Bota

Covid në Gjermani, nuk ka rroga për të pavaksinuarit që duhet të karantinohen

Sa vjen e shtohet presioni i autoriteteve gjermane për personat e pavaksinuar, të cilët nuk do të kenë më asnjë kompensim financiar nga kompanitë apo ndërmarrjet ku punojnë për periudhën në të cilën ata duhet të bëjnë karantinën. Kështu ka vendosur Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, në një marrëveshje me kolegët nga rajonet gjermane.

Rregullat e reja mund të hyjnë në fuqi qysh në 11 tetor, sipas një drafti të planit të rishikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters” dhe do të prekë, si ata që kanë rezultuar pozitivë për virusin, ashtu edhe ata që janë kthyer nga vendet e caktuara me rrezik të lartë për Covid (lista e të cilave gjithashtu përfshin Britaninë e Madhe, Turqinë dhe disa pjesë të Francës).

Ata që nuk janë të vaksinuar, duke u kthyer nga këto vende, duhet t'i nënshtrohen një karantine prej të paktën 5 ditësh, e cila nuk kërkohet për ata që janë të imunizuar ose janë shëruar kohët e fundit.

Kritikët kanë argumentuar se një rregull i tillë në mënyrë efektive, e bën vaksinën të detyrueshme, pasi shumë punonjës nuk mund të përballojnë të qëndrojnë në shtëpi të papaguar.

Spahn theksoi, megjithatë, se qëllimi i masës nuk është aq shumë për të bërë presion mbi gjermanët për t'u vaksinuar, por për t'iu përgjigjur një kriteri ligjor dhe të korrektësisë.

"Pse të tjerët duhet të paguajnë për ata që zgjedhin të mos vaksinohen", -  argumentoi ai në ZDF TV. Një gjë është e sigurt: Berlini po ndërmerr hapa që e bëjnë gjithnjë e më të papërshtatshme mos vaksinimin.

Gjithashtu, nga 11 tetori, tamponët kundër Covid 19 të kërkuara, për shembull, për të hyrë në restorante nëse nuk vaksinohen, nuk do të jenë më falas.

Për më tepër, disa Lande, kanë filluar të lejojnë vende të tilla, si restorantet dhe stadiumet që të jenë në gjendje të zgjedhin nëse do të kufizojnë hyrjen vetëm për njerëzit që janë vaksinuar ose janë shëruar kohët e fundit, ose t'i shtrijnë ato tek personat me një tampon negativ. Në Gjermani, 74% e të rriturve kanë përfunduar ciklin e vaksinimit, kundrejt mesatares evropiane prej 72.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë