Rend dhe Ligj

Donika Prela në testin e dytë, Apeli shqyrton vettingun e prokurores

Donika Prela nuk i ka larë ende hesapet me procesin e vettingut. Kryeprokurorja për Krimet e Rënda do të duhet të mbrojë para trupës prej pesë gjyqtarësh të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Prela kaloi në shkallën e parë të rivlerësimit megjithë problematikën që u shfaq në kriterin e pasurisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme me deklaratën e pasurisë së saj. Bazuar në raportin e ILDKPKI-së, Donika Prela rezultoi me një një mosdeklarim të huamarrjes në shumën e 1 milion lekëve, vlera e blerjes së një toke arë, e cila është e dyshimtë pasi zona është në zhvillim.

Probleme u gjetën edhe me të ardhurat e bashkëshortit të Donika Prelës, që në vitet 2003 dhe 2005 nuk ka pasur kontratë punë. Ai ka deklaruar se ka punuar te kompania Bruçi shpk si inxhinier, por pa kontratë.

Prela pati një seancë dëgjimore jo të lehtë. Ajo u përball me pikëpyetje mbi këto të ardhura të bashkëshortit dhe transaksionet me pasuritë e paluajtshme në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 22 janar. Prela u mbrojt duke dorëzuar në Komision dokumente shtesë mbi të ardhurat familjare.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, replikoi edhe me vëzhguesin e ONM-së, Theo Jacobs, i cili ngriti dyshime për mospagimin e taksave nga bashkëshorti për një pjesë të të ardhurave. Prokurorja Prela u përgjigj se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të BE-së, ku marrëdhëniet e punës fillojnë dhe mbarojnë në mënyrë të ligjshme.

“Bashkëshorti im ka nënshkruar një kontratë dhe i është përmbajtur detyrimeve të saj. Legjislacioni shqiptar ngarkon me përgjegjësi punëdhënësin për detyrimet dhe nuk ka asnjë dispozitë që tregon se tatimi në burim mund të paguhet në mënyrë vullnetare”, – u justifikua Prela.

Trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin shpalli më 5 shkurt konfirmimin në detyrë të Prelës, bazuar në të tre kriteret e vlerësimit: vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe atë të vlerësimit professional dhe pas një muaji e gjysmë të konfirmimit të saj në detyrë, KPK ka zbardhur vendimin.

Komisioneri Publik e kundërshtoi vendimin dhe e apeloi atë në KPA. Ky i fundit e ka pranuar kërkesën duke caktuar trupën gjykuese që do të rivlerësojë vendimin e KPK-së.

Kryesuese e kësaj trupe shorti ka caktuar Natasha Mulajn dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Ina Ramën, Luan Dacin dhe Sokol Çomon.

Dosja e Donika Prelës shfaq probleme edhe në raportet sekrete të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Gazeta Si zotëron këtë raport dhe sipas DSIK vë në dijeni se Donika Prela (Prenga) i është refuzuar viza Amerikane, gjë që është pasqyruar në Deklaratën për Kontrollin e Figurës nga vetë subjekti i vlerësimit.

“Këtu theksojmë faktin që në Deklaratën për Kontrollin e Figurës është plotësuar nga subjekti i rivlerësimit në datën 27.01.2017, ndërsa refuzimi është me 8.06.2010. Ndodhemi përpara rrethane lehtësuese ku subjekti i ka deklaruar dhe gjithashtu referuar pikës 2, të nenit “DH” periudha e rivlerësimit mbulon periudhën që nga janari 2012 e në vazhdim.

Gjithashtu theksohet se ky fakt duhet të merret në konsideratë në kompleksitetin e vlerësimit të figurë së Prelës, duke vënë në dijeni edhe faktin se vendimi i ambasadës së SHBA-së merret si një standard për pastërtinë e zyrtarëve shqiptarë.

Por, edhe në këtë raport theksohet se Grupi i Punës konstaton përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë