Dosje

Dosja / ‘Tigër’ dhe ‘ i madh’, zbulohen bisedat, udhëtimet dhe miqësia e ish-ministrit Arben Ahmetaj me biznesmenët e inceneratorëve

Gazeta Si - Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj kishte njohje të hershme me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin (administratorët e inceneratorëve të shpallur në kërkim), e madje njohje që shkonin në miqësi të ngushtë.

Në dosjen e SPAK ndaj ish-ministrit, thuhet se pikërisht nga kjo njohje që Ahmetaj kishte me Zoton dhe Mërtirin ka bërë që shoqëria AlbTek Energy të përfitonte koncesionin për inceneratorin e Elbasanit.

LEXO EDHE:
SPAK i kërkon Kuvendit arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj (Dokumenti)

Miqësia e tyre daton që në vitin 2012, para se Ahmetaj të bëhej ministër. Janë me qindra biseda të zbuluara në një telefon që SPAK gjeti në shtëpinë e bashkëjetueses së Ahmetajt gjatë kontrollit të ushtruar disa kohë më parë në Hamallaj.

Telefoni i markës "BlackBerry", sipas SPAK, përdorej nga Ahmetaj dhe bisedat e fshira u rikuperuan nga ekspertët e IT-së.

Për SPAK, bisedat tregojnë marrëdhënien miqësore të ish-ministrit me Mërtirin e Zoton, pasi aty vërtetohet edhe nga mënyra si i drejtoheshin njëri-tjetrit, me fjalë si “fratello”, “tigër”, apo “i madh”.

Bisedat në celular mes Ahmetajt dhe Mërtirit: Tigër, i madh!

Nga ana e Prokurorisë e Posaçme është bërë edhe akt-ekspertiza e këtij celulari i cili rezulton të ketë me dhjetëra komunikime të bëra nga Arben Ahmetaj me persona të tjerë.

Të paktën sipas dosjes së SPAK, aparati celular ka qenë në përdorim nga ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe komunikimet që ai ka pasur, një pjesë e tyre nga hapja në momentet e para ka rezultuar që ishin të fshira, por nga ana e ekspertëve të IT, është bërë e mundur rikuperimi i bisedave dhe transkriptimi i tyre dhe kanë arritur të përftojnë të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar sipas Prokurorisë së Posaçme marrëdhënie miqësore mes Arben Ahmetajt, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.

Në dosjen hetimore, theksohet, se që nga data 21 korrik 2012, deri në 10 tetor 2012, për rreth 3 muaj ka pasur 138 komunikime telefonike mes Arben Ahmetajt dhe Mirel Mërtirit.

Nga komunikimet mes tyre, del që bashkëbiseduesit kanë pasur një raport tejet miqësor, duke iu drejtuar njëri-tjetrit edhe me disa pseudonime që sipas SPAK vërtetojnë miqësinë mes tyre, siç janë fjalët “o la”, duke nënkuptuar ‘vëlla’, thotë SPAK, “fratello”, “tigër”, “i madh”, etj.

Udhëtime dhe pagesa hotelesh luksoze

SPAK ka renditur disa udhëtime të Arben Ahmetajt dhe Mirel Mërtirit, kur të paktën që nga viti 2012, e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit.

“Nga të dhënat e administruara deri në këtë moment, ekziston dyshimi se pikërisht kjo marrëdhënie miqësore ndërmjet shtetasve Arben Ahmetaj, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ka qenë faktori kryesor, që ka bërë shoqërinë Albtek Energy sh.p.k. të përfitojë koncensionin e mësipërm, kundrejt dhënies së përfitimeve/shpërblimeve të padrejta, shtetasit Arben Ahmetaj”, - thuhet në dosjen e zbardhur të SPAK.

Në dokumentin që është plot 400 faqe, thuhet se Ahmetaj mori përfitim të parregullt rreth 500 mijë euro, nga biznesmenët Zoto e Mërtiri në periudha të ndryshme, nga viti 2016 deri në vitin 2020.

Në këto përfitime përfshihen vila në Hamallaj dhe Palasë, si edhe pagesa për qëndrime në hotele. Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit.

Ndërsa një udhëtim tjetër i tyre është dokumentuar edhe në vitin 2017. Mërtiri e Ahmetaj kanë udhëtuar me avion, charter apo me makinë.

Dalja e tyre e parë së bashku rezulton të jetë bërë më 20 nëntor 2012, ku Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri kanë ikur nga Rinasi drejt Milanos, ndërsa janë kthyer në Shqipëri më 23 nëntor 2012 në të njëjtën orë.

Udhëtimi tjetër është realizuar më datë 23.11.2012, ku Ahmetaj dhe Mërtiri, kanë dalje nëpërmjet pikës kufitare Qafa e Thanës me autoveturë dhe kanë datë hyrje në Shqipëri më 25.11.2012, me të njëjtën makinë me targa TR5905T.

Më datë 22.09.2013, Ahmetaj dhe Mërtiri kanë dalë nga aeroporti i Rinasit me linjën ajrore LUFTHANSA - LUFTHANSA MYNIH dhe kanë datë hyrje në Shqipëri më 25.09.2013, nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjë ajrore AUSTRIAN AIRLINES - OS 847/848 VIENA.

Më datë 06.12.2013, ora 17:47, Ahmetaj dhe Mërtiri kanë udhëtuar me charter nga Rinasi drejt Milanos dhe janë kthyer në Tiranë tre ditë më pas. Më 19 janar 2014 ata kanë udhëtuar drejt Vienës dhe janë kthyer më 22 janar 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2017, në dosjen e SPAk nuk përmenden më udhëtime të përbashkëta me avionë, deri kur më 13 korrik 2017 ata kanë dalje me autoveturë me targë AA908PY nga pika kufitare Kapshticë.

Edhe Klodian Zoto i përfshirë

Gjithashtu, edhe Klodian Zoto evidentohet në të paktën një rast të përbashkët udhëtimi, ku bashkë me Ahmetjan kanë datë hyrje në Shqipëri më 14.04.2013, ora 11:47 dhe 11.44 nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjën ajrore ALITALIA AZ 510/507 ROMË.

Po ashtu, ka pasur edhe një udhëtim me bashkëjetuesen Eriola Hoxha dhe Mirel Mërtirin në Milano. Në dosje përmendet një tjetër udhëtim i Ahmetaj, ndërsa kësaj here përveç Mërtirit i është bashkuar edhe Klodian Zoto.

Ata kanë dalë nga aeroporti i Rinasit dhe kanë udhëtuar drejt Romës, në të njëjtën datë, konkretisht më 08.02.2014.

Por, Ahmetaj është nisur drejt Romës rreth 1 orë më vonë se Zoto e Mërtiri, të cilët kanë qenë në një avion. Ahmetaj është nisur në orën 05:15, ndërsa Zoto e Mërtiri në orën 04:36.

Më pas, Ahmetaj është kthyer në Tiranë nga aeroporti i Rinasit me linjë nga Mynih më datë 17.02.2014 ora 11:09. Ndërkohë që Zoto dhe Mërtiri janë kthyer më datë 09.02.2014 me të njëjtën linjë avioni nga Roma në Rinas. Në 2015 Arben Ahmetaj, Alqi Bllako dhe Lefter Koka udhëtojnë së bashku për në Milano.

Në dosje shkruhet se të gjitha këto detaje janë përfituar nga kontrolli i emailit të Klodian Zotos, ku janë vërtetuar rezervimet që ka bërë për në emër të Arben Ahmetajt, por të gjitha janë paguar nga Klodian Zoto.

Konkretisht, Ahmetaj, si edhe ish-gruaja Albina Mancka dhe bashkëjetuesja e tij, Eriola Hoxha përfituan 9 udhëtime të paguara nga Zoto nga vitit 2013 deri në vitin 2017. Kryesisht hotelet në të cilat kanë qëndruar janë në vendet e BE-së, Itali, Austri, Francë e Gjermani.

Përdorimi i postit si ministër

Po sipas dosjes së SPAK, Ahmetaj përdori postin e tij si ministër për të ndikuar në mënyrë që projekti i inceneratorit të merrej përsipër nga kompanitë me administratorë Stela Gugallën dhe Klodian Zoton.

Në njërin nga komunikimet e zbardhura nga SPAK, në shtator 2012, Baftjar Zeqos, i cili në atë kohë ka qenë kryetar i Bashkisë së Fierit, Ahmetaj i kërkon që të ulet me ata të dy, duke nënkuptuar Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.

Sipas SPAK, kjo provon lidhjen dhe miqësinë e hershme midis Arben Ahmetajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, edhe pse PS erdhi në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe më pas miqësia midis tyre u forcua edhe më shumë kur Ahmetaj mori postin e Ministrit të Ekonomisë.

SPAK pretendon që Ahmetaj ka pasur njohje dhe miqësi të mëparshme dhe ka qenë pikërisht Ahmetaj, i cili duke shfrytëzuar njohjet që kishte dhe faktin që ishte ministër, të ndikonte në mënyrë që kompania Alb-Tek Energy sh.p.k, e cila kishte si administratore Stela Gugallën dhe Integrated Service që kishte si administrator Zoton, të fitonin koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Kompania e Gugallës ishte ajo që e fitoi, ndërsa e Zotos, ajo që ka zbatuar projektin.

Akuzat

Një ditë më parë, SPAK i ka kërkuar Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv/kryeministrit dhe deputetit socialist, Arben Ahmetaj për aferën e inceneratorëve.

Ahmetaj dyshohet të ketë kryer korrupsion në 6 raste, ku ndaj tij rëndojnë 3 akuza: fshehje e mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

SPAK kërkon leje nga Kuvendi edhe për t’i ushtruar atij një kontroll në banesën e tij personale apo tabulatet telefonike.

Ai është zyrtari më i lartë që përballet me kërkesën për arrestim në tri dekadat e fundit në Shqipëri dhe i pari ish-zv.kryeministër që pritet të arrestohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë