Politike

Dosja e ish-Sigurimit, Meta: S’më tremb ligji i PS. Të më hapin letrat që nga çerdhja

Ilir Metën nuk e shqetëson nisma e Partisë Socialiste për të ndryshuar ligjin e dosjeve, pasi këmbëngul se dokumenti për të cilin flet Autoriteti është i falsifikuar dhe se nuk është ai I.M., që përmendet në të.

“Është një përgjegjësi e madhe e Autoritetit të konfirmuar si pjesë e falsifikimit. Autoriteti i Dosjeve e di shumë mirë që Ilir Rexhep Metaj nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Ata e dinë shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin konkret, sepse ndodhet në dy dosje. Ata që e kanë orkestruar këtë skenar, e dinë shumë mirë që Ilir Meta nuk ka ikur ndonjëherë në konvikt”, tha kreu i Partisë së Lirisë.

Meta thirri një konferencë për shtyp dhe jo vetëm ligjin për dosjet, po ftoi socialistët që të miratojnë një dokument a ligj të posaçëm për të hapur të gjithë dokumentet që ndodhen në arkivë për të. “Që nga çerdhja”, tha ai,

Autoritetin e Dosjeve e paralajmëroi se do të mbajë përgjegjësi dhe ajo nuk do të jetë vetëm institucionale.

“Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje ligjore që ka bërë. Do të mbajnë përgjegjësi individuale personat e përfshirë”, u shpreh ai.

Meta thotë se Autoriteti e ka pasur mundësinë që ta verifikonte në 2017 kur u zgjodh President, ndërsa bëri publik edhe qëndrimin e katër deputetëve të Partisë së Lirisë për nismën e socialistëve në Kuvend.

“Jam i sigurt që qëndrimi edhe i deputetëve të Partisë së Lirisë, ka qenë dhe do të jetë transparencë e plotë për cilindo”, u shpreh Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë