Futboll

Dëmtim serioz për Sadikun, Guri gjen golin e parë belg

Nga Fatjon Rupi - Një lajm i keq dhe një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçin: Armando Sadiku ka pësuar një dëmtim serioz në gju dhe do të mungojë gjatë, ndërsa sulmuesi tjetër, Sindrit Guri, gëzon një formë të mirë dhe ka shënuar golin e parë në kampionatin belg. Sadiku ka humbur të paktën ndeshjen e parë të Nations League me Izraelin, që luhet më 7 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri Panuçi nuk do të ketë në përbërje të ekipit autorin e golit historik për Shqipërinë në Europianin e Francës.

Armando Sadiku nuk po kalonte një moment të mirë te Levante, ku kaloi pas përvojës së pasuksesshme me Legian e Varshavës në kampionatin polak. Skuadra spanjolle madje kërkoi ta shiste sulmuesin shqiptar, por situata mbeti pezull nga dëmtimet e sulmuesve të Levantes. Elbasanasi ishte në pritje të shansit të tij, por gjatë miqësores me Herenvenin, një përplasje me një lojtar kundërshtar rezultoi fatale për të. Sadiku la fushën e lojës me ndihmën e stafit mjekësor, pasi pësoi një dëmtim serioz në gjurin e majtë.

Armando Sadiku del nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor, pas dëmtimit

Klubi spanjoll komnfirmoi shkallën e rëndë të dëmtimit me një komunikatë në faqen zyrtare, duke bërë me dije se futbollisti shqiptar duhet të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave për shkak të këtij dëmtimi. Vizitat e detajuara do të saktësojnë kohën e rikuperimit. Kjo do të thotë se trajneri Panuçi nuk duhet ta llogarisë Sadikun minimalisht për ndeshjen e shtatorit me Izraelin. Italiani e kishte lënë jashtë lojtarin në fjalë në miqësoret e fundit, por sigurisht që e kishte në plane për ndeshjet zyrtare.

E kundërt është situata për sulmesin tjetër, Sindrit Gurin, për të cilin aventura belge ka nisur në mënyrën më të mirë. Një  pasim goli në ndeshjen e parë, që skuadra e tij, Ostende, e fitoi 2-1, dhe një gol në ndeshjen me Anderlehtin e Kristal Abazajt. Anderlehti fitoi 5-2, ndërsa Guri shënoi golin e parë për ekipin e tij, duke e futur atë në lojë, por më pas Ostende pësoi edhe 3 gola të tjerë. Shkodrani realizoi bukur në zonë, pas një pasimi tokazi nga e djathta. Ky ishte goli ë parë zyrtar për të në kampionatin belg dhe e ka shënuar pikërisht ndaj ekipit më të madh. Abazaj nuk është aktivizuar me Anderlehtin, pasi ka një dëmtim që e ka lënë jashtë skuadrës për momentin.

Sindrit Guri (majtas), gjatë ndeshjes ndaj Anderlehtit

Duhet theksuar fakti se këtë ndeshje e ndoqi nga afër edhe trajneri kuqezi, Kristian Panuçi, i cili ka parë vetëm Gurin në aksion dhe duket se i ka sjellë fat atij. Titullar në të dyja ndeshjet e deritanishme të kampionatit, futbollisti shkodran ka treguar një formë shumë të mire. Maja e sulmit i është besuar pikërsht atij. Ostende ka 3 pikë në 2 ndeshjet e para dhe është shumë e rëndësishme që për Gurin gjithçka ka nisur mbarë.

Shkodrani është grumbulluar nga trajneri Panuçi për miqësoret e fundit, ndërsa tani duket se ka ardhur momenti që ai të debutojë me Shqipërinë në ndeshjet zyrtare. Panuçi mund të mbështetet tek i riu shkodran dhe te Cikalleshi për majën e sulmit, pasi Sadiku nuk është në dispozicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë