Futboll

Divorci publik i yllit të Milanit, nga tradhtia tek aborti!

Futbollisti turk i Milanit, Hakan Çalhanoglu, vendosi të shpallte publikisht divorcin me tashmë ish-gruan e tij Sinem Gyndogdu. Ai bëri  një postim të gjatë në rrjetet sociale, duke shprehur gjithë inatin  e tij dhe duke lënë të nënkuptohej se ishte tradhtuar, pasi shkruante se “diçka e papranueshme kishte ndodhur”. Edhe opinioni publik në Turqi ka folur për tradhti. Polemikat mes Çalhanoglu dhe Sinem vazhdojnë në rrjetet sociale dhe tashmë është ish-gruaja e futbollistit që tregon versionin e saj.

Sinem e ka akuzuar Hakanin se ka shkuar me femra të tjera dhe kjo gjë e ka tërbuar milanistin. Në Instagram ajo shkruan se nuk e ka tradhtuar kurrë: “Nuk e kam tradhtuar kurrë Hakanin, para dhe pas martesës, - shkruan 23-vjeçarja. – Në internet nuk ka foto të miat me meshkuj të tjerë. Kush ka sy për të parë, mund ta kuptojë qartë, kurse kush dëshiron të përcjellë një opinion të mirë për Hakanin, e sheh realitetin ndryshe”.

Hakan Çalhanoglu dhe Sinem Gyndogdu gjatë dasmës së tyre

Në postimin e tij, Çalhanoglu fliste edhe për një shtatzani të mundshme të Sinem: “Nëse fryt i kësaj martese do të ishte një fëmijë, natyrisht që do të merrja përgjegjësitë e mia, por nuk dua të kem asnjë kontakt me ish-bashkëshorten time dhe familjen e saj”, - shkruante konkretisht lojtari i Milanit, duke i paraprirë situatës, me sa duket. Sinem ka dhënë shpjegim edhe për këtë temë: “Po, jam shtatzënë. Kishim të dy dëshirën për t’u bërë prindër. E kuptova se isha shtatzënë, pasi kishim folur për divorcin. I thashë se fëmija nuk do të paguajë fajet e të tjerëve dhe se do të vijë në jetë patjetër, ndërsa ai më ka kërkuar të bëj diçka tjetër. Doja ta bëja publike shtatzaninë pas muajit të tretë, duke ditur rrezikun, por e falënderoj që ma hoqi këtë të drejtë me postimet në rrjetet sociale”.

https://twitter.com/hakanc10/status/1024663878674931713

Hakan ka thënë se vetëm në Gjykatë do të shpjegojë me detaje arsyet që e shtynë të merrte vendimin e divorcit, por tashmë duket se pak gjëra kanë mbetur për t’u zbuluar. Futbollisti turk i Milanit u martua vetëm një vit më parë, kur videot e kërcimeve të tij në dasmë u bënë virale.

Përgatiti  Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë