Lajme

Dosja "Tërmeti", 32 të arrestuar në Tiranë, falsifikuan dokumentet

Pas arrestimeve për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës në një konferencë për mediat tha se deri më tani janë arrestuar 32 zyrtarë, ish-zyrtarë dhe ndërtues, që janë përgjegjës për shkatërrimin e shumë banesave në Tiranë.

Prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj, tha se pas ekspertimeve përkatëse janë identifikuar autorët që deri kanë shkuar në 31.

“Pas ekspertimeve përkatëse janë identifikuar autorët që deri ka shkuar në 31. Janë 25 godina të institucioneve të dëmtuara në Tiranë. 125 pallate të pabanueshme dhe 200 banesa private”, tha ajo.

Imeraj ndër të tjera tha se hetimi ka nisur që më 27 nëntor pas tërmetit dhe se hetimet po vijojnë ende.

“Hetimet janë shtrirë në zonën e Vorës, Kasharit dhe Farkës dhe se ky hetim do të shtrihet në të gjithë ndërtesat e Tiranës që janë shpallur të pabanueshme”, tha   drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj tha se pasi Prokuroria nxori urdhërndalimiet, policia i ekzekutoi menjëherë.

“Hetimet po ecin me shpejtësi që pas nxjerrjes së urdhërndalimeve. Ne kemi ngritur grup pune për evidentimin e pasojave”, u shpreh ai.

Imeraj theksoi faktin se veprat penale për të cilën janë arrestuar janë “falsifikim dokumentesh, ndërtime të paligjshme", "shpërdorimi i detyrës”.

Ajo tha se angazhimi i Prokurorisë ka qenë në maksimum si dhe ka pasur një bashkëpunim të madh me Policinë e Shtetit.

Ndërkohë prokurori i çështjes, Erion Imeraj, tha se subjektet nën hetim kanë pasur funksione publike. Erjon Imeraj thotë se funksionarët publikë kanë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, kurse drejtuesit teknikë dhe ligjorë janë disa, duke nisur nga aktet e kolaudimit te leja e shfrytëzimit të objektit, të cilat mungojnë në disa dosje të banesave të dëmtuara.

“Janë disa subjekte nën hetim mbas ngjarjeve të 26 nëntorit 2019. Kryesisht janë subjektet që kanë funksion publik në ish-komunat, subjekte private apo kontraktorë.

Për shkeljet e kryera nga funksionarët publikë, kanë miratuar leje ndërtimi në mungesë dokumentacioni dhe në kundërshtim me ligjin .

Mungojnë oponencat teknike për administratorët e të cilëve janë lëshuar edhe urdhra ndalimi, mungojnë procesverbale të përfundimit të karabinave, të objektit. Mungojnë procesverbalet të përfundimit të punimeve të objektit. Në disa dosje mungojnë aktet e konstatimeve nga zyrat urbanistike, në komunat Farkë dhe Kashar, për të legalizuar mungojnë aktet e qëndrueshmërisë

Sa u përket drejtuesve teknikë dhe ligjorë janë disa shkelje, aktet e kolaudimit, disa raste nuk gjendet në dosje. Aktet e marrjes së lejeve të shesheve të ndërtimit, procesverbalet gërmimit të tabanit, ngritjes së tabanit, kolonave dhe një sërë aktesh konstatimi. Disa raste mungon dhe leja e shfrytëzimit të objektit nga njësia administrative.

Në objektet para ’90 ka punime që kanë dëmtuar strukturën për të bërë biznese apo hapësira. Sa i përket hetimeve janë shtrirë në Vorë, Kashar dhe Farkë ku dëmtimet kanë qenë më të mëdha. Po vazhdojnë nga grupi hetimor dhe në zona të tjera si Dajti, Kamëz dhe të tjera. Ku janë dëmtuar me problem në ndërtim apo dhe sinjalizim nga shtetas të ndryshëm që kanë pësuar dëmtimet”, tha Imeraj.

Deri më tani mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunari i Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta, dhe Adhurim Qehahaj, ish-shef i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit. Ata dyshohen të kenë favorizuar ndërtime jashtë kritereve apo lejeve të lëshuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë