Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani po negociojnë mënyrën e rihapjes së përhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e rrjedhës normale të naftës nga Lindja e Mesme, lëvizja e ardhshme e tregut mund të varet nga një vend që nuk është pjesë e bisedimeve: Kina.
Si konsumatori i dytë më i madh i naftës në botë, Kina ka ndërmarrë masa të shumta për të mbrojtur furnizimet e saj energjetike, pasi lufta në Iran ka ndërprerë qasjen në më shumë se 11 milionë fuçi naftë në ditë.
Duke ulur importet, duke shfrytëzuar rezervat e mëdha strategjike dhe duke rritur përdorimin e energjisë së pastër, Pekini ka arritur të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve në tregun e brendshëm.
Këto masa kanë ndikuar ndjeshëm edhe në tregun global.
Pas më shumë se tre muajsh konflikti, disa analistë parashikuan se çmimi i naftës mund të arrinte deri në 200 dollarë për fuçi gjatë këtij viti. Megjithatë, edhe pse humbjet e furnizimit kanë kaluar 1 miliard fuçi naftë, çmimet kanë mbetur relativisht të përmbajtura. Shumë ekspertë e shohin Kinën si faktor kyç në këtë zhvillim.
“Kina ka luajtur një rol vendimtar në amortizimin e krizës për pjesën tjetër të Azisë dhe, rrjedhimisht, për ekonominë globale,” tha Daan Walter, ekspert në institutin energjetik Ember.
Të hënën, nafta Brent, standardi global i tregut, ra nën 78 dollarë për fuçi, mes pritshmërive se Ngushtica e Hormuzit – rrugë nga e cila kalon rreth një e pesta e naftës botërore – mund të rikthehet së shpejti në funksionim normal.
Për krahasim, para sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Brent tregtohej nën 70 dollarë për fuçi, ndërsa në fillim të majit arriti në 114 dollarë, niveli më i lartë në katër vitet e fundit.
“Dora e padukshme” e Kinës
Sipas një analize të bankës Societe Generale, embargoja arabe e vitit 1973, e cila uli furnizimin global me 7%, shkaktoi një rritje prej 134% të çmimit të naftës. Ndryshe nga ajo periudhë, lufta në Iran ka prekur rreth 14% të furnizimit botëror, por pa sjellë një shpërthim të ngjashëm të çmimeve.
Analistët ia atribuojnë këtë paradoks kryesisht Kinës, të cilën e quajnë “dora e padukshme” që po ribalancon tregun. Pekini ka arritur të ulë importet me rreth 3 milionë fuçi në ditë, një sasi pothuajse e barabartë me kërkesën totale të Japonisë për naftë.
Kjo është bërë e mundur falë rezervave të mëdha që Kina krijoi para konfliktit, duke përfituar nga nafta me çmime të ulëta nga Rusia dhe Irani. Aktualisht, vendi disponon mbi 1 miliard fuçi në rezervat komerciale dhe strategjike, të cilat ka nisur t’i përdorë që nga muaji maj.
“Kina më parë vendoste një dysheme për çmimet duke blerë vazhdimisht naftë. Këtë vit, kjo tendencë është përmbysur,” tha Janiv Shah nga kompania Rystad Energy.
Qeveria kineze ka kufizuar gjithashtu eksportet e produkteve të rafinuara si nafta diesel dhe benzina për të garantuar furnizimin e brendshëm. Kjo ka ulur interesin e rafinerive kineze për të blerë naftë të re në tregjet ndërkombëtare.
Revolucioni i automjeteve elektrike
Një tjetër faktor vendimtar është zgjerimi i shpejtë i automjeteve elektrike në Kinë. Aktualisht, një në çdo dy makina të reja të shitura në vend është automjet elektrik ose me energji të re.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, flota kineze e automjeteve elektrike uli konsumin e naftës me rreth 1 milion fuçi në ditë vetëm gjatë vitit të kaluar.
“Kjo ka qenë një valvul shkarkimi jashtëzakonisht e rëndësishme për tregun global të naftës,” tha David Fishman, ekspert i sektorit energjetik në Lantau Group.

Megjithatë, ai paralajmëron se përdorimi i rezervave nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Nëse çmimet bien sërish, Kina ka të ngjarë të rifillojë mbushjen e depozitave strategjike.
Nga mungesa e furnizimit në tepricë?
Ndërkohë që për muaj të tërë tregjet i druheshin mungesës së naftës, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tani paralajmëron për një skenar krejt të kundërt: tepricë furnizimi në vitin e ardhshëm.
Në raportin e saj mujor, agjencia parashikon që prodhimi global do të tejkalojë kërkesën me rreth 4.7 milionë fuçi në ditë, pasi prodhimi në Lindjen e Mesme të rikthehet në nivelet normale.
Sipas raportit, kjo situatë mund t’u japë vendeve mundësinë të rimbushin rezervat e tyre strategjike dhe të rishikojnë politikat energjetike pas krizës.

Njëkohësisht, paqëndrueshmëria e tregut po shton interesin për energjinë e rinovueshme. Kina, lider botëror në prodhimin e automjeteve elektrike, baterive dhe paneleve diellore, regjistroi eksporte rekord të teknologjive të pastra energjetike menjëherë pas fillimit të luftës në Iran.
“Ky përshpejtim drejt elektrifikimit po fiton vrull,” tha analisti Cosimo Ries. “Pavarësisht se si do të përfundojnë negociatat SHBA-Iran, kjo mund të jetë një pikë kthese e rëndësishme për dekarbonizimin global.”
Analistët besojnë se nëse Hormuzi rihapet shpejt, rreth 100 milionë fuçi naftë të bllokuara mund të rikthehen menjëherë në treg. Edhe Irani pritet të rrisë prodhimin e tij, veçanërisht nëse hiqen sanksionet amerikane.
Megjithatë, pyetja kryesore mbetet e njëjtë: a do të jetë Kina e gatshme të blejë më shumë naftë?
“Vetëm dy muaj më parë situata dukej krejt ndryshe,” tha analistja Muyu Xu. “Sot, vendi që ka aftësinë të përthithë tepricën e furnizimit është Kina. Por pyetja është: çfarë dëshiron të blejë Kina?”/ CNN
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje