Kombetarja

Dorëzim pa kushte i Panuçit, rikthim në epokën “De Biazi”

Nga Fatjon Rupi - Për këdo që do të vinte në stolin e Kombëtares pas Xhani De Biazit, trajnerit që e çoi Shqipërinë në Europian për herë të parë në histori, do të ishte shumë e vështirë. Sepse do të vuante hijen e paraardhësit të tij. Fati e deshi që pasuesi i De Biazit të ishte patrioti i tij, Kristian Panuçi, i cili e kishte të qartë situatën dhe për të krijuar profilin e tij profesional duhej të bënte diçka ndryshe.

E kërkoi qënë fillim ndryshimin, duke na prezantuar një Shqipëri më sulmuese. Panuçi tregoi guxim në zgjedhjet e tij, duke rreshtuar në fushë një formacion më sulmues, që siç vërtetuan ndeshjet e 2018-ës, prishi ekuilibrin në prapavijë. Në ndeshjet miqësore, Panuçi testoi disa variante taktike, herë me tre mbrojtës dhe herë me një mesfushë më sulmuese, por dështoi në të gjitha rastet. Shqipëria, pavarësisht se në ndonjë rast ka dominuar ndaj kundërshtarit në qarkullim topi dhe raste për gol, ka humbur, sepse ka shënuar shumë pak dhe ka pësuar shumë gola. Pas Skocisë trajneri u bind se idetë e tij për një Shqipëri sulmuese nuk funksiononin, e pranoi edhe vetë se duhej të ndryshonte diçka.

Kombëtarja kuqezi para ndeshjes me Uellsin

Dhe ndryshoi me Uellsin, ku kuqezinjtë thjesht iu rikthyen skemës së ish-trajnerit De Biazi. Ky i fundit e kuptoi mirë dhe shpejt sa ishin përmasat e “jorganit” të Shqipërisë dhe e dinte sa duheshin “shtrirë këmbët”. Në futboll ka një rregull shumë të thjeshtë: një ndeshje që nuk ke mundësi ta fitosh, mos e humb! Puna e De Biazit u ndërtua mbi këtë parim dhe asnjëherë ai nuk kaloi në aventurë me lojtarët që hidhte në fushë, duke u kujdesur së pari për mbrojtjen, për të përfituar më pas nga kundërsulmet me kartën Roshi, apo edhe nga goditjet standarde. Ai gjithmonë luajti jo vetëm me 4 mbrojtës (Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli), por edhe me tre mesfushorë qendre shkatërrues, pra me tipare mbrojtëse (Kukeli, Abrashi, Xhaka). Në ndonjë rast, ka qenë edhe Lila në fushë nga minuta e parë dhe të gjithë bashkë bëheshin edhe 8 lojtarë që mbronin. Lenjani (edhe ky me tipare mbrojtëse) dhe Roshi mbështesnin sulmuesin e vetëm, Sadikun ose Balajn. Një formacion qartësisht mbrojtës, por që prodhonte lojë dhe merrte rezultate, në varësi edhe të kundërshtarit. Fitoret e Shqipërisë së De Biazit janë përgjithësisht me një gol, por janë edhe disa barazime ndaj skuadrave të mëdha, që kanë pasur vlera të mëdha. Dhe të mendosh që De Biazi vepronte kështu, duke e pasur grupin të plotë.

Formacioni i De Biazit

Pasuesi i tij, Panuçi, edhe pse me shumë mungesa nga ai grup, ka bërë shpesh zgjedhje kapriçoze, me koeficient të lartë rreziku. Lojtarë si Kukeli dhe Abrashi, që mbronin shumë mirë, ai nuk i ka zëvendësuar me ata që kanë tipare përafërta me ta. Ka besuar shumë te Grezda, që nuk mbron, por edhe te Gavazaj e Uzuni së fundi. Këta lojtarë të repartit sulmues, duke shtuar edhe Memushajn, një lojtar me fantazi dhe i nevojshëm për ekipin, rrjedhimisht bënin që të kishte deficite në prapavijë. Edhe Basha, një mesfushor me shumë personalitet, nuk është preferuar gjithmonë nga trajneri italian. Ndryshe nga De Biazi, i cili punonte me një grup stabël lojtarësh, Panuçi ka eksperimentuar pa fund, ka grumbulluar lojtarë nga të katër anët, por më pas i ka harruar. Shumë lëvizje në formacion, që reflektojnë pasigurinë e italianit. Fati i tij i keq ishte se nuk kishte në ekip një lider si Lorik Cana, trajnerin në fushë të kuqezinjve të De Biazit.

Formacioni i Panuçit

Gjithsesi, zgjedhjet e Panuçit kanë qenë me kosto të lartë, aq sa pas humbjes me Skocinë trajneri u duk gati i larguar. Panuçi e ka marrë besimin e Dukës për të vazhduar, por tashmë ka pranuar t’i nënshtrohet vetes, duke u kthyer në “shinat” e De Biazit. Kjo është rruga më e sigurt për të qenë në krye të Shqipërisë, që trajneri aventurier e ka pranuar më në fund. Trajner i mirë është ai që arrin t’i marrë maksimumin një grupi të caktuar lojtarësh. Guximi pranohet, por jo kapriçot dhe aventurat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë