Drejtësia

Braho: Presionet politike jo kërcënim, nëse ka ndryshime ligjore do reagojmë

Gazeta Si – Klodian Braho nuk e ka cilësuar një kërcënim për SPAK-un retorikën politike në lidhje me hetimet kundër zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion.

Gjatë fjalës së tij në KLP, Braho theksoi se presionet politike në vetvete nuk përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë, por paralajmëroi se ato mund të krijojnë perceptime te krimi i organizuar në raport me institucionin e drejtësisë.

Braho theksoi se deri më tani nuk ka pasur nisma ligjore që mund të cenojnë pavarësinë e SPAK-ut nga ana e politikës, por nëse diçka e tillë do të ndodhë, do t’i përcillet shqetësimi KLP-së.

“Retorika politike nuk përbën në vetvete ndonjë kërcënim, është thjesht një retorikë politike. Është shqetësuese nëse kjo retorikë do shënohet me një situatë të ndryshimeve ligjore që mund të cenojnë kompetencat dhe pavarësinë e institucionit. Konstatoj se nuk ka një situatë të tillë për momentin. Kemi sjellë në vëmendje faktin që retorika, ndonëse nuk është problematike në mënyrë direkte, por zgjon dhe mund të shërbejë si shkak për të rritur agresivitetin ndaj SPAK-ut nga krimi i organizuar, sepse krijohet perceptimi që institucioni është i pambrojtur”.

Por Klodian Braho shtoi se nëse do të vënë re që kjo do të tentohet të bëhet përmes drafteve apo projekteve ligjore, do të ngrenë zërin.

“Nëse do kemi ndonjë situatë të tillë, nëse do hasemi me drafte dhe projekte ligjore, në do ta bëjmë publik zërin tonë dhe shqetësimin do t’ia përcjellim edhe KLP-së”, tha Braho.

Braho tha se përfundimi i mandatit të prokurorëve të posaçëm dhe pa të drejtë rikandidimi, do të ndikojë në ngadalësimin e hetimit të çështjeve.

“Sesi do të ndikojë ndryshimi i prokurorëve, është e ndryshme mënyra sesi e heton dhe e përfaqëson një prokuror që ka eksperiencë të gjatë, me një prokuror që vjen me ditën e parë dhe përballet me një organizatë kriminale. Duhet pasur parasysh që nuk kanë eksperiencën e mëparshme. Proceset gjyqësore do të vijojë me të njëjtën shpejtësi. Në hetim do të ndikojë dhe do të ngadalësojë shpejtësinë. Do të jetë e përkohshme”, tha Braho.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë