Biznes

Dritëhijet e vdekjes së Sergio Marchionne, italianit që bashkoi “Fiat” dhe “Chrysler”

Vdekja në moshën 66-vjeçare e Sergio Marchionne, biznesmenit të njohur italian që la gjurmë të mëdha në industrinë e automobilëve, duket se ka shkaktuar kaos brenda perandorisë “Fiat Chrysler”. Vdekja e tij shënon fundin e një epoke të artë për korporatën, gjatë të cilës ai ishte një ndër drejtuesit më të mëdhenj të gjigantit automobilistik, duke sfiduar rivalët e brendshëm për një sërë strategjish kyçe. Por pak prej tyre e dinin se ai ishte i sëmurë rëndë prej më shumë se një viti, pasi Marichione kishte zgjedhur të fshihte problemet shëndetësore nga aksionerët e tjerë të korporatës. “Exor SpA”, kompania që kontrollon “Fiat Chrysler”, njoftoi të mërkurën vdekjen e zotit Marchionne, duke theksuar së nuk ishte në dijeni të gjendjes së tij shendetësore dhe faktit se kohët e fundit biznesmeni i ndjerë kishte bërë një ndërhyrje në shpatullën e djathtë. Përfaquesi i saj deklaroi një ditë pas vdekjes së tij se nuk kishte njohuri për problemet shëndetësore të ish-shefit ekzekutiv të kompanisë.

"Të premten, më 20 korrik kompania u njoftua nga famija Marchionne për përkeqësimin serioz të gjendjes shëndetësore të zotit Marchionne, duke na komunikuar se nuk do të ishte në gjendje të kthehej në punë," njoftoi në një deklaratë për shtyp, “Fiat Chrysler”.

Vdekja e papritur e Marchionne dhe mungesa e informatave të lëshuara nga “Fiat Chrysler” kanë nxitur një sërë spekulimesh mediatike, pasi lajmi se Marchionne kishte qenë i sëmurë rëndë, i bëri të gjithë të pyesin veten se si mund ta mbante të fshehtë një fakt të tillë, ndërkohë që kalonte pjesën më të madhe të ditës në kompani? Ai vazhdoi të drejtonte, duke punuar me një orar të pandërprerë, përgjatë gjithë vitit të kaluar dhe mbikqyri hartimin e një plani të ri pesëvjeçar për zgjerimin e “Fiat Chrysler, të cilin e paraqiti zyrtarisht më një qershor.

Sergio Marchionne 

Raportet mediatike

Spitali ku ai ishte trajtuar tha të enjten se kishte thyer protokollin dhe nuk kishte dhënë informacione mbi sëmundjen nga e cila vuante Marchionne për të mos shpërndarë "thashetheme në media".

"Për shkak të sëmundjes së rëndë, ai ka marrë trajtim mjekësor për më shumë se një vit- thanë zëdhënësit e spitalit në një deklaratë- Edhe pse përdorëm të gjitha opsionet e ofruara nga mjekësia e gjeneratës së fundit, Marchionne nuk ia doli.

Edhe pse kompania tha se nuk ishte në dijeni të këtyre problemeve, disa burime të afërta pranë bordit drejtuesit kanë thënë në fakt ata ishin informuar prej kohësh. Në të njëjtën ditë kur “Fiat Chrysler” deklaroi se nuk dinte asgjë për gjendjen e Marchionne, ajo mohoi  edhe raportet se menaxherët e lartë po përgatiteshin të takoheshin për të zgjedhur një pasardhës. Në fakt, bordi u takua ditën tjetër, për të emëruar Michael Manley si CEO-n e ri.

Aksionerët apo  privatësia?

“Kur lideri i lartë i një korporate përballet me probleme shëndetësore, ato nuk janë gjithmonë një çështje private. Një drejtor i sëmurë rëndë paraqet një shqetësim të madh edhe për bordin drejtues - tha Doug Chia, drejtor ekzekutiv i një instituti biznesi në SHBA- Sinqerisht është një situatë e ndërlikuar, sepse nga njëra anë qendron e drejta e privatësisë, por nga ana tjetër investitorët kanë të drejtë të informohen kur e ardhmja e një lideri është në rrezik.”

Marchionne u zëvendësua gjithashtu si drejtor i Ferrarit dhe kryetar i “CNH Industrial NV”. “Exor NV”, kompania e familjes Agnelli, e cila kontrollon tre kompanitë, konfirmoi vdekjen e tij, duke thënë se do të jetë përgjithmonë mirënjohës për punën e tij të palodhur.  Para javës së kaluar, raporti i vetëm rreth gjendjes shëndetësore të Marchionne ishte ai i një uebsajti italian, i cili njoftonte se biznesmeni i njohur ishte shtruar në spital . Ai ishte parë për herë të fundit në publik më 26 qershor, në një konferencë në Romë. Ndërkohë raportet e publikuara nga mediat italiane gjatë kësaj javë sugjeruan se Marchionne vuante nga kanceri. Por familjarët e biznesmenit të ndjerë thanë për “Bloomberg News” se kjo nuk ishte e vërtetë, duke mos dhënë më shumë detaje rreth gjendjes së tij. Të tjera burime sugjeruan se Marichionne mund të kishte ndërruar jëtë për shkak të një ataku kardiak.

Sergio Marchionne

Kush ishte Sergio Marichionne?

Ai lindi më 17 qershor të vitit 1952 në Chieti afër bregut Adriatik, por u zhvendos me prindërit e tij në zonën e Torontos në vitin 1966. Marichionne studioi për juridik në Kanada, ku më vonë punoi për “Deloitte & Touche”. Në vitet 1980, ai u kthye sërish në Europë, duke mbajtur një sërë postesh gjithnjë e më të larta në disa kompani industriale zviceriane. Marichionne u bashkua me bordin e Fiatit në 2003 si “kreu i Grupit SGS”. Ndërkohë vitin e ardhshëm ai u zgjodh si drejtusi ekzekutiv i gjigantit mobilistik.

Gjatë krizës financiare të vitit 2008, pronari i atëhershëm i “Chrysler LLC”, “Cerberus Capital Management”, ishte i gatshëm të shiste kompaninë dhe Marchionne u bë gati për marrëveshjen që do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë karrierën e tij.  Pas marrjes se 8 miliardë dollarëve kredi nga qeveritë amerikane dhe kanadeze, Fiat mori kontrollin e Chrysler, e cila ishte në prag falimentimi dhe krijoi një nga kompanitë më të fuqishme automobilistike.

Presidenti ameriksn Donald Trump dhe Sergio Marchionne

I përshkruar nga të gjithë miqtë e tij si “qen pune”, Marchionne mbante gjithnjë më shumë se pesë telefona me vete. Ai vishej gjithnjë me një bluzë të zezë dhe xhinse, madje edhe kur vizitonte personalitetet dhe udhëheqësit si Presidenti Donald Trump.  Marchionne mbante rreth 30 bluza dhe xhinse në secilën prej shtëpive të tij në Miçigan, Torino dhe Zvicër, duke udhëtuar gjithnjë me bagazh modest.  Ai gjithashtu ishte i njohur për konsumimin pa karar të kafesë dhe cigareve. Të tjerë thonë se Marchionne parapëlqente të luante poker gjatë fluturimve trans-atlantike dhe nuk kishte frikë të rrezikonte, pavarëisht letrave të dobëta që mbante në dorë. Sipas miqve të tij, kjo ka qenë strategjia që ka përcaktuar suksesin e tij si në lojë ashtu edhe në biznes.

 Gjatë dy viteve të fundit, kur kapitali i “Fiat Chrysler” u rrit ndjeshëm, Marchionne filloi të tregonte se ishte i përgatitur që kompania t’ia dilte e vetme.  Çmimi i aksioneve të “Fiat Chrysler” pothuajse ishte katërfishuar gjatë katër viteve të fundit të mandatit të tij, duke bërë që Marichione të merrte lëvdata të mëdha nga analistët e “Wall Street”, një grup që dikur e konsideroi përpjekjen e tij për të ringjallur Fiat dhe Chrysler si të pashpresë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë