Lajme

Pse Donika Prela kaloi Vettingun – KPK zbardh vendimin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi vendimin për konfirmimin në detyrë të Donika Prelës, ish kryeprokurore e Durrësit, aktualisht kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Donika Prela gjithashtu kandidate për në Prokurorinë e Posaçme SPAK, ishte një nga subjektet e Vettingut që u sulmua edhe nga politika, pasi dyshimet e Partisë Demokratike janë që Prela është favorizuar nga komisionerët e Vettingut.

Shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është sulmuar shpesh nga opozita me akuza për shkelje të rënda dhe deklarata se rezulton në përgjimet e bandës së Avdylajve, për lirimin e kreut të bandës nga burgu.

Prela po ashtu pati një seancë dëgjimore jo të lehtë. Ajo u përball me pikëpyetje mbi të ardhurat e bashkëshortit dhe transaksionet me pasuritë e paluajtshme në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 22 janar. Prela u mbrojt duke dorëzuar në Komision dokumente shtesë mbi të ardhurat familjare.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, replikoi edhe me vëzhguesin e ONM-së, Theo Jacobs, i cili ngriti dyshime për mospagimin e taksave nga bashkëshorti për një pjesë të të ardhurave.

Prokurorja Prela u përgjigj se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të BE-së, ku marrëdhëniet e punës fillojnë dhe mbarojnë në mënyrë të ligjshme. 

“Bashkëshorti im ka nënshkruar një kontratë dhe i është përmbajtur detyrimeve të saj. Legjislacioni shqiptar ngarkon me përgjegjësi punëdhënësin për detyrimet dhe nuk ka asnjë dispozitë që tregon se tatimi në burim mund të paguhet në mënyrë vullnetare”, - u justifikua Prela.

Trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin shpalli më 5 shkurt konfirmimin në detyrë të Prelës, bazuar në të tre kriteret e vlerësimit: vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe atë të vlerësimit professional dhe pas një muaji e gjysmë të konfirmimit të saj në detyrë, KPK ka zbardhur vendimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë