Ana e errët

Dritëhijet e “Fondit Besa”, institucioni që shpërfilli krizën financiare

Në faqen zyrtare të internetit, Fondi Besa e përshkruan veten si institucion financiar jobankar lider në fushën e mikrokredisë me shtrirje në të gjithë Shqipërinë, me mbi 32 mijë klientë në total dhe një portofol kredie prej 11.44 miliardë lekësh për 2018.

Shifrat sugjerojnë se ky institucion është i konsoliduar në tregun mikrofinanciar shqiptar. Por, si mbërriti deri këtu? Rrënjet e këtij fondi janë që prej vitit 1992, si një projekt i Bankës Botërore për të nxitur kulturën e sipërmarrjes në ekonominë shqiptare, që sapo kishte dalë nga sistemi komunist në atë kapitalist. Nisma e BB themeloi Fondin e Zhvillimit Shqiptar, ku barra më e madhe e të ardhurave të këtij fondi i lihej Qeverisë shqiptare.

Brenda këtij Fondi funksiononte Departamenti i Mikrokredisë Urbane, që shërbente për ofrimin e kreditimit për sipërmarrësit e rinj që të ngrinin, ose zgjeronin biznesin e tyre. Për shkak të vështirësive të kohës në mbledhjen e kredive në zonat rurale, kreditimi ishte kufizuar vetëm në qytetet e mëdha të vendit.

Në prill të vitit 1999, me anë të V.K.M-së 207, Qeveria shqiptare vendos shndërrimin e këtij departamenti në një fondacion joqeveritar, jopolitik dhe mbi të gjithë jofitimprurës me emrin “Besa”. Themelues i këtij fondacioni ishte Fondacioni Soros dhe Qeveria shqiptare. Fondacioni Soros kontribuoi me 1 mln dollarë në kapitalin themelues, ndërsa sot klasifikohet në listën e partnerëve të Fondit.

Statusi si fondacion jofitimprurës nuk e pengoi “Besën” që të vazhdonte dhënien e kredive me norma të majme interesi, që në atë kohë shkonin nga 11 deri në 16 për qind, por përkundrazi e ndihmoi që t’u shmangej detyrimeve tatimore të asaj kohe. Ndërkohë, normat e larta të interesit nuk ishin pengesë që fondacioni të zgjerohej dita-ditës, në një terren ku thuajse mungonte sistemi bankar dhe ku klientët prireshin më fort tek kreditë e vogla, pa burokracitë e një banke.

Në 2008, Fondacioni ndryshon status. Nga një OJF transformohet në shoqëri aksionare me emrin “Fondi Besa” dhe licencohet nga Banka e Shqipërisë si institucion financiar jobankar. Një vit më vonë ndodh transferimi i aseteve të Fondit Besa tashmë tek shoqëria e re aksionare që kishte lindur.

Bajram Muçaj, drejtori ekzekutiv i "Fondit Besa". Gazeta Si, 23 gusht 2019

Fondi ka pasur historikisht si administrator Bajram Muçajn, ndërkohë që aktualisht ka rreth 50 aksionerë. Pjesa më e madhe e tyre kanë më pak se 1 për qind të aksioneve. Kryeaksioneri është Fondacioni “Albanian Besa Capital” me 65 për qind të aksioneve. Faqja zyrtare e internetit (www.abcfoundation.info) nuk funksionon, ndërkohë që postimin e fundit në rrjetet sociale e ka që në vitin 2015. Në përshkrimin që bëhet në këto profile të këtij fondacioni thuhet se “fondacioni është një organizatë jofitimprurëse, pa anëtarësi, i pavarur, joqeveritar, jopolitik, i themeluar me dëshirën e mirë nga themeluesit e tij, që nuk kanë asnjë qëllim përfitimi dhe se fondacioni është i hapur për të gjithë personat që duan të arrijnë objektivat e tyre, për t’u përmirësuar në biznes, mikrofinancë dhe të tjera fusha të sipërmarrjes”.

Përgjatë gjithë historisë së veprimtarisë së tij, fillimisht fondacioni dhe më pas fondi “Besa” janë vlerësuar me çmime të ndryshme performance, nga institucionet vendase dhe të huaja. Në 2007, një vit para se të transformohej në shoqëri aksionare, Fondacioni “Besa” renditet i 43-ti në listën e 50 fondacioneve mikrofinanciare me performancën më të mirë nga revista “Forbes”.

“Besa” në shifra

Klientët më të mëdhenj të Fondit Besa, sipas shifrave që vetë fondacioni publikon në faqen e vet zyrtare janë investitorë në fushën e shërbimeve, ndjekur nga sektori i tregtisë dhe më radhë bujqësia, kredia konsumatore dhe sektorë të tjerë.

Shifrat e bëjnë këtë institucion mikrofinanciar një institucion teorikisht të qëndrueshëm në tregun e kredidhënies, por edhe të besueshëm nga bankat, të cilave herë pas herë u drejtohet për të marrë vetë si fond kredi, që më pas i shpërndan në kredi më të vogla me norma interesi më të larta.

Kredinë e fundit e njofton në mars të këtij viti, ku ka marrë 10 milionë euro nga Banka e Detit të Zi për një afat trevjeçar. Huaja është e treta që Fondi Besa ka marrë prej kësaj banke, pas dy kredive të marra në 2014 dhe 2016, duke e çuar në total shifrën në 21 milionë euro.

“Huaja trevjeçare do të kontribuojë në zhvillimin institucional të Fondit BESA duke rezultuar në rritjen e mëtejshme të biznesit dhe përmirësimin e likuiditetit dhe shërbimin e klientëve. Nga ana tjetër, kjo do të promovojë krijimin e vendeve të punës dhe gjenerimin e të ardhurave me një ndikim pozitiv në zbutjen e varfërisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën zyrtare të Fondit.

Fondi thotë se ka dhënë rreth 208 mijë kredi në të gjithë historikun e vet, për një shumë totale prej rreth 72 miliardë lekësh. Nga pasqyra e shifrave financiare nënkuptohet një institucion financiar më tepër se i suksesshëm, me një “performancë” më shumë se të shkëlqyer edhe në kulmin e krizës ekonomike e financiare globale, ku bankat dhe simotrat e “Besës” shtrënguan portofolin dhe përforcuan kriteret e dhënies së kredive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë