Komunitet

Drejtësi me ndërmjetësim

Ndërmjetësimi nuk është spektakël televiziv dhe as ka për qëllim argëtimin e publikut. Është në fakt një nga shtyllat e Reformës në Drejtësi, që synon jo vetëm uljen e barrës së çështjeve që i drejtohen gjykatës, por edhe zgjidhjen alternative, kur është rasti dhe kur ligji e lejon.

Nga ana kulturore e antropologjike, një ndërmjetës të ndërmend disi pajtuesin e gjaqeve në ligjet dokesore apo kanun, ndonëse është i licencuar dhe vepron vetëm përmes ligjit.

Një institucion relativisht i ri, i themeluar prej 2011-s dhe i rishikuar më 2018-n, dy vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësuesve premton zgjidhje të shpejta e me pak kosto dhe ç’është më e lakmuara ndoshta, jashtë dyerve të gjykatave përpara të cilave palët mund ta gjejnë veten me vite.

“Ndërmjetësimi është në fakt restaurim. Kështu e shoh unë”, thotë për Gazeta Si, Drita Avdyli, kryetare e Dhomës së Ndërmjetësuesve.Nëse një vendim gjyqësor, për cilëndo sferë të ligjit qoftë penale apo civile, nuk do të arrinte dot të kënaqte të dyja palët, Avdyli ngulmon se ndërmjetësimi e bën.

Ndërmjetësimi, rrëfen ajo, ka arritur edhe të zgjidhë konfliktin mes dy familjeve ku në mes tyre ka pasur një vrasje. “Ka qenë madje familja e viktimës që e ka kërkuar një proces të tillë, pasi bashkëjetesa ka qenë e pamundur”.

Shpesh, rrëfen Avdyli, vrasjet kryhen  brenda familjes, mes fqinjëve apo të afërmve, ku vendosja e ekuilibrave të më pastajmë bëhet e vështirë, në mos e pamundur. Kjo ndoshta e ka bërë Avdylin si kreun e Dhomës së Ndërmjetësve ta shohë këtë institucion si riparues, në mos edhe shërues. Ndonëse plagët sociale që ndeshen me ligjin në Shqipëri janë të malcuara.

Avdyli thotë se ndërmjetësimi është i shtrirë në disa sfera, nga çështjet familjare, tek ato civile e deri tek penalet. Madje, shton ajo, Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, i mëshon shumë dënimeve alternative të shtetasve që janë nën moshën 18 vjeç.

Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve

“Ja për shembull, një djali tek të shtatëmbëdhjetat që kishte kryer veprën e vjedhjes në një supermarket, përmes ndërmjetësimit bëmë të mundur që t’i jepej një dënim alternativ dhe jo burgim. Ai do të punojë për gjashtë muaj pa pagesë tek supermarketi ku kreu veprën, për të shlyer vlerën e asaj që vodhi”, rrëfen zonja Avdyli, ndërsa shton se jo vetëm të miturin e shmang nga një përvojë traumatike, por edhe e ndihmon atë të mos bëhet kontingjent krimi në të ardhmen.

Fat që trishtueshëm i shkruhet shpesh të miturve, nëse përballen me kangjellat e qelive të burgut qysh herët në jetë. Dënimet alternative shkojnë kah puna në komunitet, që sipas Avdylit, do të ishin më të duhurat për të rinjtë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se ky i mitur nuk do të ketë në dëshminë penale statusin e dënuar”, shton ajo, duke pohuar që kjo do ta rëndonte psikologjikisht  një të ri që do ta niste jetën me një gjurmë.

Rastet e shkeljeve penale tek të miturit referohen nga policia, prokuroria por edhe institucionet arsimore. Shpesh është psikologu i shkollës që i çon tek Ndërmjetësuesi, pasi siç pohon Avdyli, ka shpesh konflikte mes adoleshentëve.

Në rastet kur këto çështje përfundojnë në gjykata , i mituri duhet të ndiqet nga psikologu i specializuar për të mitur, nga avokati për të mitur, prokurori për të mitur dhe gjyqtari për të mitur. Network i posaçëm që jo gjithnjë funksionon, duke çuar shpesh në trajtimin e këtyre çështjeve nga një gjyqtar i zakonshëm dhe jo i trajnuar për të mitur.

Çështjet e pronësisë, që vlojnë në 30 vitet e tranzicionit duke çuar shpesh në konflikte të mëdha, zgjidhen mes ndërmjetësimit, thekson Avdyli, duke shtuar se duke pasur titull ekzekutiv nëse mes palëve arrihet marrëveshje dosja shkon në Kadastër, pa kaluar asfare nga gjykata.

Një konflikt pronësie mes nëntë familjeve, që zgjaste prej 12 vitesh, ishte zgjidhur me ndërmjetësim me vetëm dy seanca. Kjo pasi gjyqtarja e kishte referuar çështjen për ndërmjetësim.  Janë gati 40 mijë dosjet me konflikte pronësie, thotë ajo.

Sipas Avdylit, gjyqtarët kanë detyrimin ligjor, kur ligji e parashikon, t’u referojë palëve t’i adresohen ndërmjetësimit. Por siç pranon ajo, kjo ndodh në pak raste. Herë sepse ndërmjetësuesi shihet si rivalizues -  por kështu e shohin më shumë avokatët – dhe herë sepse gjyqtarët nuk janë të trajnuar.

Për informimin e publikut, por edhe për trajnimin e prokurorëve apo gjyqtarëve organizohen shpesh tryeza e takime.

Avdyli në bisedë me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela mbi referimet e rasteve penale tek të miturit, të zgjidhura me ndërmjetësim

Një nga temat kryesore, veçanërisht në tryezat e diskutimit të dy viteve të fundit, ka qenë ajo e veprave penale kryer nga të miturit.  Duke marrë parasysh interesat e të miturve, shmanget burgimi dhe nëse arrihet një marrëveshje ndërmjetësimi, nuk dënohen sipas Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur.  Për këtë, Dhoma Kombëtare  e Ndërmjetësimit  nënshkroi memorandum Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme.

Objektivi numër katër, ndër shtatë syresh, të Reformës në Drejtësi, është edhe ai i rritjes së përdorimit por edhe nivelit të shërbimit të ndërmjetësimit. Po aq sa edhe rritja e  profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së ndërmjetësve

“Ligji për ndërmjetësimin dhe zbatimin e tij nuk kanë qenë shumë të suksesshëm për shkak të mungesës së harmonizimit me pjesën tjetër të legjislacionit. Ndërmjetësimi është aplikuar në mënyrë të kufizuar dhe impakti i ndërmjetësve nuk pasur efektin e duhur. Gjykatat nuk kanë qenë aktive në thirrjen e ndërmjetësve”, vërehej  në dokumentin e Strategjisë së Reformës në Sistemin e  Drejtësisë, më 2015-n.

Si pjesë e Reformës do të vinte edhe përmirësimi i  ligjit për ndërmjetësimin dhe zbatimi efektiv të tij, i harmonizuar atë me kodet e procedurave dhe ligjet e tjera. Rritja e nivelit të shërbimit të ndërmjetësve dhe forcimi i kualifikimit të tyre përmes trajnimeve, është një tjetër synim i reformës në fjalë Kështu ndërmjetësuesit licencohen dhe bëhen pjesë e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rrugë jashtëgjyqësore është për më tej edhe një instrument për të ulur ngarkesën e gjykatave nga çështje që mund të marrin një zgjidhje më të shpejtë e më me pak kosto, ndërmjet ndërmjetësimit”, do të deklaronte ministrja e Drejtësisë, Etilda  Gjonaj në një takim mes ekspertëve të këtij dikasteri dhe përfaqësuesve të Dhomës së Ndërmjetësimit, në tetor të 2020-s. Ministrja do  të theksonte se forcimi i ndërmjetësimit, ishte pjesë  e rëndësishme e paketës ligjore të Reformës në Drejtësi.

Ndërmjetësi gjen fushë veprimi, veçanërisht në këto kohë kur sistemi i drejtësisë është në reformim e sipër e që ka prodhuar një ngërç. “Me ndërmjetësim fitojnë të dyja palët dhe nisur nga eksperienca e vendeve të tjera është më efikase, e shpejte dhe ekonomike. Jo çdo mosmarrëveshje duhet detyrimisht të zgjidhet në Gjykatë”, parashtron ndër të tjera misioni i Ndërmjetësimit. 

Ndërmjetësi është personi , por jo këshilluesi ligjor, që marrëveshjen e dy  a më shumë palëve i jep fuqinë e titullit ekzekutiv, ose e thënë ndryshe, bën të mundur që marrëveshja e palëve, të jetë e barabartë me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ndërmjetësimit mund t’i drejtohesh si e vetmja procedurë për zgjidhje të mosmarrëveshjeve, ose para, gjatë apo pasi çështja është dërguar në Gjykatë. Ndërmjetësimit i drejtohen edhe dy palë për zgjidhje martese, ndonëse shkurorëzimi finalizohet, siç pranon edhe Avdyli, në gjykatë.

Por ndryshe nga raste të tjera, përmes ndërmjetësimit arrihet me vetëm një seancë. Përmes marrëveshjeve me ndërmjetësim zgjidhen edhe çështje familjare, që kanë të bëjnë me detyrimin për ushqim apo përgjegjësinë prindërore, pasoja personale apo pasurore mes bashkëshortëve pas divorcit e shumë të tjera mosmarrëveshje.

Veç çështjeve civile me karakter pasuror, ndërmjetësi zgjidh edhe ato tregtare apo mosmarrëveshje në marrëdhënie të punës, largim nga puna, mos shpërblim e të tjera.

Me ndryshimet në vitin 2018 në Ligjin për shërbimin e Ndërmjetësimit mund të zgjidhen mosmarrëveshjes edhe me administratën publike, tashmë. Edhe çështjet penale, aty ku Kodi i Procedurës Penale e lejon, zgjidhen tek ndërmjetësi.

Veprat që trajtohen dhe zgjidhen me seanca,  që shkojnë nga tre deri në pesë, përfshijnë plagosje e lehtë ose e rëndë, fyerje dhe shpifje, dhunim i banesës, ndërhyrje të padrejta në jetën private, shtrëngim ose pengim për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesën, rastet e shërbimit të provës, mosrespektim i  të drejtës së autorit e deri tek çështje që kanë të bëjnë me përdorim keqdashës të  thirrjeve telefonike.

Ndërmjetësimi është e ardhmja e sistemit të drejtësisë, pohojnë profesionistët e licencuar. Por me gjithë vizionin idilik dhe premtimet për zgjidhje të shpejtë e me pak kosto, gjykatat që prej kohësh janë në reformim me gjyqtarët që po kalojnë në sitën e vetingut, nuk mund të shmangen.

Jo vetëm për çështjet e rënda penale, por edhe ato civile për sa kohë që jo të gjithë arrijnë të ulen në anë të një ndërmjetësuesi dhe të kënaqen me një marrëveshje. Për ata që duan t’i shmangin seancat që zgjasin dhe dyert e gjykatave,  ka ndërmjetësues që do të negociojnë mes palëve për të arritur një ujdi jo vetëm të pëlqyeshme, por mbi të gjitha, të njohur me ligj./Përgatiti: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë