Politike

Ditët e vrullshme të dosjeve, një postim i Autoritetit që ‘tronditi’ agjendën e politikës

Ilir Meta sapo kishte mbajtur Konventën e LSI-së, ku iu ndryshua emri partisë në Partia e Lirisë, kur një postim në Facebook i Autoritetit të Dosjeve do të përcaktonte rrjedhën e debatit politik e publik në ditët që pasuan.

Pasditen e së martës, Autoriteti i Dosjeve komunikoi përmes Facebook se i kishte kërkuar (për herë të tretë) Kuvendit që të ndryshonte ligjin për të drejtën e informimit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në kërkesë, Autoriteti thotë se pika 4 e nenit 29 të ligjit mbi të cilin funksionon ja ndalon që të verifikojë figurat e larta politike që janë të pajisur më parë me certifikatë të pastërtisë së figurës.

Si shembull, Autoriteti nxorri në të njëjtën deklaratë rastin e “një politikani të profilit të lartë me inicialet I.M., që sipas tij kishte certifikatë pastërtie figure, por kishte njëkohësisht edhe një dosje te ish-Sigurimi.

Mediat ishin të parat që folën se politikani në fjalë ishte Ilir Meta. Ish-Presidenti heshti për disa orë. Të mërkurën paradite mblodhi komitetin organizativ të partisë së re dhe në fjalën e gjatë që mbajti foli vetëm për luftën antikorrupsion duke shmangur deklaratën e Autoritetit.

Pak më vonë, po të mërkurën nga Kuvendi rrodhi letra e dokumenti i dorëzuar Autoritetit të Dosjeve, ku konfirmoheshin informacionet jozyrtare që I.M., për të cilin fliste Autoriteti ishte Ilir Rexhep Metaj, ish-Presidenti tashmë kryetari i PL-së, që akuzohej se kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit duke spiunuar planin e arratisjes së një shoku të vet në fakultet.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla pasi zhvilloi takime me krerët e grupeve parlamentare doli në një konferencë për shtyp. Nuk e përmendi për asnjë moment emrin e Ilir Metës, por e cilësoi rastin si “tronditës e flagrant dhe për të cilin Kuvendi duhet të vepronte”. “Jam e gatshme të thërras seancë sa më parë”, u shpreh Nikolla.

Meta thirri një konferencë për shtyp po të mërkurën. Zyrtarisht konferenca u thirr për të prezantuar drejtuesit e rinj të partisë së re, por jozyrtarisht ish-Presidenti e dinte që do të pyetej për dosjen e Autoritetit.

“I.M., në dosje nuk jamë unë”, deklaroi Ilir Meta duke akuzuar Autoritetin se ishte shndërruar në një vegël qorre e Edi Ramës, përmes fabrikimit e falsifikimit të dokumenteve. Ai premtoi që përgjegjësia për këtë manipulim, siç e quajti, do të jetë institucionale dhe individuale e personave që fshihen pas kësaj. Akuza hodhi edhe ndaj kryetares së Kuvendit, si pjesë të manipulimit.

Të enjten paradite, Autoriteti njoftoi se ishte vënë në lëvizje për rastin në fjalë pas një e-maili anonim që kishte mbërritur në postën elektronike të Gentiana Sulës, drejtuese e këtij institucioni. Më vonë mediat nxorrën emrin e Filip Talos. Po përmes mediave, ky i fundit në një intervistë pranon se ka kërkuar të njihet me dosjen e tij, por mohoi se të jetë spiunuar nga Ilir Meta.

Të enjten, Ilir Meta sfidoi sërish Autoritetin dhe socialistët që t’i publikonin të gjithë dosjen, i bindur se I.M., për të cilin flitet nuk është ai. Pasdite, Kuvendi mblidhej në seancë plenare për të votuar ndryshimet në Qeveri.

Ndryshimet u bënë pa debat, por debat pati për Autoritetin e Dosjeve. Si Enkelejd Alibeaj ashtu edhe Taulant Balla mbështetën propozimin e Autoritetit të Dosjeve. Një ditë më vonë, të premten, Klotilda Bushka doli me një deklaratë nga Kuvendi dhe propozimin për të ndërhyrë në dy ligje; atë për informimin për dosjet e ish-Sigurimit dhe në Kodin Zgjedhor.

Propozimi reflektonte plotësisht kërkesat e Autoritetit, së pari në shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit dhe së dyti qartësimin e detyrimit për t’u verifikuar për kandidatët në zgjedhjet vendore e qendrore.

Por, socialistët nuk depozituan zyrtarisht draftin brenda së premtes. Të hënën Kuvendi nis zyrtarisht pushimet, ndërsa sesioni është deklaruar i mbyllur që në seancën e 21 korrikut. Kjo do të thotë se debati për dosjet dhe për dosjen e dyshuar të Ilir Metës do të shtyhet për në vjeshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë