Histori

Dita Botërore e Zemrës/ Të mbijetuarit tregojnë shenjat e atakut që çdo njeri i anashkalon

Dita Botërore e Zemrës shënohet çdo vit më 29 shtator në të gjithë globin në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për sëmundjet kardiovaskulare, parandalimin e tyre dhe ndikimin global. Sëmundjet kardiovaskulare (CVD) marrin jetën e rreth 17.9 milion njerëzve çdo vit, sipas të dhënave të mbledhura nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), dhe rezulton në 31% të të gjitha vdekjeve globale. Këto sëmundje, të cilat shfaqen kryesisht si sulme në zemër dhe goditje në tru, shkaktohen nga përdorimi i tepërt i duhanit, dietat jo të shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe abuzimi me alkoolin. Të gjitha këto zgjedhje jo të shëndetshme të jetesës rezultojnë në ngritjen e presionit të gjakut, ngritjen e glukozës në gjak, mbipeshë dhe obezitet, dhe rreziqe të dëmshme për shëndetin e mirë të zemrës.

Në maj 2012, udhëheqësit botërorë u angazhuan për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të rritur parandalimin e problemeve në zemër dhe goditjeve në tru në një përpjekje për të zvogëluar vdekshmërinë globale nga sëmundjet me të paktën 25% deri në vitin 2025. Sipas Federatës Botërore të Zemrës, "Sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për gati gjysmën e të gjitha vdekjeve duke e bërë atë vrasësin numër një në botë".

Dita Botërore e zemrës u themelua për herë të parë në 1999 me Federatën Botërore të Zemrës (ËHF) duke bashkëpunuar me Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH). Ideja e një ngjarjeje vjetore u ideua nga Antoni Bayés de Luna, presidenti i ËHF nga 1997-2011. Fillimisht, Dita Botërore e Zemrës u festua të Dielën e fundit të Shtatorit, me ditën e parë që u mbajt më 24 Shtator 2000.

Federata Botërore e Zemrës është një organizatë joqeveritare dhe që nga fillimi i saj, ka sponsorizuar ngjarje të ndryshme në të gjithë botën, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion dhe madje duke “deklaruar” tema për këtë ditë.

Si duket një atak në zemër?

Malissa Wood, mjeke kardiologe dhe pedagoge në Harvard, thotë se është fakt se gjysma e njerëzve që kanë kaluar një atak zemre nuk i njohin simptomat e tij.

"Njerëzit kanë parë nëpër filma dhe mendojnë se një shtrëngim në gjoks dhe ndjenja se do të shpërthejë zemra janë të vetmet simptoma që tregojnë një atak në zemër dhe kur njerëzit nuk kanë këto simptoma klasike, mendojnë se është diçka tjetër”, thotë Wood.

Wood thotë se kombinimi i keqinformimit dhe mohimit të plotë i ndërlikon gjërat.

"Në thelb nëse ndjeni diçka në shpinë, gjoks, nofull ose dhëmb që nuk e keni ndier më parë, kontrollojeni atë. Për ata që kanë pasur probleme me zemrën më parë, këshilla shpesh vlen akoma. E vetmja gjë uniforme që thonë njerëzit është simptoma që ata kishin herën e dytë ose të tretë ishte shumë e ndryshme nga ajo që kishin ndjerë më parë dhe nuk është gjithmonë dhimbje. Ndonjëherë është vetëm pak siklet”, thotë Wood.

Disa të mbijetuar kanë treguar përvojat e tyre të cilat janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe ato që ata do të kishin dashur ta dinin dhe ta kishin kuptuar më shpejt.

Bill Schaffer, 60 vjeç, Mantua, New Jersey

Bill Schaffer thotë se kishte dhimbje therëse në qendër të shpinës sa herë që ngjitej ose zbriste shkallët. Ndjente se dy gishta po ja nxirrnin zemrën vendit në çdo rrahje. Ai para se të dilte në pension punonte tek ndihma e shpejtë dhe ka qenë gjithmonë dëshmitar i njerëzve që kalonin atak zemre. Ai i dinte simptomat, si dukeshin, si i thanë pacientët e tij se si ndiheshin. Por kur filloi të përjetonte të njëjtat ndjesi, ai i tha gruas së tij se duhej të linte një takim me kiropraktikuesin (Kiropraktikuesi është mjek që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve të Boshtit kurrizor).

Ishte verë 2016. Schaffer sapo kishte mbushur 57 vjeç dhe çdo ditë dhimbja në shpinë intensifikohej sa herë që ngjiste shkallët. Deri të Shtunën, më 27 Gusht.

"Fillova të ndihesha pak çuditshëm para se të haja darkë, i djersitur pa djersitje, më dukej sikur kisha ethe por nuk kisha", kujton Schaffer.

Pastaj, gjatë vaktit ai ndjeu një dispepsi(dhimbje stomaku). Sidoqoftë, ai nuk u shqetësuar dhe vazhdoi darkën.

"Dhimbja filloi të shtohej", thotë ai. Shkoi nga stomaku në shpatull krahë dhe nofull.

Vetëm atëherë e kuptoi se po kalonte një atak në zemër.

Pasi Schaffer kuptoi se çfarë po ndodhte, ai i kërkoi gruas së tij të telefononte 911. Por prapëseprapë ai nuk donte të dukej i sëmurë në sytë e kolegëve të tij. "Doja të dilja jashtë për të pritur ndihmën e shpejtë, kështu që ata nuk kishin pse të ngjiteshin shkallëve, por kisha aq shumë dhimbje sa u detyrova të shtrihesha në dysheme".

Susan Madero, 66, Los Angeles

Në ditën e Shën Valentinit, 2015, Susan Madero ishte ulur në një kinema duke parë American Sniper kur filloi të ndihej shumë e ngopur, sikur të kishte ngrënë një vakt të madh edhe pse nuk kishte ngrënë darkë. Pastaj filloi dispepsia dhe ndjesia e një personi shumë të madh të ulur në gjoksin e saj. Gjithçka brenda brinjëve të saj filloi të shtrëngohej dhe ajo nuk merrte dot frymë. Por Madero e dinte që burri i saj donte të shihte fundin e filmit dhe nuk foli duke menduar se i kishte bërë keq ushqimi që kishte ngrënë në drekë.

"Vetëm kur fillova të kem dhimbje në shpatullën dhe krahun e djathtë, e ndjekur me dhimbje në pjesën e përparme të qafës dhe pastaj deri në nofullën time, mendova se kishte diçka që nuk shkonte”, thotë ajo. Por as atëherë ajo nuk tha asgjë. "Duke qenë një grua, nuk doja të shkatërroja darkën për diçka kaq të vogël, kalimtare”.

Pasi përfundoi filmi ajo i tha burrit të saj se duhej të shkonin në spital. Pasi mbërriti, bëri një EKG (Elektrokardiografi) dhe nuk u zbulua asgjë jo normale kështu që ajo vendosi të shkonte në shtëpi.

Më vonë atë natë ajo u zgjua nga të njëjtat simptoma shqetësuese që përjetoi në kinema, por vendosi të flinte përsëri. Në agim, ajo përsëri nuk po ndihej mirë dhe vendosi të shkonte përsëri në spital dhe sot pendohet pse nuk ka qëndruar atje për analiza të mëtejshme.

Ndërsa EKG-ja e saj e mëparshme ishte normale, një e dytë tregoi diçka tjetër. Madero kishte 100 përqind bllokim në një arterie, 98 përqind bllokim në një tjetër dhe 50 përqind në tre të tjera.

"Unë po kaloja një STEMI, infarkt miokardi", shpjegon Madero. Një STEMI karakterizohet nga bllokimi 100 për qind i arteries zbritëse anteriore të majtë, ajo që transporton një sasi të madhe gjaku në zemër. Nëse bllokohet, zemrës i mungon oksigjeni dhe ndalon së rrahuri.

"Unë kurrë nuk do ta harroj reagimin e kardiologut kur ai pa për herë të parë ato arterie të bllokuara. Ai vetëm tha: 'Uau!'"

Ai e pyeti nëse ajo kishte pasur dhimbje gjoksi. Në fakt, ajo kishte pasur probleme me frymën për disa muaj, por “asgjë shqetësuese”.

"Mendova se ishte thjeshtë mungesë aktiviteti dhe vinte nga fakti se nuk isha stërvitur”, thotë ajo, duke shtuar se ajo beson se rikthimi në stërvitje gjatë ditëve pasuese e bëri atë mjaft të fortë për t'i mbijetuar atakut në zemër.

Robert Neyhard, 70 vjeç, wilkes-Barre, Pensilvani

Neyhard kishte një dhimbje në gjoks në një natë tetori por me një gotë ujë ishte qetësuar dhe nuk kishte menduar më gjatë për këtë.

Dhimbja u kthye pas disa ditësh e dyfishuar por në krahë dhe këmbë.

"As nuk mund të ngrihesha në këmbë", kujton Neyhard, duke pranuar se ishte ndjerë i sigurt se nuk po pësonte atak zemre sepse nuk ndjente dhimbje në gjoks.

Ose ndoshta ajo që Neyhard po ndjente ishte aq e ndryshme nga dhimbja në gjoks që përjetoi gjatë atakut të parë në zemër, në moshën 49 vjeç, saqë nuk mund ta shihte lidhjen. Por, shpejt erdhi në vete dhe e kuptoi se kishte diçka më shumë se një dhimbje normale.

Babai i tij kishte vdekur nga një atak në zemër në moshën 63 vjeç; nëna e tij 36 vjeçe. Kështu, ai nxitoi në shtëpinë e një fqinji, një doktori, vetëm disa shtëpi larg dhe thjesht mori ndihmën e shpejtë.

Dhimbja që e zgjoi nga gjumi “ishte një lloj tjetër dhimbjeje, u zgjat dhe ky ishte nëj element i rëndësishëm”.

Gruaja e tij e nxiti që të shihte  një mjek, por Neyhard vazhdoi të këmbëngulte se ishte thjesht dispepsi e keqe. Në fund të fundit, ai bënte një kontroll çdo gjashtë muaj, ndihej më shumë 40 sesa 70 vjeç.

“Nuk kisha dhimbje. Unë bëja kontrolle çdo gjashtë muaj. Nëse po mohoja çdo gjë, ishte sepse ndihesha mirë", thotë ai.

Por gruaja e tij këmbënguli dhe caktoi një takim për të. Kur Neyhard hyri në zyrë, thotë ai, mjeku i tij menjëherë pas një kontrolli i tha se duhej të shtrohej.

Pas vetëm 10 minutash në urgjencë, mjekët i thanë se ai kishte një javë që po kalonte atak në zemër. Për pesë ditë, ai ishte i mbërthyer me aparatura për ët stabilizuar zemrën e tij.

Neyhard kaloi tetë ditë në spital para se të dilte me një aparat defibrilator, për ta ndihmuar në çdo rast nëse do të kishte probleme me zemrën në të ardhmen.

Cathie Lazarus, 58 vjeç, Manhattan Beach, California

Prezantuesja televizive Cathie Lazarus po bënte palestër kur ra si e vdekur në mes të vendit.

“Isha me trajnerin tim personal dhe vetëm kur rashë në tokë”, thotë Lazaru e cila tregon se kjo është gjithçka që kujton për ngjarjen që për pak sa nuk i mori jetën në moshën 52.

“Unë nuk isha e vetëdijshme për dy ditë", thotë ajo.

Lazarus pësoi një arrest kardiak të papritur (SCA),  i ndryshëm nga një atak në zemër dhe një fenomen që vret më shpesh sesa kursen. Rreth 90 përqind e SCA rezultojnë fatale DHE Vetëm rreth 25 përqind e atyre që mbijetojnë mund të tregojnë ndonjë simptomë që i ka paraprirë SCA-së së tyre.

Personat që ndodheshin në palestër dhe, në fund, mjekët, kaluan gati 30 minuta duke bërë CPR, duke u përpjekur të zgjonin Lazarin.

Lazarus ishte 18 vjeç kur mësoi se kishte një zhurmë në zemër. Por ajo thotë se nuk u interesua kurrë se cfarë ishte.

Pas SCA-së së saj, ajo u diagnostikua me një problem zemre të quajtur kardiomiopati hipertrofike (HCM).

"Nëse dëgjoni ndonjëherë për atletët e rinj që bien në fushë, ata zakonisht kanë këtë sëmundje," thotë ajo, duke shpjeguar se tani ajo ka një pajisje kardiake të implantuar që vepron si një defibrilator në rast të një SCA tjetër.

Angelo Keyes, 54, Dallas

Bodybuilder, futbollist në pension. Angelo Keyes ishte komplet i shëndetshëm deri në vitin 2014 kur ndjeu një tendosje në shpatulla dhe gjoks por nuk mendoi shumë për këtë pasi në ato momente po bënte disa ushtrime.

Ai mendoi të shkonte të shtrihej por më parë do kryente një punë 5 minuta.

Minutat e ardhshme e gjetën atë në tokë dhe këtu e kuptoi se vërtetë po kalonte një atak në zemër. Ai thirri gruan e tij dhe i kërkoi që ta çonte në spital.

Shenjat jetike të Keyes ishin mirë por kishte bllokime në tre arteriet e tij.

"Mjeku erdhi dhe më tha se kisha nevojë për kirurgji urgjente," thotë ai.

Çdo gjë kaloi me sukses por një vit më vonë ai kaloi një tjetër gjendje, përsëri në palestër.

"Unë erdha në shtëpi dhe thjesht nuk ndihesha mirë, por mendova, është për shkak të asaj që kishte ndodhur një vit më parë pasi dhimbja ishte shumë e vogël me atë që kishte ndodhur pak më parë”. E kaloi dhe këtë moment.

Një vit më vonë ai përjetoi të njëjtën gjë deh këtë herë vendosi të shkonte në spital ku pas disa analizash, zbuloi një prirje gjenetike për të prodhuar kolesterol të keq dhe mpiksje.

"Më në fund, mora një shpjegim pse po ndodhte kjo," thotë Keyes, i cili praktikisht ka braktisur mishin në këmbim të një diete kryesisht me bazë bimore. "Unë tani ha biftek ndoshta një herë në javë", thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë