Analize

“Darka e gabuar” në Berlin. Vetëm premtime dhe revoltë ballkanike

Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha, të gjithë pjesëmarrësit e samitit të Berlinit duket se po kthehen në shtëpi “duarbosh”. Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev nuk e kanë marrë sigurinë për hapjen e negociatave, edhe pse ky i fundit ka kërcënuar me dorëheqje nëse Shkupit nuk i hapen dyert e Bashkimit Europian. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj dështuan të bindin Angela Merkel dhe Emmanuel Macron për liberalizimin e vizave, ndërkohë që Aleksandër Vuçiç po kthehet në shtëpi i zhgënjyer pasi nuk ia doli të bindte Prishtinën zyrtare për heqjen e taksës. Por çfarë ndodhi gjatë darkës së punës në Berlin dhe a solli ky samit stabilitet për rajonin?

Takimi me dyer të mbyllura duket se kaloi me përplasje të vazhdueshme, diskutime me tone të larta dhe liderë që i drejtoheshin me ‘gisht’ njëri-tjetrit si shenjë kërcënuese.
Edhe pse videot dhe fotot e kryeministrave Rama dhe Haradinaj tregojnë takime dhe përshëndetje miqësore me presidentin francez dhe kancelaren gjermane, prapa dyerve të mbyllura, atmosfera duket të ketë qenë tejet e acaruar. Mediat në Prishtinë thonë se ka pasur një përplasje të ashpër mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Emmanuel Macron për shkak të tarifës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Sipas burimeve presidenti Macron, e ka sulmuar ashpër Haradinaj, duke i thënë se ai ka qenë shkaktar për ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi. Madje, në një moment presidenti francez i është drejtuar me gisht kryeministrit Haradinaj. Por tensionet nuk kanë mbaruar me kaq, pasi u shtuan në kohën kur fjalën e mori presidenti Hashim Thaçi.

Burimet bëjnë të ditur se Thaçi ka kritikuar ashpër gjatë takimit Bashkimit Europian, sidomos për mosliberalizimin e vizave. Kur presidenti i Kosovës doli tek Porta e Brandenburgut për të dhënë deklaratën pas samitit afër mesnatës, gazetarët kishin dy orë që po prisnin duke u dridhur në temperaturat dimërore të kryeqytetit gjerman. Vonesa prej gati dy orësh erdhi pas përpjekjeve të pasuksesshme të Merkel dhe Macron për të bindur Prishtinën të hiqte tarifat.

Liderët e Ballkanin Perëndimor, Kancelaria Merkel dhe presidenti Macron

Më i zymtë se kurrë, Thaçi u tha gazetarëve se kishte marrë lajme zhgënjyese për liberalizmin e vizave, pasi sipas tij kjo çështje ishte injoruar nga Berlini dhe Parisi. “Çështja e liberalizimit të vizave është lënë në një pozicion injorues dhe zhgënjyes. Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, deklaroi ai.

Mesa duket për Prishtinën zhgënjyese kishte qenë këmbëngulja e Francës për të mos liberalizuar regjimin e vizave ndaj Kosovës.

Sipas burimeve të DW, presidenti Macron kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i emigrantëve të parregullt ashtu edhe i kriminalitetit nga këto vende. Ashtu siç edhe pritej, kreu i Elizesë tha se nuk mund të marrë një vendim të tillë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e parlamentit europian. Macron ka deklaruar se nëse do të hiqte vizat edhe për Kosovën, do t’i jepte një argument partisë së Frontit Nacional të Marine Le Pen.

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron

Por këto argumente duket se kanë qenë tejet zhgënjyese për Thaçin. “Kemi theksuar shumë qartë që Kosovës i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave, sepse Kosova e meriton. Prandaj, nëse diçka e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt do të jetë një zhgënjim i madh për qytetarët” u shpreh ai.

Por Thaçi, Haradinaj dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli janë përplasur ashpër edhe me palën serbe. Thaçi tha para gazetarëve se konfrontimi me palën serbe kishte qenë “i rëndë” për delegacionin e Kosovës. Sipas tij, pavarësisht ndërhyrjes së kancelares Merkel, pala serbe, nuk kishte dashur të pranonte në asnjë mënyrë njohjen e Kosovës, kusht ky i vënë nga Kosova për të hequr tarifat doganore.

“Unë e ftova kancelaren Merkel dhe presidentin Macron ta bindin Vuçiçin për njohjen e Kosovës, por mesa duket kjo bindje mungonte. Prandaj, na mbetet të shohim drejt vendimeve tona autonome, sovrane, por taksa është legjitime dhe duhet të mbetet në fuqi”, theksoi ai.

Ashtu siç edhe pritej, kryefjala e samitit duket se ka qenë dialogut Kosovë-Serbi, dhe pengesat me të cilat po ballafaqohet ky proces. Thaçi nuk e shmangi çështjen e kufijve, duke thënë se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, demarkacioni i kufirit Kosovë-Serbi është i pashmangshëm.

“Kur do që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë demarkacioni i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga cenimi i sovranitetit tonë”, theksoi ai, teksa tha se pretendimet se po bëhen përpjekje për ndryshim kufijsh në vija etnike janë krejtësisht të pavërteta.

Po ashtu kreu i shtetit tha se Kosova interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. “Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, shtoi ai.

Thaçi siguroi që nuk do të ketë shkëmbim të territoresh, edhe pse u zotua se do të angazhohet për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës, deklaratë që duket se nuk është pritur mirë nga kancelaria Merkel. Para se të niste takimi i djeshëm kancelarja gjermane tha se zgjidhja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit.

Mekel, Macron dhe Thaçi

I pyetur se cili ishte vendimi i përbashkët në takim, Thaçi tha se të pranishmit “ishin pajtuar që të mos pajtoheshin”.

Por ndërkohë që Presidenti theksonte se do të angazhohej për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, Haradinaj nuk e fshehu zemërimin duke këmbëngulur se nuk do të lejonte “prekjen” e kufijve. Gjatë darkës së punës, ai ka këmbëngulur se një skenar i tillë do të mund të çonte drejt ndarjes etnike. Sipas Haradinaj, në kuadër të procesit të dialogut duhet të ndodhë njohja reciproke mes dy shteteve, pasi pa njohje sipas tij, nuk mund të ketë progres.

“Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Rishikimi i kufijve do të shkaktonte fillimin e një vale të re ndarjeje etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës. Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për t’i hapim kufijtë tanë dhe jo të krijojmë kufij të rinj”, theksoi ai.

Në fjalimin e mbajtur në takimin e Berlinit, Haradinaj po ashtu kërkoi që qytetarëve të Kosovës t’u jepet e drejta e lëvizjes së lirë.

“Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat që gëzojnë vendet tjera dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtarë të Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Europian”, deklaroi ai, duke kërkuar kështu edhe përfshirjen e SHBA-së. Por ashtu si Thaçi, edhe Haradinaj duket se është kthyer i zhgënjyer në shtëpi.

Angela Merkel dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër nuk ka zbuluar ende detaje nga takimi, por sinjalet e nga Berlini nuk flasim për rezultate pozitive. Negociatat ishin një nga temat e diskutimit Merkel-Rama, por sipas raporteve të mediave gjermane, Shqipëria duket se ka mbetur sërish në klasë.

Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit. Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut.

Siç mësoi DW nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë DW se vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.

Vetë Kryeministria është treguar e rezervuar rreth qëndrimeve të Kancelares Merkel përsa i përket pozicionit që do të mbajë Gjermania ndaj raportit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave. Edhe pse Rama premtoi para samitit të Berlinit se do të zbulonte se çfarë do t’i kërkonte kancelares gjermane, Kryeministria nuk ka ndarë shumë detaje, duke thënë se në takim është diskutuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërkaq Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se temë kryesore mes kancelares Merkel dhe kryeministrit Zoran Zaev ka qenë Marrëveshja e Prespës, bashkëpunimi dhe paqja në rajon. Por edhe Zaev nuk ka marrë siguri për hapjen e negociatave, pavarësisht vlerësimit të Merkel dhe Macron për paktin e arritur me Tsipras.

Sipas raportimeve mediatike, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, është shprehur i gatshëm të dorëhiqet nga detyra nëse vendit të tij nuk i hapen negociatat me BE-në në muajin qershor.

Kërcënimi i Zaev është një sfidë e hapur për Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, të cilët kërkojnë stabilitet në rajon, ndërkohë që largimi i kryeministrit maqedonas mund ta rikthejë këtë vend në situatën e tensionuar të tre viteve më parë.

Mediat gjermane raportojnë gjithashtu për një presion gjithnjë e në rritje të kancelares Merkel ndaj presidentit Macron, që ky i fundit të bëjë lëshime për Shkupin dhe të pranojë hapjen e negociatave. Ajo kërkon një shpërblim për shtetin ballkanik, pas marrëveshjes që nënshkroi me Greqinë. Berlini dhe Brukseli i druhen gjithashtu rikthimit të Rusisë në Maqedoninë e Veriut.

Mekel, Macron, Vuçiç dhe Brnabiç

Ndërkohë Vuçiç nuk është treguar aq i rezervuar sa Rama duke thënë para gazetarëve në Berlin se samiti nuk solli asgjë të re. “Fjala e fundit e këtij samiti ishte që të vazhdojnë bisedimet në një format të ngushtë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për të vazhduar dialogun”, ka deklaruar ai. “Por për aq kohë sa taksa është ende në fuqi, vazhdimi i dialogut është i pasigurt”, theksoi presidenti serb.

Fillimisht ishte parashikuar nënshkrimi i një dokumenti nga të gjithë pjesëmarrësit, por në fund të takimit zyra e shtypit e kancelares gjermane bëri publik vetëm konkluzionet e kryesisë së përbashkët franko-gjermane.

Fryma e dokumentit të publikuar gjatë natës është pozitive dhe përmban një gjuhë të përgjithshme. Sipas dokumentit në fjalë “Serbia dhe Kosova ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të realizuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t’u angazhuar konstruktivisht në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE, me synim për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse”.

Në dokument nuk përmenden as tarifat doganore ndaj Serbisë, e as propozimi për ndryshim kufijsh dhe as negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dukë bërë që liderët e Ballkanit të kthehen në shtëpi duarbosh. Por në 1 korrik ata do të bëhen sërish bashkë. Këtë herë mikpritësi do të jetë presidenti i Francës, Macron. Takimi pas dy muajsh do të vijë kur të kenë përfunduar zgjedhjet për Parlamentin Europian, të jetë publikuar raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të jetë mësuar vendimi i liderëve të BE-së, nëse negociatat do të hapen për këto dy vende, apo do të shtyhen në vjeshtë.

Më Shumë