Dosje

Dyshohet si mburojë e grupeve kriminale në trafikun e drogës, lidhjet dhe roli i Altin Morinës

Gazeta Si – I arrestuar një ditë më parë nga kolegët e tij, efektivi i RENEA-s Altin Morina, dyshohet se i përfshirë në aktivitete kriminale, të ngjashme me personazhet më të egër e botës së krimit.

Burime për “Vizion Plus”, shprehen se Altin Morina, pak para se t’i hiedhsin prangat, ka qenë në mjetin e tij me një punonjës të lartë të një agjencie ligjzbatuese në vend, me të cilin janë ndarë te Kodra e Diellit.

Paratë e gjetura në mjetin e tij, 113 mijë euro dhe shuma të tjera në paund dhe lekë, i përkisnin vetë Morinës, por që tregojnë majën e ajsbergut të aktiviteteve të tij kriminale.

Altin Morina dyshohet se kishte njohje dhe lidhje me grupin e Ervis Martinajt. Madje para pak ditësh ai është takuar me një njëri të afërm të Martinajt. Efektivi i RENEA-s e mbronte këtë të fundit për ndonjë atentat të mundshëm.

Të njëjtat burime, i konfirmuan “Vizion Plus” se Morina dyshohet të jetë i përfshirë në trafikun e heroinës dhe kokainës kryesisht në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.

Roli i tij ishte të mbronte pikërisht trafikantët e drogave të forta. Madje ditën e djeshme, ai ka qenë në Elbasan, ku dyshohet se ka dorëzuar një shumë parash.

Dyshohet gjithashtu se Morina kishte lidhje edhe me Kreshnik Halilajn, i arrestuar në korrik 2021 për arsenal armësh dhe kokainë.

Ishte efektivi i RENEA-s ai që e ndihmoi Halilajn që të shpëtonte nga burgu. Morina fshehu provat, konkretisht 250 gram kokainë që u gjetën në banesën e Halilajt, efektivi e raportoi si miell.

Altin Morina e nisi karrierën në polici në vitin 2006 në Komisariatin nr 3 në sektorin e krimeve.

Në 2010 ka kaluar te Kontrolli i Brendshëm dhe më pas tek RENEA. Në vitin 2015, ka qenë edhe tek FNSH-ja. Po këtë vit, punonte si bodiguard në një lokal nate.

Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi u përfshi në një konflikt, por me vendim gjykate ai u rikthye në polici.

Morina ka punuar edhe në drejtorinë e Antiterrorit në vitin 2019, ndërsa në 2021-in ka qenë shef komisariati në Mallakastër. Së fundmi, në vitin 2022 kaloi si shef stërvitje në repartin e forcave speciale, RENEA. /Vizion Plus/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë