Politike

Çuçi mbledh deputetët: Të enjten marrëveshja për emigrantët, dakord me amendimet e PD për amnistinë penale (A do jetë emri i Salianjit pakti për votat?)    

Nga Gazeta Si - Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Bledi Çuçi zhvilloi një mbledhje mes deputetësh pak orë para se të të mbahet seanca plenare.

Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, Çuçi ka kërkuar  pjesëmarrje të deputetëve veçanërisht për seancën e të enjtes kur pritet të kalojnë disa marrëveshje të rëndësishme, mes tyre edhe Protokolli me Italinë për Bashkëpunimin në fushën e Emigracionit.

Lidhur me amnistinë penale, Çuçi tha se nëse do të arrihet dakordësi me opozitën edhe ky ligj do të përfshihet në seancën e ditës së enjte.

Ai shprehu dakordësi në parim për të zgjeruar bazën e përfituesve prej amnistisë ashtu sikundër ka propozuar deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj nga propozimi i të cilit përfiton edhe deputeti Ervin Salianji.

Ky i fundit është dënuar nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” kundër vëllait të Ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, sipas gjykatës, në një çështje të sajuar për trafikim droge

Vetë Salianji në një dalje të fundit ka propozuar një amendim të dytë që ai të përjashtohet (ne cilësinë e deputetit) nga amendamenti Xhaferraj.

Gjithçka rreth kësaj çështje se cili amendim do të pranohet dhe cili jo do të kuptohet vetëm të enjten atëherë kur janë caktuar edhe pikat më të nxehta.

Ndërkohë, grupi parlamentar ‘Bardhi-Berisha’ shkon këtë javë në Kuvend me pjesëmarrje të përgjysmuar.

18 deputetë janë përjashtuar për 10 ditë (do vijojnë të mbeten jashtë punimeve edhe për tre ditë), ndërsa të enjten secili prej tyre do të jetë në seancë, përjashto deputetin Ervin Salianji i përjashtuar për 20 ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë