Mendim

Dorëheqja e Kotzias, “minë me sahat” për Shkupin e Tiranën!

Në kohën që të gjithë i kishin sytë nga Maqedonia dhe debatet e njëpasnjëshme parlamentare atje, Greqia fqinje u trondit nga një dramë e vërtetë politike: Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias e mblodhi mendjen të dorëhiqej.

Si një nga ministrat më suksesshëm të qeverisë Tsipras dhe nismëtar i një sërë marrëveshjesh rajonale, dorëheqja e Koztiaz ka gjasa të shkaktojë një ngërç të gjatë politik, jo vetëm në Athinë, por edhe Shkup. Largimi i tij ka ardhur si “një minë me sahat” për qeverinë e Zoran Zaevit, ku Kotzias shihej si një nga aleatët më të vyer të marrëveshjes së emrit dhe si një “garanci” për ratifikimin e saj në parlamentin grek. Por implikime të ngjashme parashikohen edhe në negociatat e marrëveshjes së detit me Shqipërinë, pasi Kotzias ka pasur një rol thelbësor gjatë negociata për zgjidhje e kësaj çështjeje të ndjeshme mes Tiranës dhe Athinës.

Përse u largua Kotzias?

Dorëheqja e tij erdhi pas një takimi të tensionuar të kabinetit qeveritar dhe përplasjeve të zjarrta me Ministrin e Mbrojtjes, Panos Kammenos. Sipas medieve greke, ai dhe Kammenon patën disa debate mjaft të hidhura në lidhje me marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit të Maqedonisë fqinje. Këto konflikte të brendshme nuk janë të reja, por kanë arritur kulmin pas vizitës se fundit në SHBA të Kamenos.

Ai ka propozuar një marrëveshje ushtarake midis Greqisë dhe vendeve fqinje si mburojë ndaj Rusisë, në rast se te Marrëveshja e Prespës dështon në parlamentin e fqinjit verior të Greqisë. Por Kamenos ka shkuar më tek duke hedhur kritika ndaj Koztias dhe duke ndezur një debati të ashpër midis dy ministrave.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias vendos të dorëhiqet.

Burimet për gazetën greke “Ekathimerini” thonë se Kotzias vendosi të largohej pasi kryeministri Alexis Tsipras nuk e mbështeti kundër sulmeve nga Kammenos, i cili është kryetari i partner i vogël të koalicionit qeveritar. Sipas të njëjtit burim, gjatë takimit të kabinetit Kamenos akuzoi Kotzias për keqmenaxhimin e fondeve të ministrisë së jashtme, duke e konsideruar gjithashtu si një njeri të financuar nga miliarderi amerikan George Soros. Ndihmës pranë ministrit të jashtëm thanë se Kotzias ishte "thellësisht i ofenduar" nga akuzat.

Pas dorëheqjes së një prej ministrave të tij më të besuar, kryeministri grek Alexis Tsipras do të marrë përsipër portofolin e punëve të jashtme, për të ndjekur nga afër zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me Shkupin në qershor. Ai ka pranuar dorëheqjen e Kotzias, duke e falënderuar për kontributin e tij në qeveri gjatë 3 viteve të fundit.

Marrëveshja e detit me Shqipëri-Greqi

Por a do të ndikojë largimi i Kotzias në bisedimet që ai çoi për disa muaj me radhë me Tiranën zyrtare? Ministri i jashtëm grek është e angazhuar vazhdimisht për zgjidhjen e problemeve me Shqipërinë, duke përfshirë çështjen çame dhe kufirin detar mes dy vendeve.

Kotzias ka deklaruar se shpresonte që qytetarët të mësoheshin gradualisht që të mbështesin zgjidhjen e problemeve politike për problematikat e hapura që kanë në mes Shqipërinë dhe Greqia. Por drama politike që ka gjasa të lërë pas dorëheqja e tij, krijon një ngërç edhe më të madh në zgjidhjen e një prej konflikteve të më të mëdha mes Athinës dhe Tiranës: kufirit detar.

Vetëm para pak kohësh, Kotzias i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të hapë dyert për Shqipërinë dhe ka këmbëngulur për një bashkëpunim më të madh rajonal .Në një intervistë me mediat perëndimore, kreu i diplomacisë greke theksonte ndër të tjera edhe faktorët që pengonin në arritjen e një marrëveshjeje mbi kufirin detar, duke fajësuar opozitën në të dyja vendet, por edhe konfliktet e trashëguara. I pyetur nëse Athina dhe Tirana janë pranë një zgjidhjeje me Shqipërinë në lidhje me Zonën Ekonomike Ekskluzive (ZEE), Kotzias deklaroi se: Shikoni, ne kemi probleme 100-vjeçare me Shqipërinë. Për shembull, ne jemi ende në gjendje lufte. Jemi të dy anëtarë të NATO-s, kemi nënshkruar një pakt miqësie, por jemi ende gjendje lufte. Ne i kemi vëndosur të gjitha këto probleme në tavolinë. Kemi zgjidhur tashmë disa çështje të vogla, veçanërisht ato që ndihmojnë punëtorët ose emigrantët nga Shqipëria. Tani duhet të gjejmë zgjidhje për çështjet e mëdha. Komiteti i përbashkët i ekspertëve dhe teknokratëve u takua në Athinë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar. Unë mendoj se ne do ta zgjidhim këtë çështje, për aq kohë sa partitë e opozitës në të dyja shtetet të mos fillojnë të reagojnë në mënyrë histerike. Jam shumë i shqetësuar për deklaratat e opozitës greke. Ata thonë se po diskutojmë çështjen e Çamërisë, kur ne fakt ne nuk e kemi diskutuar fare. Madje do t’ju rrëfej se për herë të pare kjo çështje është diskutuar nga një qeveri tjetër, në fillim të viteve 1990."

Niko Kotzias dhe Ditmir Bushati

Në fakt, negociatat për të arritur një marrëveshje të re për kufirin detar mes dy vendeve, filluan intensivisht gjatë vitit 2017, pasi Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë paktin e arritur në vitin 2010 midis Partisë Demokratike dhe qeverisë së atëhershme greke, por ato u quajtën thjesht  “konsultime”, pasi Presidenti Ilir Meta nuk kishte dhënë ende autorizimin zyrtar. Por, edhe pas një sërë takimesh me dy ministrave të jashtëm në dy vendeve, marrëveshja duket se kishte mbetur sërish në vend. Ministri i Jashtëm grek deklaroi në fillim të shtatorit se puna nuk është bllokuar as nga Ministria e Jashtme shqiptare dhe as nga ajo greke. Sipas tij, bllokimi është çështje administrative që lidhet me ato që po ndodhin në Tiranë, përfshirë edhe reformën në drejtësi dhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë.

Por dorëheqja e tij ka të ngjarë t’i “hedhë benzinë zjarrit të akuzave nacionaliste” në Athinë , shumica  e të cilëve flasin për tradhti kombëtare nga qeveria e “Tsiprasit”. Partitë opozitare si Demokracia e Re dhe Agimi i Artë kanë akuzuar vazhdimisht Kotzias po i fal Shqipërisë zonën ekonomike ekskluzive.

Kotzias iu përgjigj këtyre akuzave, dy muaj më parë, duke thënë se: Në përgjithësi, partitë e opozitës tentojnë të nxisin paragjykimet që ekzistojnë në Greqi në lidhje me këtë çështje. Ata gjithashtu thonë se ne po braktisim Epirin e Veriut. Nëse opozita greke nuk e ka kuptuar ende, në traktatet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe nuk kemi ndërmend të ndryshojmë kufijtë. Këto janë psikoza që dëmtojnë vendin dhe nuk kanë të bëjnë fare me politikën evropiane të dialogut dhe kompromisit. Ballkani, së bashku me Greqinë, e cila ka më shumë përvojë, duhet të ecin së bashku drejt një të ardhmeje evropiane. Duke qënë se vendet e rajonit janë të vogla, asnjë prej tyre nuk do të ketë shumë peshë në Bashkimin Europian. Mali i Zi me 800,000 banorë, Maqedonia e Veriut me 1.6 miliona apo Shqipëria me 2.5 milion, nuk do të ketë asnjë rol të rëndësishëm në një union me 600 milion banorë. As Greqia me 11 milionë. Sidoqoftë, të gjithë do të kemi një rol të rëndësishëm qoftë se i përmbahemi një plani për të zhvilluar rajonin tonë.”

Kotzias dhe Ivanov firmosin marrveshjen e Prespes

Marrëveshja e emrit me Maqedoninë

Dorëheqja e Kotzias ka të ngjarë të shkaktojë një tërmet të vërtetë politik në Shkup. Largimi i tij do të përdoret nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, për të ndaluar procesin e ndryshimit të Kushtetutës, dhe për të bindur deputetët ne Shkup se Greqia ka ndryshuar qëndrim. Para se të jepte dorëheqjen, Kotzias ka akuzuar Kamenosin se po dëmton interesat shtetërore për interesat e tij personale dhe partiake, ndërkohë që Kamenos është zotuar ta shqyrtojë me kujdes marrëveshjen me Shkupin në kuvendin grek.

Marrëveshja për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, u arrit këtë verë mes Athinës dhe Shkupit, por u ndesh me kundërshtime të forta nga forcat e krahut të djathtë në Greqia dhe Maqedonia. Ajo duhet të zbatohet nga parlamenti maqedonas, ku po diskutohen prej tre ditësh ndryshimet kushtetuese. Por largimi i Kotzias ka  të ngjarë të shtojë frikën në mesin e deputetëve maqedonas se parlamenti grek nuk do ta ratifikojë marrëveshjen. Zgjedhja e emrit “Maqedonia Veriore”, ka shtuar kundërshtarët e Alexis Tsipras dhe Kotzias në Athinë. Ekstremistët e akuzojnë për tradhti dhe madje kanë kërkuar që ai të dalë para drejtësisë. Grekët në përgjithësi kundërshtojnë çdo emër që përfshin Maqedoninë dhe disa parti politike nuk kanë gjasa të mbështesin marrëveshjen e arritur nga Tsipras.

Gjatë takimit të fundit të kabinetit, Tsipras u bëri thirrje ministrave të tij të zotohen se nuk do do të bashkohen me rivalin e saj të madh, Demokracinë e Re, për të votuar kundër marrëveshjes me Maqedoninë. Kotzias, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen së bashku me ministrin e jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov pas muajsh të tërë negociatash, akuzoi Kammenos se po dëmtonte interesat kombëtare të Greqisë. Në këto kushte, analistët në Greqi thonë se Kamenos mund të përpiqet të distancohet nga qeveria e Tsiprasit, duke vështirësuar ratifikimin e marrëveshjes së emrit në parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë