Editorial

Ilir Meta t’i sfidojë të gjithë me të vërtetën dhe ta publikojë vetë dosjen personale

Publiku i mençur ende nuk e ka të qartë nëse politikani i lartë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit me inicialet I.M është Ilir Meta, ish-presidenti i Republikës apo një tjetër personazh.

Institucionalisht publikut i janë komunikuar vetëm inicialet. Dëshmitë, provat, deduksionet të bëra në media që pohojnë apo mohojnë emrin e ish-presidentit janë të barabarta për nga pesha e faktit.

Përshembull, Simon Miraka ish i përndjekur politik dhe i propozuar për anëtar të Autoritetit të Dosjeve, njohës i mirë i ligjit dhe gjithë procesit administrativ të dosjeve, tha në një intervistë për ABC se ka numrin e protokollit dhe të kërkesës për verifikimin, por njeriu me inicialet I.M thotë nuk është ish-presidenti.

Edhe një intervistë e presupozuar me qytetarin me inicialet F.T, si personi i interesuar për dosjen e ish-presidentit (i vetmi që mund të verë në lëvizje sipas ligjit Autoritetin për të kërkuar një dosje) thotë se nuk është ai.

Në media të tjera u botuan faksimile të Autoritetit drejtuar Parlamentit, ku thuhej se “spiuni” i ish-Sigurimit është Ilir Meta, ish-presidenti. Pastaj kujtime, deduksione, fakte të marra me mend, mbushën gjithë boshllëkun për ta konfuzuar edhe më shumë çështjen.

Për sa kohë nuk kemi një deklarim të plotë dhe zyrtar se bëhet fjalë për ish-presidentin, çdo gjë që thuhet është tymnajë politike dypalëshe.

Dhe për sa kohë është një tymnajë politike, palët e interesuara për dezinformim nuk do të kenë vullnetin për ta zbardhur të vërtetën.

Ndaj i mbetet Ilir Metës, ish-presidentit të thotë të vërtetën. Meqë ai është zotuar te shqiptarët për t’i çliruar nga thundra e Edi Ramës, të fillojë i pari të çlirojë veten nga barra që ia kanë vënë.

Ai ka të gjitha mundësitë të kërkojë dosjen dhe ta bëjë publike detaj më detaj ashtu siç bëri së fundmi edhe vetë Sali Berisha, kur pohoi se personi non-grata i shpallur nga Britania me iniciale ishte ai vetë.

Ligji që të damkosurit e ish-Sigurimit kanë prodhuar vetë për t’i mos i ndëshkuar në karrierat e tyre politike, nuk ia lejon Autoritetit por Ilir Metës ia jep mundësinë.

Ashtu siç F.T i spiunuar nga I.M kërkoi informacion dhe për këtë shkak Autoriteti hapi dosjet, edhe ish-presidenti le të kërkojë dosjen e tij.

Për sa kohë Ilir Meta apo Ilir Metaj thotë se nuk është ai dhe se nuk i trembet së vërtetës, le të gjejë kurajon dhe trimërinë të cilën ai thotë se e ka me shumicë dhe t’i shpëtojë shqiptarët nga makthi i krijuar nga kundërshtarët e tij politikë.

Për sa kohë ai ka një certifikatë pastërtie, Ilir Meta mund të mos e bëjë, por moralisht, njeriu që kërkon të ridimensionojë veten, të “mbledhë shqiptarët rreth flamurit dhe të shporrë të keqen e madhe nga pushteti”, ka detyrim ta fillojë nga vetja provën e besimit.

Ai mund të tërheqë dosjen dhe në mos ia dhënshin, ai ka aq forcë, siç bëri kur si president fizikisht mbrojti selinë e FRPD-së nga policia, ta zotërojë atë dhe pa droje t’ia tregojë publikut.

Me pak fjalë, Ilir Meta është i detyruar të bëjë gjithçka dhe çdo gjë me çfarëdolloj çmim që t’u tregojë vetë shqiptarëve dosjen, nëse ende ka një fije shprese se mund të vazhdojë të qëndrojë në politikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë