Interviste

Drejtori i Përgjithshëm i OTP Bank: Ringritja e ekonomisë vendase është domosdoshmëri

Në një intervistë, enkas për gazeta “Si”,  z. Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank tregon ambiciet e bankës që ai drejton, veçanërisht duke përparuar drejt  digjitalizimit dhe bankingut online. Ai i përgjigjet pyetjeve që lidhen me parashikimet për ekonominë dhe çfarë duhet bërë për të kapërcyer kostot e pandemisë së shkaktuar  nga COVID-19.

OTP është një bankë relativisht e re në tregun vendas. Megjithëse e gjetët mjedisin ekonomik në Shqipëri në vështirësi për shkak të tërmetit dhe pandemisë së COVID-19, duke i përjashtuar këta faktorë, sa nxitës apo frenues është tregu financiar bankar në Shqipëri.?

Banka OTP është e re si markë në fakt, por me blerjen e aksioneve të plota në 2019, OTP Bank trashëgoi një sipërmarrje mjaft të konsoliduar, solide dhe në pozita shumë të mira si për pjesën e tregut ashtu edhe në indikatorë tërësorë të performancës financiare dhe tregtare.

E vërtetë është që në fund të vitit të hyrjes së OTP Bank në Shqipëri, ndodhi tragjedia e tërmetit dhe në pak muaj nisi edhe gjendja e ‘Fatkeqësisë natyrore’ prej pandemisë. Sado t’i përjashtojmë këta faktorë, aktiviteti bankar nuk mund të vlerësohet jashtë rrethanave, siç fundja edhe për çdo industri tjetër.

Po qëndrojmë tek OTP Bank dhe besoj se edhe ndjekësit e medias tuaj, nga Drejtori i Përgjithshem i OTP presin një interpretim të aktivitetit të bankës që drejtoj.

Banka OTP Albania gjatë vitit 2020 pati një rritje në të gjithë parametrat. Në rakordim të plotë me strategjinë e Grupit OTP, OTP Albania zgjodhi të jetë plotësisht në krah të biznesit, klientëve individë dhe çdo segmenti tjetër që punon me ne. Jo vetëm që nuk e ulëm ritmin, por patëm rritje të vëllimit të kredive të dhëna në të gjithë gamën e produkteve.

Sigurisht që rrethanat në të cilat ky aktivitet u gjenerua, imponuan rritjen e prudencës së bankës në kuadër të tipologjive të projekteve të pranueshme për financim. Asnjë sektor ekonomik nuk u nxor nga konsiderata e bankës për mbështetje financiare, kjo vlen për t’u theksuar. Por rritja e vigjilencës nga ana e bankës, në fund të fundit është një masë edhe për të mirën e klientëve, pa dalluar biznesin e madh, të mesëm apo të vogël, si edhe vetë individët. Ne nuk ia kemi ‘mbyllur derën’ asnjë klienti, duke i marrë në analizë projektet e tyre dhe duke i ofruar konsulencën tonë pa hezitim në çdo kohë.

Pa ju ngarkuar shumë leximin, por rendis indikatorë kyç të performancës së OTP Albania për vitin 2020 krahasuar edhe me 2019, rezultatet e të cilëve flasin vetë.

Totali i Kredive u rrit me 10.74%

Pjesa e tregut për këtë indikator u rrit me 0.64 % (pikë)

Niveli i stokut të depozitave u rrit me 9.88%

Gjatë vitit u hap degë e re dhe po punohet për dy degë të reja ndërkohë, si dhe u shtua ndjeshëm numri i ATM-ve dhe performanca e tyre në gjithë territorin me shtim të funksioneve të këtyre pikave mjaft të rëndësishme për shërbimin ndaj klientit.

Cilat janë pretendimet e OTP për pjesën e tregut që kërkon të zotërojë?

OTP Group e ka bërë të qartë që ditën e parë që hyri në Shqipëri se hynë në këtë treg për t’u rritur dhe për të vendosur një standard të ri të bankingut. Këtë mision OTP Albania e mori shumë seriozisht dhe siç rezultatet tregojnë ne jemi në rrugën e duhur për ta pozicionuar bankën tonë në majat e rankimit. Sigurisht, siç tashmë është komunikuar, OTP Bank interesin për të përthithur një bankë tjetër lokalisht e ka faktik, por rritja organike është puna jonë e përditshme dhe ne drejtohemi nga ky objektiv.

Synimi është të jemi të pakën ndër tre bankat lider në treg, si për pjesë tregu dhe mbi të gjitha për shërbimin shembullor dhe gamën e gjerë të produkteve e shërbimeve që ofrojmë. Ne njihemi si bankë partnere dhe me cilësi të lartë të shërbimit dhe transparencë absolute. I përmend këto me insistim pasi është në besimin tonë dhe në kulturën tonë të korporatës, se e vetmja mënyrë për t’u rritur progresivisht është rritja e cilësisë së shërbimit ndaj të gjithë klientëve tanë dhe atyre që na zgjedhin rishtazi.

Që të arrihen rezultatet e dëshiruara, jemi të vetëdijshëm se kjo kërkon punë cilësore dhe përqëndrim në vazhdimësi dhe e shtrirë në kohë.

Paralelisht me planet për zgjerim, OTP Albania këtë vit ka investuar ndjeshëm në teknologji dhe jemi në progres e sipër për të ri-sjellë edhe një platformë më moderne siç koha e kërkon për Online Banking. Rrjeti i ATM-ve, tashmë ofron edhe depozitimet në bankomat dhe shumë prej tyre janë me funksionin ‘touch screen’.

Jemi shumë optimistë dhe të frymëzuar për arritur krejt objektivat tanë strategjikë, gjë për të cilën bindshëm them se jemi në rrugën e duhur.

Si e gjykoni, si do të jetë ecuria e tregut financiar bankar këtë vit?

Viti 2020 ishte një test i fortë për krejt ekonominë dhe sidomos për sistemin bankar. Faktet tregojnë që kaloi me sukses ky moment.

Vlerësoj se sistemi bankar shqiptar tashmë është konsoliduar dhe është në një situatë shumë të mirë të parametrave financiarë çka do të bëjë të mundur që të vazhdojë trendin rritës të viteve të fundit pavarësisht përkeqësimeve të mundshme të portofolit të kredive dhe situatës ekonomike jo shumë pozitive. Po ashtu, mendoj që në të ardhmen e afërt sistemi bankar do të vazhdojë të jetë aktiv, të kreditojë si dhe të optimizojë më tej kostot.

Ky vit tregoi se investimi në digjitalizim dhe në bankingun online tashmë është një domosdoshmëri. Bankat kanë nisur investimet në këtë fushë, por mendoj se këto investime dhe kjo tendencë do të përforcohet në vazhdimësi. E ardhmja duhet të rrisë kulturën e bankës në distancë. Duhet që i gjithë sektori bankar të lëvizë në të njëjtin drejtim. Duhet të investohet ndjeshëm në zhvillimin e kapitalit njerëzor paralelisht me ndryshimet teknologjike. Shtimi i shërbimeve bankare pa qenë nevoja e prezencës fizike është i domosdoshëm dhe ky vit e faktoi këtë.

Po parashikimet tuaja për ekonominë deri ku shkojnë? A presim një ringritje të shpejtë apo jo?

Ringritja e ekonomisë vendase është domosdoshmëri. Edhe nëse vijojnë kufizimet si ato të brendshme dhe ato me vendet e tjera, i gjithë aparati si privat dhe publik duhet të mobilizohet dhe të ndërtojë një strategji në përputhje me rrethanat e krijuara.

Unë jam optimist që të gjithë sipërmarrësit, do e gjejnë rrugën për të dalë në sipërfaqe të të gjithë problemeve të shkaktuara dhe do bëhen krijues për të sjellë në jetë alternativa të vijimësisë së tregtisë, prodhimit dhe shërbimeve.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, ndikimi i pandemisë do ndihet ende, por në të njëjtën kohë – në rast se do mbahet nën kontroll situata pandemike – pritet një rikuperim bazë me +5% të ekonomisë shqiptare. Sigurisht ka edhe skenar pesimist, por edhe ky skenar ka rritje pozitive me të paktën +2.5%.

Edhe pse mund të tingëllojë paradoksale, industria e shërbimeve në tërësi mbetet strategjike për vendin tonë dhe vjet u pa që përtej frikës, kufizimeve etj, sërish dëshira për të shijuar çfarë ky vend ofron nuk stepi turizmin e brendshëm të jetë aktiv.

Në të njëjtën kohë edhe sektori i ndërtimit është dukshëm në rritje. Në vijim të kësaj, ne kemi vërejtur rritje të interesit për kredi për shtëpi dhe objekte tregtare, por sidomos pronat rezidenciale. Këtë interes të klientëve ne e kemi përkrahur me kreditim vazhdueshëm, sot e kësaj dite.

Ambjente pune nga brenda OTP Bank

Si e shpjegoni rritjen e kursimeve kur punësimi ka rënë dhe të ardhurat e individëve nuk janë rritur?

Sjellja prej kursimtari e të gjithë njerëzve në fakt është e vërejtur në çdo rast krize kur ato kanë ndodhur, si në Shqipëri e në botë. Pra ky vendim për të kursyer është fenomen i njohur sa herë që ndodh një krizë dhe nuk ishte habi për ekonomistët. Është reagim instiktiv si masë gatishmërie për ‘një ditë të vështirë’. Si rrjedhim, rritja e kursimeve u shoqërua siç pritet dhe me rënie të konsumit të përgjithshëm.

Shpjegimi i fenomeneve kontradiktore (në pamje të parë kontradiktore) ‘rritje kursimi’ vs. ‘rënie punësimi’ & ‘mos rritje të ardhurash’ lidhet me analizën cilësore të segmenteve të popullatës. Nuk duhet marrë e mirëqenë që kemi një standard të baraspeshuar mes shtresave ekonomike dhe sociale të popullatës. E para, jo çdo individ ka qenë dhe është në gjendje të kursejë, dhe rritja e kursimeve i atribuohet vetëm një segmenti që e ka mundësinë financiare të heqë mënjanë fonde e t’i bllokojë ato. E dyta, depozitimi lidhet edhe me kanalizimin e fondeve që mund të jenë mbajtur në shtëpi dhe në kuadër të sigurimit të fondeve, janë depozituar në Bankë. E treta, në kohë krize, tendenca është gjithsesi që të ulet prirja për shpenzime luksi dhe kjo pjesë e pakonsumuar të ruhet si fond prudence familjare. Këtu mund të përfshijmë edhe fonde të parashikuara për investime nga biznese familjare ose të profesionistëve të cilët i kanë pezulluar këto plane deri në një kohë m ë të sigurt dhe me këto fonde rezervë çelin depozita. Sipas studimit të “University of Rhode Island”, nga Barbara O’Neill dhe Jing Jian Xiao (ref. https://core.ac.uk/doënload/pdf/56694325.pdf) rreth 35-38% rritet numri i familjeve që nisin të kursejnë apo që çelin depozita, e evidentuar kjo gjatë krizës financiare të 2010-ës.

Megjithatë, ka një variabël shumë të rëndësishëm që ndikon në sjelljen konsumatore sidomos kur vjen fjala tek financat dhe rrethanat krizore: prespektiva! Kursimi dhe konsumi varen shumë nga si është projeksioni i të ardhmes. Në rastin konkret, ne presim që këtë vit të ketë ndryshime pozitive, duke marrë në konsideratë vaksimin e popullatës dhe arritjen e imunitetit të masës. Kjo sjell që planet tona të jenë të bazuara në skenarë pozitive.

Cilët sektorë janë më të rrezikuarit?

Sektori që e ndjeu i pari ka qenë turizmi: faktikisht të gjithë linjat e shërbimit turistik. Të gjithë operatorët patën impakt negativ përgjatë vitit 2020 dhe në viijm, përveç periudhës së verës ku kontributi i shqiptarëve dhe bashkëkombasve tanë ishte eminent dhe ndihmoi në kalimin e krizës.

Sektor tjetër shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare ishte prodhimi, sidomos ai fason. Eksportet ranë me norma të larta dhe vlerësohet rënie rreth 37% për gjithë vitin 2020.

Ky sektor në vlerësimin tonë, mbetet ende i ekspozuar dhe duhet mbështetje për ta, që të kompensojnë eksportet me prodhim për tregun vendas dhe për tregje të reja potenciale në botë.

Shpesh kemi konstatuar se edhe pse bankat janë të mirëfurnizuara me likuiditet kredidhënia duhej të ishte më e lartë. Çfarë e pengon që kjo të ndodhë? Janë bankat dorështrënguara apo bizneset?

Shpeshherë kur vjen fjala për normën e kreditimit në vend, sytë hidhen nga banka, kur në fakt duhet të kemi përherë parasysh që procesi i kreditimit ka 2 palë, bankën dhe palën e interesuar për kredi – klientin. Duket sikur bankat nuk kanë interes të japin kredi, kur ndërkohë modeli i biznesit të bankës është i themeluar tek kredidhënia.

Mendoj që ritmi deri diku i ulët i kredidhënies në vitet e fundit në Shqipëri dhe nën potencialin e vetë ka qenë për shkak të të dyja palëve. Nga një anë, një pjesë e bankave si rrjedhojë e rrezikut që ka paraqitur kredidhënia në të kaluarën në Shqipëri dhe problemeve që kanë ndeshur më parë, kanë qenë disi konservatore në kredidhënie. Ndërkohë dhe kërkesa sidomos nga bizneset ka qenë disi e ulët.

Unë mendoj që kredidhënia gjatë vitit të kaluar ka qenë mjaft e kënaqshme. Në tërësi kreditë në sistemin bankar janë rritur me një ritëm më të mirë sesa mesatarja e 3 viteve të fundit, dhe nëse kemi në konsideratë situatën ekonomike, kjo rritje merr dhe më shumë rëndësi.

Duke filluar që nga viti i kaluar dhe në vazhdimësi, pres që kredidhënia të rritet me ritme më të larta. Kjo pasi tashmë bankat i kanë pastruar portofolet e tyre të kredisë dhe janë në një pozitë të shëndetshme financiare. Krahas kësaj, si dhe individët dhe bizneset janë më të familjarizuar dhe pranues për kredinë.

Viti 2020 ishte një vit shumë i kënaqshëm për OTP Albania, pasi e mbyllëm me nivelin më të lartë të kredive të reja që kemi dhënë ndonjëherë dhe me një total portofoli kredish shumë premtuese për performancën tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë