Rend dhe Ligj

Durrës, ndalohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre oficeri i policisë

Gazeta Si - Një oficer policie, N/komisar në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, është arrestuar në flagrancë, i dyshuar për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas AMP, shtetasi Ardit Xhafa, 31 vjeç duke keqpërdorur detyrën ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.

“Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive të oficerit A.XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës e duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare”, thuhet në një njoftim të AMP.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përshëndetur ndalimin e oficerit të policisë në Durrës. Përmes një mesqzhi në rrjetet sociale, ai shkruan.

“Sapo kemi dërguar para drejtësisë një tjetër oficer policie me gradën N/Komisar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, të përfshirë në korrupsion dhe minim të luftës së policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Durrës.

Shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit: Përgëzime dhe vetëm përpara!”, - shkruan Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë