Rend dhe Ligj

Dhoma e Avokatisë Greke në Tiranë, ‘presion’ Ramës: Të lejojë Belerin të betohet si kryebashkiak i Himarës

Gazeta Si - Dhoma e avokatëve grekë i kanë kërkuar kryeministrit Rama të ndikojë në gjykatë për lirimin e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.

Në një deklaratë për mediat, juristët grekë kërkojnë që Beleri të shoqërohet me forca policie për të marrë detyrën.

Pak pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që e la në burg Belerin, kryetari i Asamblesë së Dhomave të Avokatisë greke, Dhimitros Vervesos dhe Presidenti i Avokatëve pa Kufij, Patrick Heny, i drejtohen kryeministrit Rama, duke deklaruar se Shqipëria po shkel Konventën Europiane për këtë çështje.

“Kryeministri shqiptar duhet t'u japë autorizimin e nevojshëm vartësve të tij, përkatësisht Drejtorit te Institucionit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale të burgut të Durrësit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke i lejuar ata të lehtësojnë transportin e Belerit për në Himarë, të shoqëruar nga oficerë policie, në mënyrë që të bëjë betimin e detyrës”, - thanë avokatët.

Asambleja e Dhomave të Avokatisë greke, ka përgatitur një raport me 5 pika mbi rastin e arrestimit të Fredi Belerit.

Pika e parë flet për shkelje të nenit 3 të protokollit nr.1 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila parashikon të drejtën e një individi për të dalë si kandidat në zgjedhje dhe nëse zgjidhet të ketë të drejtën për të ushtruar efektivisht mandatin e tij.

Pika tjetër ndalet te neni 10 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku asambleja shkruan se ndalimi i Belerit cenon të drejtën e shprehjes së tij politike.

Pika e tretë ka të bëjë sipas avokatisë greke me shkelje të nenit 6 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të njeriut, mbi komentet e bëra nga Kryeministri Edi Rama, ku asambleja pretendon se ka shkaktuar dëme ndaj Belerit ën opinionin publik si dhe në vendimmarrjen e gjykatës.

Pika e parafundit i referohet shkeljeve të parimit të proporcionalitetit , mbi paraburgimin e Belerit për më shumë se 4 muaj.

Pika e fundit, ka të bëjë sërish me Kryeminsitrin Edi Rama mbi konstatimin e tij se “Belerin po e pengojnë autoritetet gjyqësore për të dalë nga burgu dhe të bëjë betimin. Sipas avokatisë nuk ka asnjë vendim gjykate që e ndalon Belerin të betohet.

Sot, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje. Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë