Politike

PS e PD pro arrestimit të Ahmetajt, ndahen për seancën/ Bardhi: Në dosje janë Gjiknuri, Agaçi, Felaj dhe 2 deputetë

Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandatet me votë unanime pranuan kërkesën e prokurorisë për arrestimin e deputetit socialist, ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajn.

Pesë deputetët e opozitës në Këshillin e Mandateve dhe të Imuniteteve, Gazment Bardhi, Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj, Greta Bardeli dhe Saimir Korreshi votuan pro arrestimit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt.

“5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, të vitit 2022 për 3 veprat penale”, tha Bardhi gjatë prezantimit të raportit të opozitës.

Bardhi tha pas mbledhjes së opozita paraqiti një raport të sajin, por një gjë e tillë nuk u bë nga mazhoranca që kërkonte ta paraqiste atë të premten. Ai kërkoi se opozita kërkon që votimi të bëhet të enjten, më 13 korrik, por mazhoranca ka refuzuar.

Bardhi ndërkohë bëri të ditur se nesër do të kërkojë për ndryshimin e rendit të ditës për të futur në votim çështjen e arrestimit të Ahmetajt. Në mbledhje sipas tij, avokatët kanë deklaruar se ish-zv.kryeministri ndodhet jashtë porse do të kthehej, por nuk e dimë se si.

"Kam një lutje për personin në hetim të bëhet një bashkëpunëtor i drejtësisë. Ky është rasti ti bëjë një shërbim qytetarëve”, tha Bardhi. Ndërsa ka pohuar se në dosjen hetimore ekzistojnë edhe disa emra të tjerë.

“Në dosje janë emrat e Damian Gjiknurit, Ermonela Felajt, ka të dhëna për 2 ish-kryetarë Fadil Nasufi, Bafatjar Zeqo, si dhe Engell Agaçi sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë. Pra kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë