Rend dhe Ligj

Dhunohet efektivi në zonën e Laprakës, njëri prej agresorëve polic i Vlorës

Gazeta Si - Një punonjës policie i forcave "Shqiponja" është dhunuar në zonën e Laprakës në Tiranë këtë të diel nga disa persona, mes tyre një koleg i “Shqiponjave” të Vlorës.

Mësohet se patrulla e policisë ka ndaluar një mjet për kontroll dhe identifikim, në brendësi të së cilit kanë qenë 3 persona.

Drejtuesi i tij, por edhe 2 pasagjerët nuk i janë bindur urdhrit dhe kanë nisur të debatojnë fillimisht me fjalë duke kundërshtuar. Mësohet se mes tyre ka pasur edhe përleshje fizike.

Policia bën me dije se efektivët e “Shqiponjave", kanë konstatuar dy shtetas duke debatuar me njëri-tjetrin dhe njëri prej të cilëve mbante një çantë, në dukje me një send në formën e armës së zjarrit në rrugën "Lord Bajron", në Laprakë, rreth orës 12:30.

Sipas burimeve, drejtuesi i mjetit që është ndaluar rezulton të jetë punonjës policie në Vlorë, edhe ai i "Shqiponjave".

Për shkak të situatës së krijuar dhe kundërshtimit që u ka bërë kolegëve të Tiranës, bashkë me 2 miqtë vlonjatë që e shoqëronin, në ndihmë kanë shkuar edhe 7 patrulla policie, të cilat kanë neutralizuar situatën.

Ndodhur në këto rrethana, shërbimet e Policisë kanë kërkuar mbështetje dhe më pas është bërë shoqërimi i tyre në komisariat.

Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se shtetasit quhen L.M., dhe R.M., (shtetasi R.M. është punonjës Policie në DVP Vlorë). Për ndjekjen e mëtejshme të këtij rasti është duke kryer veprime AMP-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë