Analize

Diskutimet për ndryshimin e kufijve në Ballkan arrijnë në OKB. Shumë fajësojnë BE-në

Edhe pse janë hedhur poshtë nga të gjitha palët, debatet për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor kanë arritur së fundmi deri në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

OKB shprehu të martën shqetësimin e saj për dokumentet që kanë qarkulluar mbi ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se mbështeste kufijtë territorialë të Bosnje-Herzegovinës.

"Pozicioni ynë mbi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit (1995) dhe e ardhmja e Bosnjë dhe Hercegovinës si një shtet i vetëm i destinuar për komunitetin Euro-Atlantik, mbetet i pandryshuar," i tha Këshillit të Sigurimit ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. Ballkani Perëndimor gjendet në ankth prej më shumë se dy javësh, pas publikimit të një dokumenti që i ishte dërguar BE-së nga Kryeministri i Sllovenisë, duke propozonte bashkimin Kosovë-Shqipëri, bashkimin e Republikës Srpska me Serbinë, aderimin e pjesëve të Bosnjës në Kroaci dhe krijimin e një shteti të vogël boshnjak që do të duhet të vendoste nëse do të shtrëngonte lidhje me BE ose aleatin e saj, Turqinë. Kryeministri slloven Janez Janša mohoi dorëzimin e dokumentit Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel.

Por edhe pse shumica e zyrtarëve të BE thanë se nuk kishin dijeni për dokumentin “fantazmë”, zyra e Charles Michel nuk mundi ta mohonte marrjen e tij. Ashtu si Irlanda dhe Estonia, të cilat janë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Franca gjithashtu pohoi "mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial" të Bosnjës.

Thomas-Greenfield shtoi se "Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin thelbësor të të dërguarit të OKB-së Valentin Inzko për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit."

Por Rusia, e cila po ashtu nuk vë në dyshim integritetin e Bosnjës, sulmoi ashpër Inzkon, duke thënë se ai po manipulonte ngjarjet historike dhe duke kërkuar që ai të mos ishte i përfshirë në marrëdhëniet e Bosnjës me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

 Linda Thomas-Greenfield

"Ai e paraqet situatën sikur serbët e Bosnjës dhe kroatët të ishin fajtorë për të gjitha vështirësitë," tha Anna Evstigneeva, zëvendësambasadorja e Rusisë në OKB.

Shkaktare BE-ja?

Megjithatë, diplomatët veteranë evropianë Miroslav Lajcak dhe Carl Bildt thonë se shkaku për tensionet e fundit në Bosnjë dhe Ballkan është ngecja e procesit të anëtarësimit.

Sipas tyre, vonesat në anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë çuar në shfaqjen e sugjerimeve "shumë të rrezikshme" për rivendosjen e kufijve në rajon, duke  i shtyrë shtetet e rajonit të gjejnë zgjidhje alternative, të cilat mund të çojnë në luftë.

Miroslav Lajcak, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Carl Bildt, ish i Dërguari Special i OKB për Ballkanin, thanë të martën se rënia e ndikimit të BE është arsyeja kryesore për planet e rrezikshme që hidhen për të rishkruar kufijtë në rajon.

Lajcak ishte i pari që shprehu shqetësimin në lidhje me dy dokumentet, ajo e kryeministrit Slloven dhe një tjetër që pretendohet të jetë shkruar nga Franca dhe Gjermania.

E dyta sugjeron krijimin e një republike autonome në pjesën veriore të Kosovës, si pjesë të një marrëveshjeje në të cilën Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës. “Ideja e rishikimit të kufijve nuk është e re. Ajo ka qenë këtu për shumë vite, por doli në pah tani. Unë nuk jam dakord me këto ide. Unë i konsideroj jashtëzakonisht të rrezikshme dhe ide provokuese që mund të çojnë në luftë, ”tha Lajcak.

“Për fat të keq, vizioni i anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor është bërë më i paqartë, më i largët dhe për këtë arsye vendet e rajonit janë më pak të motivuara. Kur ne largohemi nga rajoni, është normale që do të vijnë fuqi të tjera me ide të tjera”, thotë nga ana tjetër Bildt.

Ai argumentoi se zbatimi i ndryshimeve të kufirit do të ishte "përmbushja e ëndrrës së Sllobodan Millosheviçit dhe Franjo Tugjmanit", ish-udhëheqësit e Serbisë dhe Kroacisë.

Analistë të ndryshëm thonë se fakti se vende nga unioni apo OKB po diskutojnë, komentojmë apo edhe me keq shkruajnë të tilla propozime, është një tjetër provë se BE nuk ka agjendë koherente për Ballkanin Perëndimor.

Epoka e zgjerimit në praktikë ka mbaruar. Procesi i pranimit do të vazhdojë, por askush, madje as analistët më optimistë, nuk besojnë se do të ketë një pranim të anëtarëve të rinj këtë dekadë. Kjo, sipas Bildt, vërtetohet nga dokumentet më të hollësishme "alternative" që po punohen nga grupe të ndryshme ekspertësh në Slloveni apo Bruksel.

Nga ana tjetër, agjendat elitare nacionaliste nuk u zhdukën kurrë në Ballkan; ato thjesht u shtypën dhe u penguan nga një Perëndim që shpresonte se procesi i zgjerimit të BE do të shmangte tensionet mes vendeve të rajonit.

"Për këto elita, nëse nuk funksionin Plani A, për anëtarësimin në BE, fillon Planin B, vënia në tryezë e dokumenteve fantazmë për ndryshimin e kufijve," tha Bildt. "Të gjithë po thonë se nuk janë dakord me këto propozime, por të gjithë ata që janë marrë me Ballkanin e dinë se ka mjaft njerëz edhe në BE që mbështesin këto teza," tha ai.

Bildt argumenton se lojtarët e tjerë ndërkombëtarë nuk po bëhen më të fortë në Ballkan, por BE po bëhet më e dobët, duke u hapur rrugën propozimeve të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë