Fillimisht banorët e më vonë edhe forcat e policisë dhe grupet e emergjencës e humbën betejën me kohën për të nxjerrë një 8-vjeçare dhe mamanë e saj të gjallë nga rrënojat e një pallati të shembur në Lagjen Nr.18 të qytetit të Durrësit.
Trupi i pajetë i së miturës është nxjerrë rreth orës 16:00, ndërkohë që e ëma e saj, 30-vjecarja Diena Mecja u nxorr e gjallë rreth orës 18:00 nga forcat RENEA. Ajo u shoqërua menjëherë për ndihmë mjekësore në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë dy orë më vonë.
Beteja me kohën nisi pak minuta pas rënies së tërmetit me fuqi 6.4 Rihter. Por, për orë më radhë as qytetarët dhe as grupet e emergjencës nuk kishin me vete pajisje termike për të identifikuar pozicionin e personave nën rrënoja dhe as qen për të nuhatur personat që kërkonin ndihmë.
Pas mesditës në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e ushtrisë me pajisje termike si dhe qen nuhatës. Nga ky moment nuk u desh shumë që të identifikohej pozicioni i 35-vjeçares Diena Meçja, së bashku me vajzën e saj. Fatkeqësisht, grupet e shpëtimit kanë nxjerrë të pajetë vogëlushen, ndërkohë që 35-vjeçarja është ende nën rrënoja dhe grupet e shpëtimit po vazhdojnë punën për nxjerrjen e saj.
Diena ishte larguar nga shtëpia e saj pas lëkundjes së tërmetit që ra rreth orës 3:00 të natës dhe ishte vendosur tek shtëpia e babait të saj, Ajetit. Por, këtu tërmeti i dytë ka qenë fatal. Godina është shembur plotësisht. Vetë Ajet Meçja ka dalë nga rrënojat me plagë të lehta rreth 10 minuta pas rënies së tërmetit.

Ndërkohë, vajza dhe mbesa e tij kanë mbetur pas të bllokuara nga rënia e një dere të blinduar. Ajeti ka kërkuar menjëherë ndihmë tek qytetarët e tjerë dhe më pas tek policia dhe grupet e emergjencës.
Ashtu si në këtë zonë, në garë me kohën grupet e emergjencës janë edhe në zonat e tjera të qytetit të Durrësit, zonën e ish-Kënetës, zonën e Plazhit dhe në Thumanë, ku raportohen ende persona që ndodhen nën rrënoja.
Rënia e natës vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit, por shpresa për të nxjerrë gjallë ende persona të bllokuar nga tërmeti i fuqishëm mbeten ende të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.