Analize

“Déjà Vu” në Egje dhe Mesdhe Lindor, të njëjtët aktorë dhe të njëjtat probleme

Nga Glevin Dervishi - Ditët e fundit është vënë re një riaktivizim i tensionit mes Greqisë dhe Turqisë për zonat detare në Egje dhe Mesdheun Lindor. Skenari duket i njëtë më atë të vërës që shkoj, pasi çështjet që qëndrojnë në qendër të këtij tensioni janë të njëta dhe ende pa zgjidhje ç’ka për fat të keq do të vijonë të prodhojnë tensione e kriza ciklike. Qipro, doktrina e përbashkët e sigurisë kombëtare Greqi-Qipro, delimitimi i hapësirave detare, menaxhimi i hapësirës ajrore, burimet natyrore, deri tek kontestimi për përkatësinë mbi ishujt/grupet shkëmbore, banimin dhe milatrizimin e këtyre ishujve përbëjnë bazën e këtij tensioni permanent në raportet dypalëshe. Por ajo që po dominon këto kohë këtë krizë është dimensioni rajonal i këtij tensioni për arsye që dalin përtej përplasjes tradicionale dypalëshe Greqi-Turqi.

Gjatë 6 viteve të fundit, studimet e kryera për burimet natyrore në Mesdheun Lindor kanë evidentuar rezerva të mëdha të gazit në det duke e shndërruar zonën në një arenë kryesore strategjike, ku konvergojnë vijat ndarëse më të mëdha gjeopolitike, që përfshijnë Bashkimin Evropian, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut duke rikthyer vëmendjen e fuqive të mëdha tradicionale në këtë rajon. Këto studime kanë zbuluar fushën e madhe të gazit natyror në zonën detare egjyptiane të Zohr nga ana e kompanisë energjetike italiane “ENI” në gushtin e vitit 2015, fushën Aphrodite në ZEE e Qipros dhe fushat Leviathian e Tamar në ZEE e Izraelit. Natyrisht kompani të tilla prestigjoze në një treg agresiv si ai i burimeve natyrore në sipërmarrje të tilla nuk janë vetëm, ato janë në bashkërendim me vendet e tyre gjatë operimit në këtë sektor shumë të ndjeshëm, i cili në thelb është me impakt politik dhe gjeostrategjik.

Kompania “ENI” që në të njëjtën kohë po kryen shpime sizmike rrotull ishullit të Qipros, paraqiti një plan ambicioz për të grumbulluar gazin qipriot, egjyptian dhe atë izraelit, ku duke përdorur gazsjellësit ekzistues në Egjypt synon ta sjellë gazin në Evropë me një kosto të ulët. Ky plan mori menjëher një dimension të fortë strategjik pasi mënjanonte Turqinë dhe infrastrukturën e saj të gazsjellësve, duke u rënë ndesh planeve të Ankarasë për t’u shndërruar në një fuqi energjetike rajonale. Efekti i përplasjes u ndje menjëher kur marina turke filloj të kryente operacione të mbikëqyrjes së afërt ndaj anijeve italiane të kontraktuar nga “ENI” që ekplorojnë në ZEE e Qipros, çka solli dhe angazhimin e marinës ushtarake italiane në mbrojtje të anijeve të “ENI”.

Tensioni u përshkallëzua më tej në vitin 2018, kur gjiganti energjetik francez “TOTAL” u ftua në partneritet nga “ENI” në të gjitha operacionet e kërkimit të gazit në Qipro, duke i dhënë një goditje tjetër Turqisë dhe solli angazhimin direkt tashmë të marinës ushtarake franceze në zonë. Ky veprim përveç Italisë bëri dhe Francën palë të interesuar direkt për rezervën energjetike të Mesdheut Lindor. Nga ana tjetër Qipro ra zyrtarisht dakord të shfrytëzojë infrastrukturën e Egjyptit për eksportin e gazit si një mundësi për të siguruar jo vetëm daljen në tregun evropian por edhe të pasjes së sigurisë franceze dhe italiane në ZEE-në e vetë përball Turqisë.

Në ekucionin gjeopolitik të rajonit u shtua dhe lëvizja e Izraelit i cili nënshkroi një kontratë për t’ia shitur gazin e vet Egjyptit, ndonëse më parë kishte planifikuar të ndërtonte një gazsjellës nënujor Izrael-Turqi. Në frontin e ri Egjypt-Izrael-Qipro-Greqi, përveç prezencës ushtarake të Francës dhe Italisë janë të interesuara dhe Shtetet e Bashkuara, jo vetëm prej faktit që kompani nga këto shtete kanë investime të rëndësishme ekonomike mbi gazin e Mesdheut Lindor, por edhe prej rëndësisë strategjike që ka mbajtja e angazhuar e Izraelit dhe Egjyptit në të njëjtin projekt. Si kundërpërgjigje Turqia vendosi të kryej eksplorime dhe shpime në ZEE qipriote, të shoqëruar nga luftanijet turke, si dëshmi e faktit që Ankaraja kundërshton kufijtë e zonave detare të Qipros, të cilat Turqia mendon se cënojnë interesat e saj. Turqia e vlerëson çpimin në zonë si detyrim për të mbrojtjur të drejtat e turqve qipriotë në gjysmën veriore të ishullit, të cilët kanë mbetur jashtë aksesit në rezervat e gazit natyror të Qipros, pavarësisht se janë bashkëpronarët e ligjshëm të burimeve natyrore të ishullit të ndarë.

Projektet për gazin nxorrën dhe njëherë në pah ndërlidhshmërinë e një sërë nën sistemesh në Egje dhe Mesdhe Lindor, madje shpesh ato janë si zgjatime të kontestimeve dypalëshe Greqi-Turqi por që ndikojnë mënyrën si aktorët veprojnë. Për të kundërbalancuar aksionin diplomatik greko-qipriot në Egje dhe Mesdhe Lindor, Turqia nënshkroi me Qeverinë e Akordit Kombëtar (GNA) të Libisë në nëntorin e 2019-ës memorandumin e mirëkuptimit për Delimitimin e Shelfit Kontinental dhe ZEE. Një memorandum nga ku përftohet një vijë delimituese e cila i mohon ishujve grek ekzistencën përveç mohimit të Shelfit Kontinental, ZEE-së, si dhe të drejtat sovrane mbi burimet energjitike në këto zona. Por ky memorandum Turqi-Libi nga ana tjetër u sfidua shpejtë ligjërisht nga marrëveshja e 6 gushtit 2020 Greqi-Egjypt për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe ZEE-së mes tyre. Tensioni për gazin dhe zonat detare u eksportua në një trajtë tjetër në Libi ku Turqia nënshkroi një pakt të bashkëpunimit ushtarak me GNA-në duke i dhënë asaj ndihmë kundër forcave të gjeneralit Kalifa Haftar, të mbështetur nga Franca dhe Egjypti. Kjo lëvizje e Ankarasë i jep asaj një platformë ushtarake prej nga ku ajo mund të sfidojë Qipron, Egjyptin dhe Greqinë mbi kufijtë detarë të Mesdheut Lindor, duke e tërhequr fokusin dhe angazhimin e këtyre aktorëve në një rajon tjetër.

Shënim: Hartat e mëposhtme paraqesin zonat ku janë kryer kërkimet sizmike si dhe rrugët e kalimit të gazit drejt BE-së

Nga ana tjetër për të vendosur në pozitë sfiduese Greqinë në Mesdheun Lindor, Turqia gjatë verës së shkuar dërgoi një ekspeditë të kryesuar nga anija e shpimeve “Oruç Reis”, të shoqëruar nga një grup detar prej 5 luftanije turke në ujërat e kontestuara pranë ishullit të Kastelorizo. Aksioni turk si rezultat i tensionit që krijoj është ndjekur me kujdes nga fuqitë e tjera rajonale, evropiane dhe më gjërë ku pavarësisht mbështetjes për Greqinë, as Egjypti dhe as Izraeli nuk mund t’i lejojnë vetes një konflikt me Turqinë në Mesdheun Lindor. Nga ana tjetër BE-ja e ka shprehur mbështetjen e saj për 2 anëtarët Greqinë dhe Qipron, por blloku nuk është tërësisht i unifikuar pasi 6 vendet mesdhetare të BE-së, janë të ndara përkatësisht 3-3. Greqia, Qipro dhe Franca mbrojnë një qasje jo toleruese kundër Turqisë, ndërsa Italia, Malta dhe Spanja që kanë interesa të mëdha tregtare me Turqinë në Mesdhe e refuzojnë këtë qasje. Gjermania është ajo që mund të diktojë një zgjidhje si aktor i besueshëm për palët. Ndonëse Berlini zakonisht i jep përparësi interesave të Parisit në Mesdhe, sërish ai është i prirur ta mbajë Ankaranë sa më të angazhuar me BE-në si një mundësi për të reduktuar tensionin.

Gjatë kësaj periudhe Ankaraja ka manovruar në ujra të trubullta por tek të cilat ka parë dhe një mundësi taktike për tu riangazhuar me perëndimin, ndaj së fundmi riaktivizimi i operacioneve kërkimore me anijen eksploruese “Çesme” në ujërat rrotull Kretës, mund të shihet si një instrument për tu rifutur në bisedime. Palët u takuan pas 5 vitesh në janar të këtij viti në kuadër të takimit të 61 të mekanizmit të tyre në Stamboll, por nuk patën ndonjë arritje domethënse që mund të tejkalonte ngërçin për diferencat që kanë, ndaj duket se tashmë të dy vendet janë në prag të tensionit të radhës sërish për të njëjtat çështje.

Greqia në këtë krizë të re, të parën për vitin 2021, e gjen veten diplomatikisht më të favorizuar përballë Turqisë, pasi ja ka arritur që të ketë Francën më pranë pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e 18 avionëve “Rafale” si dhe është në tentativë për të pasur fuqi të tjera evropiane në anën e saj nëpërmjet blerjeve që synon të bëjë për fregatat shumërolëshe dhe sistemet e tjera të mbrojtjes. Dy ditë më parë nisi misioni eksplorues i anijes turke “Çesme” në ujrat pranë Kretës, dhe mënjëher u njoftua që aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle” do të rikthehet në Mesdheun Lindor pas pak ditësh për manovra të përbashkëta me marinën ushtarake greke, një dëshmi kjo e efikasitetit të diplomacisë ushtarake të blerjeve të fundit, por edhe e partneritetit për sigurinë energjetike.

Situata pritet të njoh një tension më të madh në orët që vijnë pasi Turqia ka vendosur që ti tendos muskujt duke e shoqëruar misionin e ri eksplorues me manovrën detare më të madhe të vitit “Mavi Vatan” (Atdheu Blu) që sapo ka nisur dhe do të vazhdoj deri në datë 7 mars. Kjo stërvitje në fakt është filozofia e re detare e vendit dhe në thelb ajo është vizioni kombëtar i Turqisë për të qenë një fuqi detare rajonale dhe më gjerë. Ky vizion i shkon në ndihmë tezës turke për mos ndryshim të regjimit detar në Egje dhe Mesdhe Lindor, peshë më të madhe të pllakës kontinentale të Anadollit përballë ishujve të Egjeut dhe vendosjes së Truqisë në qendër të projekteve energjetike në rajon. “Mavi Vatan 2021” është konceptuar si një stërvitje komplekse që koordinohet nga Komanda e Forcës Detare por që ndërthur dhe Forcën Ajrore dhe Tokësore për të rritur ndërveprueshmërinë sipas konceptit të “joint force”. Ajo synon që përveç demonstrimit të forcës, prezencës së madhe detare, vendosjes së autoritetit detar ka për objektiv rritjen e kapaciteteve detare turke që së shpejti në bazë të projekteve që kanë në zhvillim e sipër synojnë një forcë detare të aftë të ndërmarrë operacione në nivele oqeanike me autonomi të lartë operimi dhe dislokimi. Është pikërisht ky indikator shumë i rëndësishmëm dhe ky status i ri në arenë ndërkombëtare që synon Turqia, shqetësimi real në rritje për Greqinë të cilës do ti duhet të rillogaris mjedisin e saj të ri të sigurisë. Ky objektiv legjitim turk që shkon përtej Egjeut dhe që tashmë përfshin dhe aktorë të tjerë në skenë si rezultat i burimeve energjetike do ti imponoi Greqisë një zgjedhje të vështirë. Alternativat mbeten të pakta dhe ato rrotullohen mes:

I. Thellim të blerjeve në fushën e mbrojtjes. Kjo do të thotë për Greqinë rrezik për krizë ciklike financiare por që prodhon siguri diplomatike, e thënë ndryshe bashkë me armatimin “ble” mbrojtjen e shtetit prodhues. Kjo alternativë duket efikase për momentin, por në terma afatgjatë rrezikon ta çoj Greqinë sërish në një shtet klient të industrisë së luftës dhe për pasojë orientimin e financave kombëtare drejt sektorit të mbrojtjes dhe jo zhvillimit, mirëqenies dhe progresit ekonomiko shoqëror.

II. Thellim të partneritetit diplomatik me fuqitë perëndimore për të balancuar aksionin turk. Kjo alternativë e vendos Greqinë në pozitë pritëse të dinamikave Turqi-Perëndim dhe Turqi-NATO, pasi pesha e Turqisë në një rajon të trazuar është e pa zëvendësueshme sepse mbi të gjitha një Truqi “e bindur” dhe partnere e strukturave Euro-Atlantike është prioritet i dorës së parë për fuqitë perëndimore. Thellimi i diferencave dhe kursit të përplasjeve Turqi-Perëndim është një skenar që e vendos Greqinë në qendër të dobishmërisë për perëndimin.

III. Limitim të ambicies turke për një status të ri si fuqi detare dhe të mbajtjes së Turqisë larg projekteve energjetike të unazës së Mesdheut. Kjo mundësi është më idealia për Greqinë por që është tërësisht jashtë ndikimit grek dhe qipriot, ajo varet së pari nga projeksioni i fuqisë turke, sjellia e Turqisë në raport me Perendimin, rolit të Turqisë në Lindjen e Mesme, interesit të fuqive evropiane për të pasur ose jo një Turqi të vendosur në qoshe por që do të prodhonte një qasje agresive me pasoja. Jetësimi i kësaj mundësie për Greqinë përveç aspektit financiar shërben dhe si një mënyrë e çimentimit të aleancës me fuqitë mesdhetare dhe globale të interesuara për basenin mesdhetar.

IV. Përzgjedhje mes interesit strategjik për të ruajtur sovranitetin në Egje vs kontrollit të ëndrrës turke për një status të ri si fuqi detare dhe mbajtjen largë prej pjesmarrjes në projektet energjetike rajonale. Deri më tani kursi i veprimit politik, diplomatik dhe ushtarak i Greqisë ka qënë një përzierie mes veprimit individual grek për ruajtjen e sovranitetit në të gjithë sistemin e Egjeut, por edhe të veprimit kolektiv që garanton sigurinë si për Qipron apo dhe projektet energjetike në Mesdhe Lindor. Ky mekanizëm i ka mundësuar asaj shmangien e një përplasjeje dypalëshe dhe uljen e kostos së angazhimit duke pasur fuqitë e tjera në krahë si forcë shkurajuese, por nuk garanton kurrë një siguri absolute në çdo moment. Greqia e ka të vështirë ti shohi të ndara këto prioritete në kushtet e ndërvarësisë së nën sistemeve të Egjeut dhe Mesdheut Lindor.

V. Angazhim dypalësh me Turqinë por me terma të reja. Ky skenar mund të realizohej në kushtet kur në Greqi do të arrihej së pari konsensusi kombëtar për ndërmarrjen e vendimeve të vështira në raport me Turqinë, si dhe pasjen e një aktori të tretë në rolin e garantit të zbatimit të një marrëveshje të mundshme dypalëshe. Duket se klasa politike dhe shoqëria greke nuk janë ende në pikën që të ndërmarrin hapa të tilla të vështira të cilat sërish varen shumë nga limitet se deri ku palët mund të shkojnë në lëshimet mes tyre. Deri në skicimin e një rrugëdalje, limiteve dhe vullnetit të palëve për ti qëndruar një dakordësie të mundshme, zgjidhja e vetme është një shtyrje në kohë e këtij vendimi por që nuk garanton siguri.

Mbështetur në faktin që problemet janë aty, të njëjtat, të pa ndryshuara, madje duke u shtuar çështjet dhe aktorët gjasat janë që krizat të përsëriten sërish ndoshta dhe me një intensitet të shtuar. Për të kuptuar këtë do të mjaftonte vetëm të shohim statistikat ku të paktën në 5 vitet e fundit numri i fërkimeve, provokimeve, incidenteve në tokë, det dhe ajër si dhe kalimi në gatishmëri maksimale të ushtrive ka njohur vetëm rritje. Për momentin aktorët do të vijojnë të ndjekin me kujdes dhe frikë çdo lëvizje të palës tjetër duke ikur me shpresën që nuk do të ketë ndonjë incident të nxehtë që mund të përflaki ekuilibrat e brishtë në basenin mesdhetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë