Politike

Rama: Meta e promovoi vetë Genta Sulën te Dosjet. Ish-Presidenti: Karikaturist i regjimit

Reagimin e parë në lidhje me dosjen e dyshuar të Ilir Metës si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, Edi Rama zgjodhi ta bëjë përmes një shënimi të gjatë në rrjetet sociale.

Kryeministri shkruan mes rreshtash se si kur kanë qenë në koalicion bashkë, Ilir Meta ka promovuar Gentiana Sulën, që sot ish-Presidenti e akuzon si patronazhiste dhe pjesë e manipulimit të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

“Emrin e zonjës Sula e kam dëgjuar për herë të parë pikërisht nga ish-kryetari i ish-LSI. Si bashkëkryetar asokohe i koalicionit PS-LSI, ai më pyet një ditë: "E njeh këtë Genta Sulën?". "Jo!". "Aaa, duhet ta njohësh! Genta është grua e rrallë, me integritet, e mençur, e zonja shumë, ta çojmë zv.ministre atje tek Veliaj?". "Patjetër!". Dhe më vonë, kur duhej zgjedhur drejtuesi i Autoritetit të sapokrijuar të Dosjeve: "Ore ça opinioni ke krijuar për atë Genta Sulën?". "Dëgjoj fjalë të mira, nuk e njoh nga afër!". "Bëhen kto emërimet tek Autoriteti i Dosjeve, ta çojmë Gentën atje se këta të përndjekurit e ke parasysh… Nuk mbushin mirë!". "Dakord!". "Le të merret Baba Taku me Gentën e me ato punë e ke parasysh?!..". Kështu, me propozim të atij vetë dhe falë një CV-je realisht serioze, Genta Sula u bë kryetare e Autoritetit me votën e shumicës parlamentare të kohës”, shkruan Rama.

Kryeministri shkruan se zonjën Sula e ka takuar vetëm në aktivitete zyrtare, se ka vlerësime pozitive për punën e saj, ndërsa pranon se pas rënies së regjimit një pjesë e mirë e dosjeve janë shkatërruar.

“Gjithashtu ka qenë shumë serioze dhe e vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, puna aspak e lehtë e Autoritetit me trashëgiminë dyfish të tmerrshme të dosjeve. E para, sepse e tmerrshme ishte praktika mizore e Sigurimit të Shtetit komunist dhe e dyta, sepse e tmerrshme ishte barbaria postkomuniste mbi dosjet, ku u futën egërsisht duart e mëkatarëve të kthyer në heronj të demokracisë”, thotë ai.

Më tej, ai thotë se vetë nuk është në gjendje që të thotë me siguri që shtetasi me inicialet I.M., që përmendet nga Autoriteti i Dosjeve është Ilir Meta, por në përballjen mes tyre priret që të besojë Autoritetin. Metën më pas e akuzon për shantazh.

“Mirë të gjitha, po a nuk ju duket pak e çuditshme, që në vend se ta bëjë vetë hapjen dhe publikimin e dosjes, ku akuzohet se gjendet në rolin e spiunit të shokëve, Ilir Meta apo Metaj akuzon e shantazhon Autoritetin e Dosjeve, kryetaren e të cilit siç e thamë e ka zgjedhur vetë?! Mua shumë. Po fakti që në vend se ta mbështesë kërkesën e Autoritetit, për të ndryshuar ligjin që pengon hapjen e dosjeve të politikanëve të cilët janë verifikuar partizançe nga komisioni Mezini a Bezhani, Ilir Meta apo Metaj i hakërrehet kryetares së Kuvendit, me gjuhën e trashur si nga një hall i papritur, a nuk ju bën përshtypje?! Mua po”, shton ai.
Rama e mbyll shënimin duke nënkuptuar se në shtator socialistët do të miratojnë ndryshimet ligjore të kërkuara nga Autoriteti, që do të mundësonte hapjen e dosjeve, përfshirë këtu edhe atë të shtetasit me inicialet I.M.

“Historia e kësaj thele mbi bishtin e gjatë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit është sa befasuese dhe e trishtë në shëmtinë e saj, aq edhe motivuese për një reagim konstruktiv ndaj të shkuarës, përmes institucioneve të shtetit demokratik. Mbase pak e gjatë për ditë të shtune, po kaq deri në shtator për këtë temë”, thotë ai.

Reagimi i Ramës pasoi një postim të ish-Presidentit Meta, që solli një karikaturë të vitit 1983 të Edi Ramës bërë për revistat e regjimit komunist.

“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit. Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve. Pikërisht këtu do të fokusohemi dhe ne për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t'i dhënë ndëshkimin e merituar”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë