Politike

Dokumenti/ PD: Kryebashkiaku Ismailaj i dënuar për plagosje e rrahje

Partia Demokratike ka publikuar sot dokumentin e dënimit të kryebashkiakut Qerim Ismailaj në Greqi. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një konferencë për shtyp u shpreh se Ismailaj rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000.
“Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mos gjetjes në territorin grek. Sipas ligjit të Dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, deklaroi Bardhi.
Për demokratët, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Dokumenti i Gjykatës greke, ku PD pretendon se kryebashkiaku i Mallakstrës rezulton i dënuar. Gazeta "Si", 10 janar 2020


“Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Agim Kajmaku, apo Mark Babani, Edi Rama e di se edhe Qerim Ismailaj i Bashkisë së Mallakastrës ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit dhe duhet të largohet menjëherë dhe të shkojë përpara drejtësisë! Edi Rama e di se i përzgjedhuri i tij për Mallakstrën ka probleme me drejtësinë greke, por ai e ka fshehur të vërtetën. Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, por po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke falsifikuar dokumentet shtetërorë, siç është formulari i Dekriminalizimit”, deklaroi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Gazeta "Si", janar 2020


Ai kërkoi veprime nga organi i prokurorisë, ku ligji të veprojë dhe është koha që Edi Rama të mos fshihet pas Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut dhe Mark Babanit.
“ Edi Rama do të ndëshkohet me votë të lirë e të ndershme për faktin që alternativa e tij e vetme është krimi; për kandidimin e individëve me të shkuar kriminale; dhe për tentativën e përsëritur për të futur në politikë individë me të shkuar kriminale”, theksoi Bardhi.

Prej dy ditësh opozita po denoncon kryebashkiakun e Mallakastrës se ka qenë i dënuar më parë në Greqi, por se nuk e ka të deklaruar në formularin e Dekriminalizimit përpara kandidimit. Vetë Qerim Ismailaj ka hedhur poshtë këto akuza të opozitës, duke e mohuar se ka qenë i dënuar apo i dëbuar nga Greqia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë