Ekonomi

Decentralizimi i pushtetit vendor në ngërç, pabarazia mes bashkive e lartë

Sabina Veizaj-Financat vendore kanë një nivel shumë të ulët autonomie.Varësia dhe mbështetja në transfertat nga qeveria qendrore ka nxitur një sjellje ‘dembele’ dhe deri diku ‘oportuniste’ të bashkive: ulje të stimujve për të siguruar të ardhura nga burimet e veta vendore e për të marrë vendime ekonomikisht eficiente dhe, për pasojë, ulje të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë përballë komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Këto janë konkluzionet e një studimi të Cooplan në lidhje me se si ka funksionuar reforma administrative territoriale në aspektin e decentralizimit.

Autonomia financiare

Cooplan vlerëson se nuk ka patur asfare përmirësim në drejtim të autonomisë financiare të njësive administrative. Mesatarisht, treguesi ka shënuar nivelin 25.6% në vitin 2010, 25.2% në vitin 2015 dhe në fund të vitit 2017 rreth 27.0%. Raporti vë në dukje që, gjatë kësaj periudhe, në shumë bashki në vend janë aplikuar rritje në taksat dhe tarifat vendore. Autonomia financiare, citon raporti, luhatet nga një nivel minimal prej rreth 27.0% në maksimalisht 57.1% (bazuar në të dhënat për vitin 2017). Në të gjitha rastet, niveli i autonomisë vendore vlerësohet i ulët krahasuar me nivelet referencë prej 80% sipas Bankës Botërore (2018)  dhe me diferenca të theksuara ndërmjet bashkive. Ndonëse në terma nominalë shpenzimet e qeverisjes vendore janë rritur,  niveli i autonomisë vendore/decentralizimi fiskal, mbetet shumë i ulët. Sjellja e qeverisjes qendrore përkundrejt qeverisjes vendore duket të ketë prodhuar pabarazi të theksuara në nivel bashkie, duke lënë të paadresuara nevojat reale të komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Shpërndarja e buxhetit

Shpërndarja e buxhetit vendor mes bashkive është qartë diferencuese referuar raportit. Rezulton se bashkia Tiranë ka një buxhet rreth 14 herë më të lartë se mesatarja kombëtare apo rreth 307 herë më të lartë sesa bashkia më e vogël.

Kurse bashkitë Elbasan, Durrës, Fier dhe Shkodër, kanë buxhet rreth dy herë më të lartë se mesatarja kombëtare dhe rreth 48 herë më të lartë se ai i bashkisë me buxhetin më të vogël.

Raporti evidenton se e njëjta panoramë rezulton edhe në rastin kur konsiderohen të ardhurat nga burime të veta vendore për frymë, si një tregues më i drejtpërdrejtë për vlerësimin e decentralizimit fiskal dhe të autonomisë vendore. Gjatë viteve të marra në konsideratë për studim, të ardhurat nga burimet e veta për frymë janë rritur. Veçanërisht rritja është e theksuar nga viti 2015 me një nivel prej rreth 2,995 lekësh për frymë në rreth 4,665 lekë për frymë në vitin 2017.

Rritja e të ardhurave për frymë nuk është i njëjtë në të gjitha bashkitë, por ka ardhur nga nga burimet e veta të bashkive respektove në një numër të kufizuar bashkish dhe nën efektin e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Kështu që ka një hendek të madh mes të ardhurave mes bashkive. E për rrjedhojë bashkitë vijojnë të performojnë nën mesataren kombëtare.

Raporti konstaton se shpërndarja e buxheteve vendore dhe ecuria e të ardhurave të veta për frymë tregojnë efektivitet selektiv të reformave decentralizuese në një numër të kufizuar bashkish. Kjo kategori bashkish operon në kushte të favorshme, ashtu si dhe tregohet nga numri i bizneseve të lokalizuara në territor dhe nga popullsia banuese. Ndërhyrjet e deritanishme në funksion të decentralizimit, veçanërisht fiskal, duket të kenë pasur efekte të kufizuara për rreth 75% të bashkive në vend, të cilat vijojnë të gjenerojnë të ardhura të kufizuara nga burimet e veta (nën mesataren kombëtare).

“Ndërhyrja me transfertat ndërqeveritare deri diku tenton të zbusë pabarazitë e krijuara, por në aspektin e autonomisë vendore, kjo lëvizje rrit varësinë e bashkive ndaj qeverisjes qendrore duke krijuar një rreth vicioz. Kjo e fundit ngre pikëpyetje të mëdha për reformat dhe ndërhyrjet e deritanishme decentralizuese vertikale (nga qeveria qendrore në atë vendore). Mungesa e vazhdueshme e të ardhurave, nën kufizimin e hapësirës për huamarrje vendore, është pasqyruar në nivelin e lartë të detyrimeve të prapambetura të bashkive në vend (në vitin 2017 rezultoi 9.2 miliardë lekë ose rreth 75 milionë euro nga një nivel prej rreth 11.8 miliardë lekë ose rreth 94.4 milionë euro në vitin 2015).”- citon raporti.

 Shpenzimet totale të qeverisjes vendore rezultojnë të jenë rritur pas zbatimit të TAR nga 13.5% e shpenzimeve të përgjithshme të qeverisë në vitin 2010, në rreth 17.4% në vitin 2017.

 Raporti i transfertave ndërqeveritare ndaj të ardhurave nga burime të veta vendore rezultoi rreth 2.7 në vitin 2017, nga rreth 2.9 që ishte në vitin 2015. Sipas raportit, transfertat ndërqeveritare vijojnë të dominojnë strukturën e burimeve financiare vendore me rreth 73.0% ndaj totalit. Shpenzimet totale për frymë vlerësohet të jenë rritur nga 13,584 lekë në vitin 2015 në rreth 18,399 lekë në vitin 2017. Ndër kategoritë e shpenzimeve, shpenzimet e personelit për frymë gjithashtu shënuan rritje nga mesatarisht 2,517 lekë në vitin 2015 në rreth 4,535 lekë në vitin 2017, rritje kjo e ardhur nga rritja e pagave në sektorin shtetëror, rritja e numrit të punonjësve për shkak të transferimit të funksioneve të reja etj.

Investimet për frymë të kryera nga bashkitë gjithashtu rezultojnë të jenë rritur nga 3,792 lekë në vitin 2015 në mesatarisht 6,080 lekë në vitin 2017 nën ndikimin e transfertave ndërqeveritare për shpenzime kapitale. Edhe rritja e investimeve rezulton të ketë diferenca të theksuara ndërmjet bashkive.

Shpërndarja e popullsisë

Shpërndarja e popullsisë sipas 61 bashkive në vend paraqet diferenca të theksuara (të dhëna të vitit 2016): nga një nivel minimal popullsie prej rreth 5,165 banorësh në bashkinë Pustec, në rreth 763,297 banorë në bashkinë Tiranë, me shumicën e bashkive nën mesataren kombëtare  prej rreth 71,467 banorësh (llogaritur si mesatare e popullsisë së 61 bashkive).

Përveç Tiranës, raporti evidenton se rreth 73% e bashkive kanë një popullsi nën mesataren kombëtare. Kjo ndikon në termat e kostove dhe ofrimit të shërbimeve publike vendore, të cilat në teori duhet të ofrohen të gjitha me të njëjtin standard pavarësisht përmasave të bashkisë apo shtrirjes territoriale të saj.

Burimet financiare të disponueshme për 61 bashkitë rezultojnë të jenë rritur në terma nominalë (veçanërisht në vitin 2017). Burimet financiare të disponueshme, ndaj të ardhurave tatimore kombëtare shënuan një nivel prej rreth 18.9% në vitin 2017 nga rreth 15.1% që ishte në vitin 2015.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë