Kosova

Petkoviç: Kosova më ndaloi vizitën e planifikuar për fundjavë. Po shkel Marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Nga Gazeta 'Si'-Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se autoritetet në Kosovë i kanë refuzuar kërkesën që të zhvillojë një vizitë për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

Sipas një njoftimi të kësaj zyreje, Petkoviç gjatë kësaj vizite ishte parashikuar të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviçin që të vizitojë serbët në Kosovë.

“Këto ndalime të vizitave jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ende nuk është përgjigjur në pyetjen dërguar nga Radio Evropa e Lirë për të konfirmuar ose për të hedhur poshtë njoftimin e palës serbe.

Në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviç për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë