Drejtësia

Polici i RENEA-s mbetet në burg: Paratë i mora borxh nga një biznesmen pak para arrestimit

Gazeta Si - Polici i RENEA-s Altin Morina, u la në masën “arrest në burg” pa afat nga Gjykata e Tiranës, pasi u arrestua pak ditë më parë te “Kodra e Diellit” me sasi prej 113 mijë eurosh në një automjet luksoz.

Gjatë seancës gjyqësore, Morina ka pretenduar se paratë që iu gjetën në makinë i ka të justifikuara dhe sipas tij i përkasin një biznesmeni, të cilit ia kishte marrë borxh, për të cilat do të paraqitet dokumentacion.

Morina në seancë ka treguar edhe emrin e biznesmenit, që sipas tij i ka marrë paratë për problemet e tij personale. Bëhet fjalë për një biznesmen ndërtimi.

"Lekët i kam marrë 20 minuta para tek një biznesmen dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj, i kam për arsye familjare. Nuk vijnë si produkt i veprimtarisë kriminale”, është shprehur ai.

Nga tre akuzat që ishin fillimisht në ngarkim të tij, ajo e shpërdorimit të detyrës ka rënë dhe akuzohet vetëm për "pastrim të produkteve të veprës penale" ose "veprimtarisë kriminale dhe fshehje të të ardhurave".

Bashkë me sasinë prej më shumë se 100 mijë eurove, Moronës iu gjetën edhe 4 aparate celular në makinë, të cilët u sekuestruan.

Por pavarësisht qëndrimit të tij mbi origjinën e parave, policia po kryen verifikime për transaksionet bankare të Morinës dhe familjarëve të tij.

43-vjeçari ka qenë i arrestuar dhe në 3 janar 2015 në zonën e "Kodrës së Diellit", atëherë efektiv i FNSH, teksa shërbente gjatë turnit të tretë si truprojë në një lokal nate, ku së bashku me disa kolegë të tij kishin dhunuar një klient dhe kishin kundërshtuar policinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë