Njerez

Dashuri si e tyre, Sadije Agolli ndahet nga jeta dy vjet pas Dritëroit 

“E dashur Sadije! Të dua si jetën time, madje edhe më shumë”, i shkruante shkrimtari së shoqes në një letër dashurie shumë mote më parë, duke i thënë  “dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh”. Dritëro Agolli u nda nga jeta në shkurt të 2017-ës dhe në përkujtim të të dy viteve pa njeriun e letrave, u largua nga jeta edhe bashkëshortja e tij, Sadija, redaktorja, lexuesja e parë e veprave të tij, shoqja e një jete dhe e një dashurie 52-vjeçare. Ajo ndërroi jetë në spitalin e Neurologjisë, mesditën e së martës, si shkak i një hemorragjie cerebrale. “Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia”, i shkruante poeti dashurisë së tij Sadijes, e cila nuk mundi ta përballojë vetminë që la mungesa e Dritëroit.

Së fundi ajo dhe e bija, Elona, po punonin për botimin e një libri me kujtime dhe dëshmi, mbi jetën e shkrimtarit. Në një shkurt tjetër, jo kaq të trishtë sa ndarjet nga jeta – të dy në të njëjtin muaj – atë të vitit 1965, Sadija i shkruante të dashurit të saj, Dritëroit “Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma”,  në kohën kur ajo punonte si mësuese letërsie në Shkodër. “Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty. Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë”. Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, e shoqja, Sadija  e përkujtoi duke botuar letërkëmbimin e tyre shumëvjeçar, duke e titulluar “Dashuri në moshën e Krishtit”, aq ishte ai, 33-vjeçar kur ata u njohën, ndërsa ajo njëmbëdhjetë vjet më e re, 22 vjeç.

Në këtë përmbledhje janë përfshirë letrat që Sadija dhe Dritëroi i kanë dërguar njëri-tjetrit në vitet e para të njohjes, por edhe më vonë për të kujtuar kohë të vjetra apo për t’i thënë njëri-tjetrit gjëra që nuk i thoshin dot me fjalë. Libri është i pajisur me një parathënie të shkruar nga vetë Sadije Agolli, përmes së cilës ajo ndan me lexuesin dhimbjen, mungesën, një vit të gjatë dhe të vështirë pa njeriun e dashur. Ajo rrëfen copëza nga përditshmëria e tyre së bashku, por edhe kujtime të hershme, që tanimë, që Dritëroi nuk jeton më, i rikthehen si një film. Janë momente të bukura dhe të vështira, të cilat jo rrallëherë, Dritëroi i kthente në vargje.

Vetëm pak kohë më parë, në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, në një intervistë televizive, Sadija do të thoshte “Gjithë ditën,  duke qëndruar vetëm në shtëpi paradreke, më dukej se kisha edhe Dritëroin. Tani kam zënë vendin e tij, aty ku rrinte Dritëroi dhe këtu rrinte dhe shkruante,  prandaj unë e kam gjithnjë me vete. Ishte një dashuri dhe vazhdon të jetë,  52- vjeçare”, kujtonte bashkëshortja, duke ndarë kujtime të shtrenjta, me të nga martesa, lindja e fëmijëve, kënaqësinë e bashkëndarë e shkrimit dhe botimit të librave. “Disa e shanin, disa e lavdëronin dhe këto, i kalonim së  bashku, me njëri-tjetrin. "Të gjitha shkrimet e Dritëroit, të botuara pas viteve ’90, i daktilografonte Sadija “dhe Gishtërinjtë,  nga shtypja me makinë,  më janë shtrembëruar dhe pastaj ia dorëzonim gazetarëve që i botonin”, do të kujtonte vetëm pak ditë më parë Sadije Agolli, përpara se të ndahej nga jeta në moshën 76-vjeçare, për t’iu bashkuar të shoqit.

Ishte lexuesja e parë e tij, me kureshtjen për të ditur se ç’kishte shkruar në mbrëmje apo kur ishte jashtë shtëpisë, në fshatra. “Gjithnjë më dukej e re ajo poezi, nuk vjetrohej. Ishte pjesë e jetës së çdo njeriu. Prandaj poezia e Dritëroit ka mbetur”, rrëfente Sadija teksa kujtonte sesi vitet e fundit shkrimtari do të tërhiqej pothuajse fare nga bota, duke e dashur edhe gruan gjithnjë pranë tij. ““Katër vitet e fundit,  edhe pensionin që dilja ta merrja,  më thoshte të ma sillnin  në shtëpi. Ai  shkruante, unë  daktilografoja, bisedonim dhe u lidhëm të dy shumë më tepër”.

Do të rrëfente sesi në vitet e fundit, për shkak të një frakture në këmbë shkrimtari flinte në divan, pa mundur të ngjitet në krevatin e madh “Unë e shihja gjatë gjithë natës nga krevati”. “Pastaj kishte tubat e oksigjenit dhe më thoshte: “Më  janë bërë si kallo dhe më dhembin hundët”.Por ai ishte burrë i fortë dhe nuk ankohej, thoshte e shoqja, ndërsa ndante dhimbjen e ditës së fundit të jetës së Dritëro Agollit, kur u shtua në spital. “Sa  herë sëmurej Dritëroi,  edhe gjatë kohës së Partisë së Punës,  kur u shtrua me bronkopneumoni, shtrohesha  dhe unë me të dhe e bënin edhe mjekët këtë përjashtim. Edhe herën e fundit iu thashë mjekëve “Dua të rri dhe unë sepse Dritëroi është mësuar””.

Ky ishte edhe pengu më i madh i Sadijes, që nuk mundi të ishte pranë tij në spital, herën e fundit. “E vuaj, sepse duhet të rrija pranë tij, edhe në momentet e fundit. Atë ditë që ai mbylli sytë e pyeta, “A je mirë?” Më tha, “Jam mirë”. I thashë, “A të shkoj në shtëpi të pushoj dhe të marr diçka?” Kujton se sapo kishte mbërritur në shtëpi, kur e lajmëruan se Dritëroi nuk ishte mirë. “ Në të vërtetë kishte vdekur dhe, kur shkova e gjeta të vdekur”. Ishte tronditja më e madhe e jetës së saj, do të pranonte. “Nuk kam dashure të krijoj shqetësime në shtëpi asnjëherë dhe i kam kaluar vetë, me vetminë time dhe veten time, këta dy vjet. I thosha edhe Elonës, “Dua të qaj njëherë, të qaj fort, me ofshama, sa ta nxjerr!”

Këta dy vite pa bashkëshortin do të zhytej në leximet e librave dhe dorëshkrimeve të tij. “Them me vete  “Sa burrë i madh ka qenë Dritëroi!” Duke e pasur bashkëshort nuk e kam vlerësuar nga krijimtaria, si artist,  si shkrimtar, unë e shihja kur bënte detyrën me fëmijët apo edhe kur më mërziste ndonjëherë, kur pinte me shokë apo kur më sillte shokët dhe përgatitja tavolinën.” Dhe shtëpia e tyre ka qenë gjithnjë me miq, të cilët Dritëroi dhe Sadija nuk i nxirrnin kurrë pa një gotë apo një ushqim nga dera e tyre. “Ka qenë burri  ideal, në të gjithë kuptimet, qoftë për mua, si gjysh, si njeri,  me të tjerët. Njeriu më i veçantë  që mund të jetë në Shqipëri dhe që nuk do t’i kthehet më këtij vendi”, shprehej me dhimbje e shoqja, e cila  në këta dy vite iu fut punës për të botuar krijimtarinë e Agollit, ku në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta u botuan tre libra, “Aforizmat” , një përmbledhje me poezi lirike dhe letërkëmbimin mes tyre “Dashuri në moshën e Krishtit”, që datonin nga viti 1964 dhe 1965, “I kishte lënë të përgatitura Dritëroi. Vetë ia kishte vënë edhe titullin “Dashuri në kohën e Krishtit”. Sadija fliste edhe për një libër të ri, titulluar “Vrasja e Kukuvajkës” e po ashtu për fletoret me poezi të pabotuara dhe shkrimet publicistike.

“Do ta kaloj më thjesht këtë herë, dy vjetorin”, thoshte ajo si për të bindur më shumë veten, “Jam përpjekur të mos krijoj gjendje të keqe në shtëpi, dua ta pranoj siç ndodh në jetë dhe mund të më ndodhë edhe mua”, thoshte sikur ta ndiente fundin e saj afër. “Ne e jetuam jetën,  qoftë unë qoftë Dritëroi. Ai  pat fat se më kishte mua, kurse unë kam fëmijët,  por ata janë në punë dhe prapë jam me veten time.”Ishte vepra e Dritëroit që i jepte forcë aq sa t’i kërkonte Zotit jetë për të punuar mbi materialet që ai kishte lënë. “Sa ishte gjallë  nuk më dukej  vetja plakë, më duke vetja e re, ndërsa tani e ndiej pleqërinë të plotë, 76 vjeç dhe them jam plakë. Jeta duhet jetuar”, thoshte Sadija, të cilën poeti nuk e deshi sa vetja, por më shumë se veten. “Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna. Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun”, i shkruante Sadija Dritëroit në shkurt të vitit 1965.Në shkurt të 2019-ës, vendosi t’i shkojë pranë  duke dëshmuar edhe njëherë forcën e dashurisë si ajo e tyrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë