Futboll

Dështimi në “Rusi 2018”, Brazili mund të vazhdojë me Tite

Humbja me Belgjikën çoi edhe një herë tjetër në shtëpi Brazilin pa trofe me vete. Skuadra “Selecao” u mund nga një Belgjikë shumë e fortë dhe e organizuar në pothuajse të gjitha aspektet. Edhe një tjetër botëror pa trofe dhe mediat braziliane pyesin nëse duhet të vazhdohet më tej me trajnerin Tite, apo duhet të fillojë një projekt i ri për kampionatin botëror “Katar 2022”.

Tite pas ndeshjes me Belgjikën nuk preferoi të fliste për të ardhmen duke thënë, “Nuk mund të them asgjë për të ardhmen, ky është një moment emocional”.

Për një gjë të paktën Tite ka të drejtë në sjelljen e tij pas ndeshjes. Ai nuk u nxitua të jepte një deklaratë pas humbjes, siç ndodh zakonisht me trajnerët, që më pas ndodh që të tërhiqen dhe ta modifikojnë atë.

Për pjesën më të madhe të medieve vendase, Brazili u largua nga ky botëror si një skuadër e pafat dhe pa lider në fushë. Puna e Tite nuk është hedhur poshtë në asnjë moment duke e vlerësuar atë për mentalitetin e ri që ka futur në kombëtare, por mbi të gjitha për stabilitetin mes reparteve, një gjë që tek Brazili mungonte prej shumë kohësh, ndoshta që nga ekopa Skolari kur fitohej botërori në vitin 2002

Dy gola të shpejtë në pjesën e parë të belgve dhe një paraqitje fantastike e portierit Kurtua, i kanë nxjerrë jashtë këtij kompeticioni brazilianët që deri në atë moment ishin pretendentët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës.

Për mediat braziliane, kombëtarja e vendit të tyre më në fund është një ekip modern dhe do të ishte mëkat nëse arkitekti i kësaj skuadre do të largohej pikërisht në këtë moment. Tite konsiderohet si një trajner i kompletuar, që  ka dhënë shumë për këtë skuadër, por që gjithashtu ka eksperiencën e duhur për ta sjellë Kupën e Botës për herë të gjashtë në Brazil, nëse ai nuk ia del vështirë se dikush tjetër mund ta bëjë.

Në 26 ndeshje nën drejtimin e tij, Brazili ka humbur vetëm dy përballje, por kjo e fundit me Belgjikën rezultoi të ishte fatale. Me 56 gola të shënuar dhe vetëm 8 të pësuar, Brazili është një ekip shumë i kompletuar dhe për më tepër, strategu Tite është kujdesur që edhe mosha mesatare e skuadrës mos të jetë më shumë se 28 vjeç, ç’ka do të thotë garanci edhe për botërorin e ardhshëm.

Foto ilustruese (Tite)

Nëse ka një gjë për të cilën mediat braziliane fajsojnë Tite-n është fakti se Brazili i tij është shumë i varur nga Nejmar. Pasi është pikërisht ky i fundit që po konsiderohet si fajtori kryesor për disfatën e Brazilit në këtë botëror.

“Nejmar nuk mund të jetë kurrësesi lideri i një Brazili që mund të fitojë Kupën e Botës”, është ky përfundimi i pjesës më të madhe të medieve vendase.

“Dagllas Kosta mund të ishte përdorur më shumë dhe më shpejt, ndërsa për Nejmar janë djegur shumë mundësi që ai nuk ka ditur t’i shfrytëzojë. Brazilit i mungon një “De Brynje” që të zgjidhi ndeshjet kur ato komplikohen”, shkuante vetëm tre ditë më parë gazeta më e madhe braziliane, “Oglobo”

“Para se të shkojmë tek eleminimi ne duhet të shikojmë anën pozitive. Brazili ishte skuadra e eleminuar që luajti më mirë dhe kjo është falë transformimit që ka sjellë Tite te kjo skuadër”, ka thënë Marvio dos Anjos në një analizim të kombëtares “Selecao”Ndërkohë një nga legjendat e futbollit brazilian, Tostao pas ndeshjes për një nga televizionet vendase është shprehur, “Tite ka bërë një punë shumë të mirë dhe unë mendoj se duhet të vazhdojë, por duke bërë disa ndryshime të vogla”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë