Kinema

Dorëzimi i Shkodrës: Historia tragjike e 6 muajve luftë në një film

Imazhi flet shumë, më shumë se qindra mijëra dokumente. Kur këtë e thotë një grua, e cila ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës në Arkivin Qendror Shtetëror si Nevila Nika, e kupton edhe më shumë rëndësinë që ka pamja kundrejt kronikave të gjata historike. Kështu do të shprehej mbrëmjen e 17 tetorit, ish-drejtoresha e Arkivit, përpara premierës botërore të materialit filmik të restauruar, titulluar “Dorëzimi i Shkodrës”. “Jam realisht e befasuar me filmimet. Kemi parë pak imazhe jemi munduar të dimë se çfarë  ka ndodhur në atë zonë; kemi sharë turqit, mallkuar Esat Pashën, veten tonë... por kur vjen një filmim i tillë, befasohesh”, tha Nika.

I menduar si një kine-koncert, sipas drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ishte një mbrëmje që përcillte magjinë e kinemasë pa zë. Por jo vetëm. Ishin gjashtë kronika të shkurtra, disa minutash  bardhezi, si një rrugëtim nëpër Ballkan, nga ishulli i Rodit, tek pazaret e Bosnjës, peizazhe idilike të Rijekës, grykës së  Kotorit, ishujve të vegjël dhe vilave veneciane apo lundrimi nëpër Vardar i ushtarëve me varka, tek malësorët e Malit të Zi, bukuria e grave me kostume tradicionale, një filmim i shkurtër i themeluesit të shtetit modern turk Mustafa Kemal Ataturk, e deri tek pamjet tragjike të rrethimit gjashtë mujor të Shkodrës nga  tetori i vitit 1912 deri më prill 1913. Nga njëra anë kishte flamuj që valëviteshin fitimtarë, nga ana tjetër pasoja katastrofike me shkatërrime , të vrarë, njerëz që vuanin urie.

Askush nuk do të mund ta përshkruante aq thershëm atë pamje të dy fëmijëve shkodranë që gërryejnë lëvore pemësh e i fusin në gojë për të shuar urinë që ka pllakosur pas rrethimit, të tjerë fëmijë që dergjen përdhe të pafuqishëm nga të pangrënët, të tjerë që mbajnë radhë për pak grurë apo një copë bukë, eksodin  me burra, gra,  fëmijë e bagëti që  braktisin shtëpitë  dy ditë pas rrethimit.

Është ky filmim francez i Pathé Journal, që e sjell të gjallë më 2018-ën një pjesë të asaj çka ka ndodhur në Shkodër më 1913-ën, vetëm një vit pasi Shqipëria kishte shpallur Pavarësinë nga Perandoria Osmane dhe një vit përpara se të nisteLufta e Parë Botërore. Operatori francez, i vendosur vetëm pak vija larg vijës së frontit, në Tarabosh, mbi liqenin e Shkodrës ka arritur të filmojë llogoret e rrethuara me tela, gratë malazeze që ndihmojnë burrat të ngarkojnë mjetet luftarake, avulloren “Neptun” që transportonte armë dhe ushqime e që më kot, bombardohej çdo ditë nga turqit, kështjellën e vjetër të Shkodrës, kodrën e Taraboshit ku u zhvilluan betejat më të përgjakshme, topat dhe gjylet e hedhura në qytet që shkaktuan dëme të mëdha, portretet e malësorëve shqiptarë që u rreshtuan në shërbim të ushtrisë malazeze, mbërritja e princit Mirko në qytet e deri te zbritja e trashëgimtarit të kurorës , Danilo dhe princit Petar, nga kështjella pas dorëzimit të Esat Pashës. Pamjet tragjike, ndonëse pa zë,  kumbonin nën peformancën  live të artistëve,  Adorel Haxhiaj  në cello dhe Astrit Stafainë oud, me muzikë origjinale të kompozuar enkas për këtë film.

Rrethimi i Shkodrës do të zgjaste më shumë se 183 ditë dhe beteja për të do të bëhej një nga më të famshmet në Europën e kohës. Të rejat mbi rrethimin zinin vend rregullisht në të gjitha gazetat më të mëdha perëndimore, ndërsa Hasan Riza Pasha, Esat Pashë Toptani apo Princ Danilo i Malit të Zi, u bënë figura të njohura. Së paku 15 libra janë botuar në gjuhë të ndryshme për rrethimin. Mbrojtja e qytetit ishte bërë ndërkohë e famshme në  Europë, përmes raportimeve që bënin korrespodentët në gazetat e huaja.  Europa u sensibilizua nga njoftimet mbi bombardimet e bëra ndaj popullsisë civile dhe trupit diplomatik në Shkodër. Në orën 3  të mëngjesit të ditës së mërkurë, 23 prill 1913, Shkodra u dorëzua,  Diplomatët njoftonin se dorëzimi i ishte  bërë mbi bazën e një pazarllëku midis Esat Pashës dhe malazezëve...

Ky filmim pa zë, Bardhë e Zi, u gjet në Kinotekën e Malit të Zi në vitin 2008, dhe pas procesit të restaurimit në digjital dhe 35 mm në laboratorin hungarez të filmit, do të ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit si filmimi më i hershëm i fondit filmik të institucionit.

I pranishëm gjatë premierës ishte edhe drejtori i Kinotekës së  Malit të Zi, Nemanja Deçanoviç, i cili foli për punën restauratore të këtyre kronikave, si pjesë e programit “Në kërkim të Perandorisë Osmane”, disa prej të cilave janë pikturuar me dorë, duke u dhënë ngjyrë kryesisht peizazheve baritore, jetës së përditshme dhe kostumeve tradicionale të veshura prej atyre individëve që përmes magjisë së kinemasë, janë përjetësuar në imazhin lëviz.  E përveç kinotekës malazeze, për restaurimin e këtij filmi morën pjesë edhe Instituti i Filmit “Eye” në Holandë, ndërsa edhe ministria e Kulturës së Shqipërisë e mbështeti projektin.

“Cila është historia e Shqipërisë nga 1912 e më pas?”, pyet Nevila Nika. “Në shumicën e rasteve ka qenë tragjike. Do të ishte mirë ta rrëfejmë përmes imazhit atë që kemi përjetuar”, përfundon ajo, ndërsa ky filmim përtej përcjelljes së magjisë së kinemasë, në ato vitet që përkonin edhe me fillimet e saj, është një dëshmi historike që u jep pamje përshkrimeve dhe pamjeve lëvizje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë