Politike

Alibeaj depoziton nismën për dekomunistizimin: Akt për ndarjen nga e shkuara  

Zëdhënësja e grupit parlamentar e PD-së, Oriola Pampuri prezantoi të hënën nga selia e Kuvendit projektligjin për hapjen e plotë të dosjeve të sigurimit të shtetit, një draft që një pjesë e deputetëve të PD-së mbështetur nga Enkelejd Alibeaj synojnë ta depozitojnë për miratim ditën e ndryshimeve ligjore që PS në anën tjetër ka depozituar për dosjet.

“Një nismë kjo që synon ti japë fund njëherë e mirë përpjekjeve politike për të falsifikuar historinë e regjimit komunist dhe përpjekjeve për ta propaganduar këtë të keqe kombëtare.

Në shtetet totalitare, historia rishkruhet, ndryshohet dhe manipulohet në varësi të interesave politike të atyre që udhëheqin nëpërmjet frikës, dhunës dhe terrorit.

foto nga drafti Alibeaj per dekomunistizimin

Një shembull tipik i kësaj sjelljeje me të kaluarën, ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës. Për 45 vite, historia e Shqipërisë u rishkrua dhe u rikonceptua, me qëllim që t’i shërbente jo të vërtetës historike të popullit shqiptar, por konsolidimit të plotë të pushtetit hoxhist, si dhe shtypjes ndaj klasave politike të persektuara. Dhënia e atributeve historike familjarëve të diktatorit apo fshirja e personazheve të ndëshkuara nga regjimi në fotot zyrtare janë vetëm ilustrime të këtij fenomeni.

Fatkeqësisht, megjithëse kanë kaluar 31 vite nga ajo natë e ftohtë e 8 dhjetorit 1990, në qytetin Studenti, ku do të merrte rrugë fundi i pakthim i regjimit totalitar komunist dhe fillim i ndryshimeve demokratike, shteti dhe shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë të ndërtojë një raport të drejtë me historinë e saj 45-vjecare”, tha Pampuri

Ajo nënvizoi se grupi parlamentar ka ndërmarrë nismën për ofrimin e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse që synon dekomunistizimin e plotë të shoqërisë shqiptare.

“Ky projektligj ka për qëllim pranimin me vetëdije të të vërtetës historike të regjimit totalitar komunist, si dhe realizimin e paqes sociale, pajtimin dhe unitetin kombëtar pas një tranzicioni të gjatë shoqëror dhe institucional me përgjegjësinë që në të ardhmen të ndërtohet një shtet i së drejtës, demokratike e social, që ka në themel mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor...”

Përmes këtij projektligji partive dhe organizatave politike iu ndalohet edhe propozimi i kandidatëve për anëtarë të pushtetit legjislativ dhe vendor, përfshirë pozicionin e kreut të shtetit, nëse gjatë veprimtarisë së tyre propagandojnë regjimin totalitar komunist dhe/ose përdorin simbole të tij.

Lustracioni, sipas Pampurit, duhet të jetë akti përfundimtar për ndarjen njëherë e mirë nga e shkuara e errët e komunizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë