Rend dhe Ligj

Drogë dhe pastrim parash / Europol godet grupin kriminal, mes të arrestuarve edhe shqiptarë

Gazeta Si - Europoli, me ndihmën e autoriteteve italiane dhe spanjolle, kanë shkatërruar një bandë kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Nga operacioni janë arrestuar 33 persona të dyshuar, ku mes shtetasve italianë, kolumbianë, marokenë dhe sirianë, janë edhe disa shqiptarë.

Gjatë operacionit policor, u sekuestruan 18.5 mln euro asete. Struktura kriminale përdorte kompani në vende të tilla si Kina, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky rrjet kompleks kompanish, lejonte që krimi i organizuar të maskonte burimin, vendndodhjen, pronësinë, kontrollin, origjinën dhe destinacionin e fondeve të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe të shmangte zbulimin e tyre.

Për të pastruar paratë e përfituara nga droga, banda përdorte një shërbim të posaçëm që quhet “Black Market Pesos Exchange”, ku rreziku i humbjes së parave është i vogël.

Fitimet nga shitjet e  lëndës narkotike në Evropë merreshin nga agjentë online dhe transferoheshin në kompani elektronike, të cilat nga ana e tyre porosisnin më pas mallra specifike.

Ato dërgoheshin në Shtetet e Bashkuara më pas në Kolumbi, ku dhe shiteshin. Ky hap i fundit u mundësonte karteleve të Amerikës së Jugut të merrnin para në dorë si një pagesë për drogën që kishin ofruar në tregjet evropiane. Europol ishte në ndjekje të bandës kriminale që prej vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë