veçanërisht shqetësuese paraqitet rritja e veprës penale të përndjekjes, e cila është shtuar me 69%.

Në të njëjtën periudhë, mbeten të larta edhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor (6.103 raste) dhe vepra penale të paklasifikuara (15.714 raste), të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të totalit
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se numri i autorëve të dyshuar ka arritur në 45.334, ku 93,3% janë meshkuj. Grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30–44 vjeç, që përbën 36,2% të totalit.
Në kategorinë e krimeve kundër personit, femrat e dëmtuara përbëjnë 37% të rasteve, kryesisht në krime seksuale, krime kundër moralit dhe dinjitetit, si dhe krime që lidhen me familjen dhe fëmijët.
Nga 24.491 procedime penale të përfunduara, 27,6% janë pushuar, 27,8% janë pezulluar, ndërsa 42,5% janë dërguar për gjykim në gjykatë.
Në të njëjtin vit, janë regjistruar 14.356 persona të pandehur, me rritje 9% krahasuar me vitin e mëparshëm. Meshkujt përbëjnë 94% të totalit të të pandehurve.
Numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ka arritur në 4.503, me një rritje të lehtë prej 0.3% krahasuar me vitin 2024. Edhe në këtë kategori, dominimi i meshkujve mbetet shumë i lartë, në nivelin 98,4%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje