Politike

DASH konfirmon për mediat shqiptare vendimin për Berishën: Kemi bërë një përjashtim në interes të SHBA-ve

Gazeta Si – DASH konfirmon se ish-kryeministri Sali Berisha është përjashtuar nga ndalimi për të hyrë në SHBA, por nuk sqaron nëse ky vendim është i përkohshëm apo i përhershëm.

Në një reagim për mediat shqiptare, lidhur me raportimet për statusin e ish-kryeministrit Sali Berisha, DASH sqaron se bëhet fjalë për një përjashtim që i shërben interesit kombëtar të SHBA-ve.

“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (‘waivers’) për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara.”, thuhet në përgjigjen e DASH dhënë mediave shqiptare.

Sipas përcaktimeve të DASH, “waiver” do të thotë përjashtim nga zbatimi i një mase ose kufizimi, i dhënë nga autoriteti që e ka vendosur atë.

Në rastin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, një “waiver” nuk do të thotë domosdoshmërisht se vendimi fillestar është anuluar.

Ai do të thotë se, për arsye të caktuara (shpesh të lidhura me interesin kombëtar të SHBA-ve), personi ose subjekti përfiton një përjashtim nga pasojat e atij vendimi.

Për përcaktimet sipas nenit 7031(c), të cilat zakonisht lidhen me akuza për korrupsion të rëndësishëm ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe sjellin ndalim hyrjeje në SHBA për personin dhe familjen e tij, një ëaiver mund të nënkuptojë që:

kufizimi i udhëtimit nuk zbatohet në një rast të caktuar;

personi lejohet të hyjë në SHBA për arsye specifike;

ose disa pasoja të përcaktimit pezullohen.

Në 19 maj 2021, pas zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat PD-ja i humbi, DASH shpalli non grata ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij.

Ishte vetë sekretari i Shtetit në atë kohë Antony Blinken i cili përmes një mesazhi në Twitter shkruante se ish-presidenti Shqipërisë, Sali Berisha me aktet e tij korruptive ka minuar demokracinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë