Gazeta Si – Të flesh me një fashë ose shirit ngjitës mbi gojë (“mouth tape” në anglisht), është bërë një trend popullor në mediat sociale vetëm në pak vite.
Sipas disa vlerësimeve, tregu i “mouth taping“, vlen qindra miliona dollarë dhe pritet të rritet me afërsisht 10% në vit deri në vitin 2030.
Në TikTok, përdoruesit tregojnë se, që kur flenë me një fashë mbi gojë, ata zgjohen më të pushuar, gërhasin më pak, kanë më pak erë të keqe të gojës dhe madje edhe një nofull më të ekuilbruar.
Shumë sportistë e përdorin gjithashtu këtë trend. Adam Burgess, fitues i medaljes së argjendtë në kanoe në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, tha se pa shirit ngjitës për gojën dhe ushtrime frymëmarrjeje, ai mund të mos kishte qenë në gjendje të hipte në një varkë.
Tenistja Iga Świątek dhe lojtari i golfit, Ryan McCormick janë fotografuar duke mbajtur një fashë edhe gjatë stërvitjes dhe garave.
Përdorimi i gjerë i këtyre ngjitësave, buron nga një vetëdije e dokumentuar mirë se frymëmarrja vetëm përmes hundës mund të jetë e dobishme për shëndetin tuaj.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të flesh me shirit mbi gojë është gjithmonë e shëndetshme për të gjithë: mjekët dhe literatura shkencore janë, në fakt, shumë të kujdesshëm.
Qëllimi kryesor i përdorimit të tyre në gojë, është zvogëlimi i apnesë së gjumit dhe përmirësimi i gjumit. Apnea e gjumit është shumë e zakonshme: në Itali, rreth 24 milionë njerëz vuajnë prej saj.
Lloji më i zakonshëm i apnesë së gjumit është ai obstruktiv, i cili ndodh kur diçka bllokon rrjedhën e ajrit në rrugët e sipërme të frymëmarrjes gjatë gjumit, siç janë alergjitë, një septum i devijuar ose inflamacioni kronik.
Ndoshta frymëmarrja përmes hundës dhe gojës, duke lejuar që të kalojë më shumë ajër, do të zvogëlonte rrezikun e apnesë.
Në fakt, ndodh e kundërta. Imagjinoni të merrni frymë përmes një tubi të butë gome: sa më shumë të thithni, aq më shumë tubi tenton të tkurret.
Faringu funksionon kështu: është i përbërë nga muskuj dhe inde të buta, kështu që hapja e tij varet edhe nga rrjedha e ajrit.
Nëse rrjedha është shumë e fortë, siç ndodh kur thithim shumë ajër përmes gojës, muret mbyllen së bashku dhe rrugët e frymëmarrjes ngushtohen.
Në një hapësirë më të ngushtë, ajri përshpejtohet dhe bën që indet e buta të dridhen: këto janë ato që dëgjojmë kur dikush gërhet.
Nëse ngushtimi rritet, ndodh apnea. Megjithatë, me frymëmarrjen me hundë, rrjedha e ajrit është më e kontrolluar, prandaj mund të ndihmojë me çrregullimet e gjumit.
Që në vitet 1950, fiziologu ukrainas, Konstantin Buteyko propozoi që shumë gjendje kronike ishin të lidhura me ventilimin e tepërt.
Ai filloi t’u rekomandonte pacientëve të tij frymëmarrje më të ngadaltë dhe më nazale, madje duke përdorur edhe fasha në gojë.
Metoda u studiua dhe u aplikua më vonë në Bashkimin Sovjetik. Dekada më vonë, u bë popullor me “Arti i Frymëmarrjes: Shkenca e Re e Riedukimit të një Gjesti Natyror”, një bestseller nga gazetari i shkencës, James Nestor.
Nestori tregoi një eksperiment që kreu mbi veten e tij. Për dhjetë ditë, ai i mbylli vrimat e hundës me silikon, duke e detyruar veten të merrte frymë vetëm përmes gojës; për dhjetë ditë të tjera, ai mori frymë kryesisht përmes hundës, duke përdorur fasha.
Gjatë fazës së frymëmarrjes me gojë, raportoi Nestor, tensioni i gjakut iu rrit, ai kishte episode të apnesë së gjumit dhe gërhiti shumë më tepër.
Këto efekte u zhdukën kur ai u kthye në frymëmarrjen me hundë. Siç e pranoi vetë Nestori, megjithatë, ky ishte një rast anekdotik dhe jo një provë statistikisht e rëndësishme.
Frymëmarrja me hundë ka përfitime të tjera: kur ajri hyn në hundë, ai filtrohet nga ciliat dhe membranat mukoze, të cilat bllokojnë pluhurin, alergjenët dhe patogjenët para se të arrijnë në mushkëri.
Gjithashtu laget dhe ngrohet në rreth 37°C, duke zvogëluar acarimin bronkial. Ndërsa kalon nëpër zgavrat e hundës, të cilat komunikojnë me sinuset paranazale, ajri përzihet me një sasi të vogël të oksidit nitrik, të prodhuar në të njëjtat zgavra.
Ky gaz arrin në mushkëri dhe vepron si vazodilatator: relakson kapilarët dhe ndihmon në shpërndarjen më të mirë të rrjedhës së gjakut.
Kjo është një nga arsyet pse frymëmarrja me hundë ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe përmirësimin e performancës atletike.
Ekzistojnë gjithashtu efekte pozitive në shëndetin oral. Prodhimi i pështymës zvogëlohet gjatë gjumit. Nëse goja mbetet e hapur, ajo bëhet më acidike dhe rrit thatësinë orale: të gjitha këto kushte favorizojnë rritjen e baktereve dhe një rrezik më të madh të prishjes së dhëmbëve dhe erës së keqe të gojës.
Megjithatë, rishikimi më i fundit i studimeve mbi efektivitetin e mbajtjes së shiritit ngjitës në gojë, i botuar në maj 2025 në “PLOS ONE”, arriti në përfundimin se efektet janë minimale, të pasigurta ose potencialisht kundërproduktive.
Ata që e mbrojnë atë zakonisht, citojnë një studim tajvanez të vitit 2022 të botuar në revistën “Healthcare”, i cili ndoqi 20 pacientë.
Pas aplikimit të ngjitësit, 13 prej tyre gërhitën më pak dhe kishin më pak apnea. Megjithatë, mostra ishte e vogël dhe përfshinte vetëm pacientë me apnea të lehta obstruktive të gjumit, të cilët e toleruan flasterin.
Për më tepër, pacientët u trajtuan për çdo bllokim nazal para eksperimentit. Rishikimi i vitit 2025 theksoi se studimet e këtij lloji kishin tendencë të përjashtonin subjektet me bllokim nazal, përkatësisht ata që zakonisht flenë me gojën hapur dhe për këtë arsye përdorin një shirit nazal.
Përpjekja për të detyruar frymëmarrjen përmes hundës duke përdorur një shirit mbi gojë mund ta përkeqësojë situatën nëse hunda është e bllokuar.
Studimi më i fundit që përfshin njerëz me apnea obstruktive të gjumit, u botua në nëntor 2024 në “JAMA Otolaryngology” dhe zbuloi se, te pacientët që merrnin frymë shumë përmes gojës, shiriti kufizonte ndjeshëm rrjedhën e ajrit.
Një studim tjetër, i botuar në vitin 2023 në revistën “Nature and Science of Sleep” nga një ekip tajvanez, tregoi se çfarë ndodh në rastet më të këqija: faqet fryhen nga jashtë gjatë nxjerrjes së ajrit, ndërsa trupi përpiqet të nxjerrë ajrin përmes gojës edhe nëse është e mbyllur. Autorët e quajtën këtë fenomen fryrje e gojës. Sa më e theksuar shfaqej, aq më e rëndë ishte apnea.
Së fundmi, frymëmarrja kronike me gojë tek fëmijët, mund të çojë në një strukturë të ndryshme të fytyrës ndërsa ata rriten, duke ndryshuar pozicionin e qiellzës, shtrirjen e dhëmbëve ose formën e nofullës.
Për këtë arsye, është e rëndësishme të vlerësohen dhe trajtohen shkaqet e bllokimit të hundës herët. Megjithatë, tek të rriturit, skeleti është formuar tashmë dhe nuk ka prova shkencore që përdorimi i shiritit ngjitës të gojës gjatë gjumit mund të ndryshojë formën e fytyrës.
Edhe nëse ngjitja me shirit ngjitës në gojë do të ishte në gjendje të stimulonte frymëmarrjen me hundë, ideja e një “lifting fytyre” për të rriturit nuk mbështetet nga provat shkencore dhe përdoret vetëm për qëllime marketingu.
Në përgjithësi, këto fasha nuk tregtohen si pajisje mjekësore, por si produkte Wellness: kjo u lejon prodhuesve të shmangin detyrimin për t’u pajtuar me kërkesa të rrepta, prova klinike ose kontrolle pas marketingut, dhe të jenë në gjendje t’i reklamojnë ato sipas dëshirës.
Të flesh me një shirit mbi gojë mund të jetë në fund të fundit një ide e mirë për disa, por për ta zbuluar me siguri, është më mirë të konsultoheni me mjekun tuaj.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje