Politike

SPAK i kërkon Kuvendit arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj (Dokumenti)

Gazeta Si - SPAK i ka kërkuar Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv/kryeministrit dhe deputetit socialist, Arben Ahmetaj për aferën e inceneratorëve.

Ahmetaj dyshohet të ketë kryer korrupsion në 6 raste, ku ndaj tij rëndojnë 3 akuza: fshehje e mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

SPAK kërkon leje nga Kuvendi edhe për t’i ushtruar atij një kontroll në banesën e tij personale apo tabulatet telefonike.

Ai është zyrtari më i lartë që përballet me kërkesën për arrestim në tri dekadat e fundit në Shqipëri dhe i pari ish-zv.kryeministër që pritet të arrestohet.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, pas shkresës së dërguar në Kuvend për heqjen e lirisë së Ahmetajt, do të thërrasë të martë, 11 korrik mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do të japë autorizimin.

Ish-ministri Ahmetaj mund të vijë e të flasë, duke e kundërshtuar, ose të heqë dorë nga mandati dhe thjesht këshilli certifikon kërkesën e SPAK-ut.

Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët, i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK, pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.

Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare SPAK thotë se nga udhëtimet , Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.

Ish-ministri i Financave dëshmoi për rreth 6 orë në SPAK në 22 qershor. Deputeti nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim për mediat, përsa i përket deklarimeve që ka dhënë përballë prokurores.

Ish-zyrtari i lartë socialist akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash.

Fillimisht, Prokuroria hetoi rolin e tij në inceneratorin e Elbasanit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, e cila tashmë ka rënë pë mungesë provash.

Më herët, njerëzve të afërt të ish-ministrit të Financave iu sekuestruan 2 vila, me dyshimet se posedohen në mënyre indirekte prej tij.

Ndërkohë në sitën e SPAK janë duke kaluar të gjitha pasuritë në emër të Ahmetajt dhe të familjarëve të tij.

Ish-ministri ka zhvilluar një betejë në të 3 shkallët e gjyqësorit për kontrollin e ushtruar në vilën në Hamallaj të bashkëjetueses së tij.

Por Gjykata e Lartë e ka rrëzuar rekursin e tij me argumentin se kontrolli nga SPAK ishte i ligjshëm.

Organi i akuzës ka sekuestruar një sërë dokumentesh në të dyja vilat, të cilat mund t’i shërbejnë hetimit.

Ish-zëvëndëskryeministrit, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, iu refuzua heqja e sekuestros së këtyre dy vilave, që ndodhen në Hamallaj dhe në jug.

Ajo në Hamallaj është në pronësi të bashkëjetueses Erjola Hoxha, ndërsa tjetra, në emër të një vajzë e cila jeton jashtë vendit dhe që është mikeshë me ish-bashkëshorten e Ahmetajt.

Më herët Arben Ahmetaj i ka mohuar akuzat e SPAK për të dyja procedimet të cilat po hetohen si një çështje e vetme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë