Vende dhe Udhetime

E vërteta e sallatës Çezar

Ishte pasdite të premteje në portin “San Ysidro”, vendi më i ngarkuar kufiar në botë, që lidh Tijuanën në Meksikë dhe San Diegon në SHBA. Disa nga meksikanët po ktheheshin në shtëpi nga një javë e gjatë pune, ndërsa disa amerikanë e kishin filluar herët fundjavën. Disa prej tyre ishin duke shkuar në Tijuana për të ngrënë drekë në restorantin që shpiku sallatën Çezar. Po është e vërtetë: një nga sallat më të famshme në botë u shpik në Meksikë.

Restoranti “Cezar” ndodhet në hyrjen e qytetit të Tijuanës që nga viti 1927. Përpara ndërtesës shihet një portret i bardhë i kuzhinierit që shpiku këtë recetë, italianit Cesare Cardini.

Pas emigrimit në SHBA nga Italia në vitet 1910, Cardini hapi një restorant në Sacramento dhe më pas një në San Diego. Por, pasi u dëbua nga SHBA-ja nga zyrtarët e emigracionit të paligjshëm, ai u zhvendos në kufirin me Tijuanën në vitet 1920, ku edhe hapi restorantin e tij të famshëm në vitin 1927.

Ashtu siç ka treguar edhe vajza e Cardinit, Rosa, një kuzhiniere me famë botërore deri në vdekjen e saj në 2003, babai i saj shpiku sallatën më të dashur në botë më 4 korrik të vitit 1924. Restoranti kishte pasur një bum klientësh në Ditën e Pavarësisë së Amerikës. I ndodhur nën presion, Cardini improvizoi duke shpikur një pjatë duke përdorur sallatë jeshile, të verdhën e vezës dhe djathin e parmixhan, duke i shndërruar këto përbërës në një vakt çuditërisht të shijshëm.

Gjatë gjithë viteve 1930, një sërë yjesh amerikanë shkonin në Tijuana për të blerë alkool dhe cigare, duke përhapur shpejt fjalën për sallatën e shpikur nga Çezari në mesin e elitës së Hollivudit. Clark Gable dhe Jean Harlow udhëtuan për në Tijuana për të provuar gjethet e të freskëta të sallatës jeshile me një shumëllojshmëri salcash.

Në fakt, sallata u përhap shpejt nga Meksika dhe SHBA-ja anembanë globit. Në vitet 1940, “Gourmet Magazine” e quajti ketë recetë si shpikjen më të madhe në 50 vitet e fundit.

Cardini u zhvendos nga Tijuana në Los Anxhelos në vitin 1948, ku edhe hapi një restorant të njohur. Por pavarësisht lëvizjes në SHBA, restoranti që frymëzoi Cardinin për shpikjen e kësaj sallate dhe rrënjët e saj mbesin në Tijuanë.

Edhe pse ishte mjaft joshës për yjet dhe gangsterët e Hollivudit, qyteti u zhyt në një valë dhjetëvjeçare krimi dhe dhune. Në vitin 2009, restoranti i sallatës Çezar nuk ishte më në pronësi të Cardinit dhe u mbyll. Por në vitin 2010, një familje meksikane e rihapi atë pas një rinovimi të tërësishëm.

"Sallata Çezar është një ikonë e qytetit", thotë Javier Plascencia, një kuzhinier nga Tijuana, familja e të cilit tani drejton tanimë restorantin. "Është një nga pak pjesët e historisë kulturore që kemi."

Restoranti e shërben sallatën në një mënyrë mjaft origjinale. Kamarieri fillimisht hedh një lugë të vogël hudhrash të grira në një tas të madh prej druri dhe pastaj shton sallatën jeshile, copëza filetosh dhe salcën e famshme Worcestershire. Më pas ai çan një vezë dhe dhe hedh të verdhen e saj në sallatë. Pastaj ai hedh lëng limoni, dhe me zell përzien çdo gjë që ndodhet në tasin e drurit. Në fund ai hedh vaj ulliri dhe djathë parmesian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë