Një i ri është arritur të shpëtohet pas një pune të pandërprerë për asnjë sekondë, diku rreth orës 14.32, mbi 10 orë pasi ishte bllokuar në rrënojat e vilës së tij, në zonën e ish-Kënetës, në Durrës. Të gjithë ata që merrnin pjesë në aksion, por edhe të njohur dhe të afërm të tij, më në fund kanë marrë frymë lirisht …
Një prej tragjedive më të mëdha të tërmetit 6.4 Rihter që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte me gjasë u konsumua në zonën e ish-Kënetës. Skena ishte një vilë trekatëshe e ndërtuar në këtë zonë, ku dyshimet ishin se zuri brenda 8 pjesëtarë të një familjeje.
Goditja e fortë e tërmetit e anoi ndërtesën, por nuk e rrëzoi plotësisht atë. Kjo pengoi grupet e shpëtimit dhe të zjarrfikësve që mbërritën me vonesë në këtë zonë edhe për shkak të rrugëve të ngushta.
Deri rreth orës 9:30 minuta grupet e emergjencës nuk ishin në gjendje që të përcaktonin nëse në banesën gjysmë të shembur kishte të mbijetuar apo jo. E vetmja e dhënë që ata siguruan ishte nga të afërmit dhe fqinjët e tjerë që thanë se para lëkundjes së tokës në shtëpi kanë qenë të paktën 7 persona.

Kjo u konfirmua rreth orës 10:00, kur zëri i një djali të ri, që mendohet rreth 17 vjeç kërkoi ndihmë nga brenda banesës gjysmë të shembur. Gjatë komunikimit me të, grupet e emergjencës konfirmuan se në ndërtesë në momentin e tërmetit ndodheshin 7 persona. Por, i riu nuk ishte në gjendje të dallonte asnjërin prej tyre afër vetes.

Ai konfirmoi vetëm që në momentin që pjesë të strukturës i kanë zënë poshtë ndodheshin në katin e dytë të vilës, në përpjekje për të dalë jashtë së bashku me një të moshuar, një të paralizuar dhe katër fëmijë të mitur bashkë me nënën e tyre.
Grupet e emergjencës arritën që t’i fusnin ujë të riut përmes një tubi plastik dhe pasi vlerësuan situatën e godinës sërish nuk ndërhynë për shkak të rrezikshmërisë së lartë që shtëpia të shembej nga momenti në moment.
Fatkeqësisht kështu ndodhi! Shtëpia u shemb plotësisht rreth orës 10:30 minuta dhe që pas këtij momenti askush nuk ishte më në gjendje që të dëgjonte më zërin e të riut, duke shkaktuar ankth dhe frikë për më të keqen. Por fatmirësisht pas rreth 30 minuta ankthi zëri i djalit u dëgjua sërisht!! Ishte një zë shprese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.