Nga Gazeta ‘Si’- Sektori i pasurive të paluajtshme dhe turizmi vijuan të udhëheqin rritjen e shërbimeve në tremujorin e parë të vitit 2026.
Sipas INSTAT, aktiviteti i pasurive të paluajtshme shënoi rritjen më të fortë, me shitjet neto që u zgjeruan me 31.5%, punësimi me 22.5% dhe pagat me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tërësi, ndërtimi vijon të mbetet një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë. Në tremujorin e parë, shitjet neto u rritën me 8.6%, prodhimi me 7.2% dhe punësimi me 5.6%. Fondi i pagave në këtë sektor shënoi rritjen më të lartë pas energjisë, me 22.4%.
Edhe sektori i turizmit paraqiti performancë pozitive. Në hotele, shitjet u rritën me 12.6%, punësimi me 9.4% dhe pagat me 22%, ndërsa në bare dhe restorante shitjet u zgjeruan me 8.4% dhe pagat me 14.6%.
Tregtia me shumicë dhe pakicë, një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë, regjistroi rritje prej 4.6% të shitjeve, 3.6% të punësimit dhe 14.6% të pagave, duke reflektuar ecurinë pozitive të konsumit.
Në kahun tjetër, industria vijon të përballet me vështirësi. Industria shënoi rënie të shitjeve neto me 3.1% dhe të prodhimit me 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe punësimi u tkurr me 2.9%, megjithëse fondi i pagave u rrit me 7.5%, duke reflektuar rritjen e kostove të punës.
Transporti, magazinimi dhe posta regjistruan rënie të shitjeve me 3.8%, informacioni dhe komunikacioni me 1.6%, ndërsa aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit me 4.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje